Reforma e Drejtësisë, po a nuk ishit sërish Ju?

Nga Ben Andoni

Kur flitet për Reformën në Drejtësi, që mëtohet se do të fillojë së shpejti, të dy palët e politikës shqiptare punën e parë që bëjnë, në çdo prononcim, është të akuzojnë njëri-tjetrin dhe pastaj futen në detaje. Anipse, këtë herë duket se e kanë më ‘seriozisht’. Në ditët e fundit është thënë se mbi 1000 gjyqtarë, prokurorë dhe avokatë janë ftuar të japin rekomandimet e tyre për reformën në drejtësi. E për ta bërë sintaksën edhe më të lodhshme për publikun shkruhet se: Komisioni i posaçëm për reformën, ka kaluar në një fazë tjetër, në atë të vlerësimit të projektligjeve që pritet të hartohen bazuar në reformë… Opozita duket se këtë herë është dakord pasi për hartimin e ligjeve do ngrihet një grup ku bën pjesë një ekspert vendas dhe një i huaj një garanci më shumë për ta.

Por, pyetja që mbetet është se: vërtetë thuhet se do jenë ekspertë, po sërish miratuesit a do jenë prapë politikanët që kanë bërë deri më tani tollovinë në drejtësinë shqiptare?! Po a s’kanë qenë shumë vallë prej tyre funksionarë të Ministrisë së Drejtësisë, anëtarë të Komisionit të Ligjeve? Si është e mundur që këta sa ishin në krye të institucionit, ose në këto hallka, nuk bënë asgjë… Po përse nuk e reformuan K.L.D.-në qysh më parë? Pse-të ndjekin njëra-tjetrën, pasi në Reformën e re parashihet të futet në shqyrtim: Mënyra e zgjedhjes së Presidentit, kopetencave të tij, K.L.D.-ja, Prokurori i Përgjithshëm etj, ato që ata vetë i kanë bërë mbrapsht.

Paçka sugjerimeve që do mund të bëjnë specialistët, kjo reformë do mbetet sërish në varësi të dëshirës së partive, pasi e miratojnë në fund ligjvënësit, që prej pak vitesh emërohen nga Kryetarët e plotfuqishëm të Partisë. Ndërkohë që një reformë e tillë, do kishte nevojë që më parë të bëhen ndryshime në Kushtetutë, e cila në këtë rast e kishte të nevojshëm një referendum popullor. Në vitet e fundit, populli është krejt i larguar dhe vetë Kushtetuta e prekshme për politikën që dikton kudo. Ndaj Kuvendi shqiptar, sot, është një organ gjithnjë e më i pandershëm. Kur kujton se në sallë janë njerëz me precedentë penale; sherrxhinj, që i kemi parë live; të korruptuar; e të fortë, bindesh dhe për fatin e kësaj reforme, që do të shërbejë vetëm si një dokument për t’u thënë të huajve se do të bëjmë Reforma. Një reformë, që duket qartë se nuk do ta reformojë dot sistemin e Drejtësisë, që është krejt i kalbur. Por, ky është një argument tjetër…

(javanews.al)

SHKARKO APP