FIFA World Cup 2026 11 Qershor - 19 Korrik 2026
00 ditë
00 orë
00 minuta
00 sekonda

Reforma Territoriale, PD kërkon më shumë kohë. Boçi: Procesi duhet të respektojë çdo fazë

Komisioni i Posaçëm për Reformën Administrativo-Territoriale u mblodh këtë të mërkurë për të diskutuar mbi ecurinë e punës dhe raportet e paraqitura nga ekspertët. Bashkëkryetari i Komisionit, deputeti i PD-së, Luçiano Boçi, kritikoi mënyrën sesi mazhoranca po përpiqet të përshpejtojë procesin, duke anashkaluar disa prej etapave të miratuara në projektkalendarin e punës.

”Ne e ftojmë Komisionin të respektojë vendimet që ka miratuar. Kemi një projektkalendar dhe nuk mund të digjen etapat e përcaktuara në të”, deklaroi Boçi. Sipas tij, raporti i paraqitur mbështetet kryesisht mbi Reformën Administrativo-Territoriale të vitit 2014, ndërkohë që Komisioni duhet të zhvillojë fillimisht një analizë të plotë të reformës ekzistuese dhe më pas të përcaktojë parimet mbi të cilat do të ndërtohet reforma e re.

Boçi ngriti pikëpyetje mbi punën e ekspertëve të mazhorancës për një model të ri territorial, në një kohë kur Komisioni ende nuk ka miratuar parimet dhe metodologjinë mbi të cilat duhet të bazohet reforma. ”Si mund të kenë punuar ekspertët e mazhorancës për Reformën Administrativo-Territoriale 2, kur ende nuk kemi përcaktuar parimet e saj?”, pyeti ai.

Swiss Digital Desktop Reklama

Sipas tij, dëgjesa për Qarkun e Tiranës ende nuk është mbyllur, ndërsa kryetarët e bashkive të Tiranës, Vlorës, Shkodrës dhe Lezhës nuk janë paraqitur në Komision, megjithëse ishin të detyruar të merrnin pjesë. Ai shtoi se nuk janë zhvilluar ende dëgjesat me komunitetet, grupet e interesit dhe institucionet ndërkombëtare, nuk është realizuar sondazhi publik dhe as vizitat studimore të parashikuara në kalendar.

Swiss Digital Mobile Reklama

Deputeti kërkoi shtyrjen e afatit të Komisionit deri në muajin tetor, me qëllim që puna të përfundojë në mënyrë serioze dhe të respektohen edhe afatet kushtetuese për ndryshimet ligjore. Ai solli si argument edhe shtyrjen e afatit të Komisionit të Reformës Zgjedhore, duke theksuar se puna e dy komisioneve është e lidhur drejtpërdrejt.

”Kemi plotësuar vetëm dy pika e gjysmë të projektkalendarit. Duhet të përfundojmë pikën e tretë dhe të bëjmë një punë që i shërben qytetarëve, jo një reformë të nxituar dhe të paracaktuar”, deklaroi Boçi. Sipas tij, dëgjesat e zhvilluara deri tani kanë treguar se propozimi për reduktimin e numrit të bashkive nuk gëzon mbështetje të gjerë. Përkundrazi, një pjesë e dëshmive dhe propozimeve të paraqitura kanë kërkuar ruajtjen e 61 bashkive ose shtimin e numrit të tyre.

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

Protesta po prodhon edhe dhunë, a jeni dakort me këtë menyrë reragimi?