Reforma territoriale, Berisha: Rama po bën gjithçka për konfrontim, ftoj qytetarët të protestojnë
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, akuzoi Kryeministrin Edi Rama se është tërhequr në mënyrë të njëanshme nga reforma territoriale, duke rrëzuar kërkesën e PD për zgjatjen e afatit të Komisionit parlamentar për këtë reformë.
“Pra, opozita, në një përpjekje të jashtëzakonshme, e mbajti Parlamentin pesë orë me dy çështje kryesore: reformën territoriale dhe çështjen e dytë, kërkesat e protestuesve jashtë Parlamentit, të cilët kishin vetëm një kërkesë: ky Parlament dhe këta deputetë të pseudomazhorancës nuk përfaqësojnë qytetarët.
Ata përfaqësojnë miliarda e miliarda euro të taksapaguesve, të përdorura, sipas dokumenteve ndërkombëtare, për të ndikuar dhe kontrolluar vullnetin e zgjedhësve.
Ja pse PD-ja kërkoi, me insistimin më të madh, shpërndarjen dhe përfundimin, ditën e enjte, të Parlamentit shqiptar.
Sikundër denoncuam para shqiptarëve dhe mbarë botës aktin e papërgjegjshëm të Edi Ramës për tërheqjen e njëanshme nga reforma territoriale.
Të dashur miq, që në krye të herës kam deklaruar se me Edi Ramën reformë nuk ka.
Por, nga ana tjetër, jo një apo dy, por dhjetëra, qindra e më shumë qytetarë nga të katër anët e vendit kanë kërkuar që PD-ja të marrë pjesë në Komisionin e Reformës Territoriale për të mbrojtur interesat e tyre në këtë komision.
Dhe këtë bëmë.
Zoti Luçiano Boçi, në krye të këtij komisioni nga ana jonë, së bashku me deputetët tanë, bëri një punë jashtëzakonisht serioze.
Ata përgatitën, me seriozitetin më të madh, së bashku me ekspertët e fushës, projektin më të mirë të reformës së ardhshme territoriale, ku bashkitë, nga 60, jo vetëm që nuk zvogëloheshin, por dyfishoheshin.
Në të, përveç bashkive, shtoheshin dhjetëra e dhjetëra komuna, sipas territoreve ku ato mund të ngrihen dhe ku ndryshimet e thella demografike lejojnë krijimin e tyre.
Pas konsultave të gjera dypalëshe, në të cilat qytetarët e të gjithë spektrit politik demaskuan njëzëri reformën e kaluar të Edi Ramës, Edi Rama vendosi të mbyllë punimet e komisionit, të tërhiqet dhe të votojë në mënyrë të njëanshme dhe të kundërligjshme raportin e Maznikut, i cili nuk ishte paraqitur në komision.
Pra, ai bën gjithçka për një konfrontim. Unë i ftoj qytetarët që këtë reformë kaq të rëndësishme për ta, për komunitetet e tyre dhe për zonat e tyre, të mos e lënë në duart e Edi Ramës, por të bashkohen me kryengritjen e përgjithshme popullore në Tiranë deri në largimin e tij”, u shpreh Berisha.
KOHA JONË SONDAZH

