Reforma territoriale diskutohet në Elbasan, kryetari Llatja: Pas Tiranës, bëhemi qyteti i dytë më i madh
Reforma e re administrativo-territoriale ka sjellë përplasjet e para politike në Elbasan, teksa në projektin e propozuar nga Partia Socialiste parashikohet që bashkitë Cërrik dhe Belsh të shkrihen dhe t’i bashkohen Bashkisë Elbasan. Projekti është depozituar në Kuvend dhe parashikon një hartë të re me 46 bashki.
Në Elbasan u zhvillua këtë të martë një dëgjesë publike për reformën, ku kryebashkiaku Gledian Llatja u shpreh në favor të zgjerimit të territorit të bashkisë. Sipas tij, bashkimi do t’i jepte Elbasanit një peshë më të madhe ekonomike dhe administrative.
“Elbasani bëhet qyteti i dytë më i madh në Shqipëri pas Tiranës, duke i dhënë një plotësim të kapaciteteve ekonomike”, deklaroi Llatja. Kryebashkiaku e sheh riorganizimin si një mundësi për të rritur kapacitetet e Elbasanit dhe për të krijuar një njësi vendore me më shumë potencial ekonomik.
Deputeti demokrat Bledi Himçi e kundërshtoi mënyrën se si ishte organizuar dëgjesa, duke akuzuar bashkinë se procesi nuk po përfshinte në mënyrë reale qytetarët. “Ju po e bëni dëgjesën farsë! Nuk mund ta bësh konsultimin publik vetëm me administratën e bashkisë”, tha Himçi.
KOHA JONË SONDAZH

