Reforma në Drejtësi: Bëjeni “SHPEJT” ose jeni të inkriminuar!

 

 

 

Rigels Xhemollari

Duke marrë shkas nga mesazhi i qartë i ambasadorit amerikan Donald Lu i cili u shpreh se reforma duhet bërë shpejt, në universitetin e Durrësit, me lind e drejta të analizoj arsyet përse kjo reformë ka hyrë në rrugë të gabuar dhe të ngadaltë dhe përse ata që duan ta vonojnë janë të inkriminuarit!

E para, pjesëmarrja aktive e politikës në komision është fatkeqësi dhe sinjal negativ për procesin.

A nuk është qëllimi i kësaj reforme shkëputja e gjyqësorit nga politika? A nuk synojmë që me këtë reformë mbi të gjitha të cojmë para drejtësisë politikanët e korruptuar që këto 25 vite kanë abuzuar me fondet publike dhe kanë shkelur me të dyja këmbët interesat e qytetarëve?   

Po si mundet të reformohet drejtësia nga klasa politike kur pjesë e debateve janë po ata fajtorë dhe të akuzuar nga palët për afera korruptive! Kjo situatë i ngjan një moçali ku llumi kërkon të na nxjerrë nga llumi, ku epidemia e korrupsionit i ka prekur të gjithë dhe të sëmurët kërkojnë të infektojnë gjithcka, madje dhe sistemin për tu bërë imunë të përjetshëm.

E dyta, fakti që nga njëra anë ndërkombëtarët, misionet e huaja monitoruese, kryeministrat dhe zyrtarët e lartë shprehen për gjyqtarë të korruptuar dhe në 25 vjet janë dënuar vetëm 3 na bën të mendojmë që politika nuk i ka cënuar, por i ka mbrojtur gjyqtarët, ka qënë e përzjerë dhe bashkfajtorë në këtë baltë dhe nuk mundet të dalë e pastër dhe e moralshme para qytetarëve pa pranuar kostot dhe fajin e mbulimit të aferave këto 25 vite.

E treta, një reforme efektive nuk duhet ti nënshtrohet vonesave të debateve politike për ndryshimet kushtetuese të nevojshme për reformimin e organeve gjyqësore por politika duhet ti hapë rrugën dhe të heqë dorë përfundimisht nga pengesat. Por nuk e ka bërë deri tani dhe mesa duket nuk do ta bëjë, jo sepse i intereson kushtetuta, se kur ak dashur e ka ndryshuar brenda natës, por politikanëve u interesojnë, makinat, vilat luksoze dhe ofiqet e pandershme te pushtetit.

Nëse duam reformim të pastër të sistemit të drejtësisë, duhet që politika dhe komuniteti i gjyqtarëve dhe prokurorëve të mbajë duart larg nga ky proces. Pjesëmarrja e tyre e njollos dhe na bën skeptikë se ky process do të zgjasë pafund ashtu si edhe reformat e tjera të nisura dhe të lëna përgjysëm. Reforma në drejtësi duhet te vijë nga shoqëria civile dhe të përfaqësojë interesat e qytetarëve jo të kostumeve që kanë “mëkatuar” 25 vjet dhe e shtyjnë sa më shumë të munden ditën e gjykimit!

SHKARKO APP