Reforma Zgjedhore: Programi i punës miratohet me konsensus
Komisioni i Posaçëm për Reformën Zgjedhore miratoi sot me konsensus kalendarin e plotë të punës, i cili parashikon hartimin e një Kodi të ri Zgjedhor dhe dërgimin e tij në Kuvend për votim brenda korrikut 2026.
Nën drejtimin e bashkëkryetarëve Damian Gjiknuri dhe Oerd Bylykbashi, komisioni u mblodh në takimin e radhës për të diskutuar planin e punës dhe ligjet që pritet të amandamentohen në kuadër të reformës.
Gjiknuri prezantoi kalendarin, duke theksuar se ndër hapat e parë është hartimi i projektligjit “Për financimin e partive politike”, si dhe puna për Kodin e Ri Zgjedhor, që përfshin çështje si: objektet dhe parimet e zgjedhjeve të përgjithshme dhe vendore, listat e zgjedhësve, regjistrimin e kandidatëve, zonat zgjedhore, organizimin e infrastrukturës së zgjedhjeve dhe institucionet përgjegjëse.
“Çdo çështje e adresuar nga ODIHR, si edhe propozimet që do të paraqesin palët, do të jenë objekt diskutimi. Synimi është që brenda afateve të mandatit të kemi një draft të miratuar dhe të dakordësuar,” u shpreh Gjiknuri.
Ndërsa bashkëkryetari Bylykbashi theksoi rëndësinë e përcaktimit të një kornize të qartë të objektivave dhe kohëzgjatjes së punës, duke theksuar se afatet mund të ndryshojnë sipas nevojave të procesit.
Komisioni vendosi gjithashtu që grupi i ekspertëve të përbëhet nga gjashtë anëtarë: tre nga mazhoranca dhe tre nga opozita.
Gjatë diskutimeve u trajtuan edhe elemente të rëndësishme si rekomandimet e ODIHR, vota e diasporës dhe procedurat e ekspertizës. Në përfundim, anëtarët miratuan Planin e Punës së Komisionit
KOHA JONË SONDAZH

