Reformat e Ramës, “çojnë ujë në mullirin” e Berishës

Nga Zef Shtjefni

Duket se Kryeministri Edi Rama e ka mendjen, vetëm si e si t’i çojë në fund, me një frymë e pa humbur kohë, reformat që ka premtuar, që ka filluar apo që ka ndërmend të fillojë. Ai, pak duket se po i kushton vëmendje mënyrës, rrugëve, strategjive, ritmeve dhe kohës së realizmit të tyre. Terapia e shokut duket se e udhëheq Kryeministrin tonë në rrugë e vendosur që ka nisur për ndryshimin e vendit. Mund të jenë të paktë shqiptarët që nuk e ndiejnë domosdoshmërinë e ndryshimit, domosdoshmërinë e reformave që duhen bërë. Ma do mendja se do të jenë të shumtë ata që kritikojnë sot mënyrën e veprimit, kohën, rrugët dhe strategjitë e ndjekura nga Kryeministri Rama për realizimin e tyre. Në mitingun e fundit, duket se ishin pikërisht këto arsye që ia mbushën sheshin Lul Bashës dhe mendoj se janë pikërisht këto arsye që po “çojnë ujë përsëri në mullirin e vjetër” të Sali Berishës.

Për shembull, të bësh atë aksion shumë të rëndësishëm kundër vjedhësve të energjisë, i cili krahas shumë të mirave të tjera, do t’i kthejë arkës së shtetit 150 mln euro të vjedhura në vit, është një punë më e vështirë se lufta për mposhtjen e kështjellës së drogës në Lazarat. Edhe pse vjedhësit e energjisë ia mbushën sheshin Lul Bashës në mitingun e fundit, prapë edhe ata e kanë të stampuar në koshiencën brenda vetës se nuk kanë motiv të protestojnë, se nuk kanë të drejtë, nuk kanë kauzë. Ata e dinin se ishin thirrur veç t’i mbushnin sheshin Lulit e Saliut, të cilët i lejonin të vidhnin e ta katandisnin shtetin në një karakatinë orientale. Por edhe aksioni kundër vjedhësve, edhe rritja e çmimit të energjisë, madje mu në zemër të dimrit, kjo më duket punë jo fort e mençur. Jam i bindur se pak kush në këtë vend do të ishte dakord më rritjen e çmimit të energjisë, ashtu siç jam i bindur se pak kush nuk e mbështet aksionin e Qeverisë kundër hajdutëve të saj. Kësaj i thonë sipas meje, “të çosh ujë në mullirin e vjetër të Saliut”. Është kulmi, kur mendon se ku i shtyjmë të shkojnë përsëri e të falën shqiptarë , në prehrin e Sali Berishës, simbolit të antishtetit tonë.    Një tjetër gabim më duket se po bën Qeveria Rama në aksionet e prishjes së ndërtimeve pa leje dhe paralel me të, edhe bllokimin total të lejeve të ndërtimit. Kur dëgjojmë nga njëra anë tritolet e INUK-ut dhe nga tjetra, bllokimin total të lejeve të ndërtimit, nuk u besojmë veshëve. Nuk ka logjikë, nuk e bën dot këtë autogol të madh mendova në fillim. Edhe pse provokatori ishte Lul Basha me grataçelat poshtë digës së Liqenit Artificial, prapë mendoja se nuk mund të dënohet kurrë gjysma e ekonomisë dhe e fuqisë punëtore të vendit për inat të interesave të Lul Bashës. Është njësoj si të thuash, të ndalojmë qarkullimin rrugor, meqë bëhen aksidente. Po kështu, s’ka sens që të ndalohen lejet e ndërtimin, meqë ka korrupsion e abuzime. Mjaftonte që të gjitha lejet të kalonin në sitën e një organi qendror dhe kryetarët e komunave futeshin në shinat e ligjit. Por të fusësh fadromat e tritolet e INUK-ut nga njëra anë dhe nga tjetra, të ndalosh punën ndërtimore, punësuesin më të madh në vend dhe gjeneruesin e thuajse të 40% të resurseve dhe energjive të ekonomisë sonë, edhe kjo më duket njësoj si “të çosh ujë “ me bollëk në mullirin e vjetër të Sali Berishës. Me ndërtimin është i lidhur një zinxhir i madh i ekonomisë dhe jo vetëm tullat e llaçi, siç tha Kryeministri. Madje, para ca ditësh, ai i bëri thirrje biznesit që të linin llaçin e tullat dhe t’i investonin paratë në bujqësi. Nuk kam asgjë me bujqësinë, por edhe në vendet më të zhvilluara në botë 6-7% të energjive të ekonomive të tyre përfaqëson bujqësia. Megjithatë, vendi ynë vërtetë ka nevojë t’i kthejë sytë nga bujqësia me këtë natyrë e kushte klimatike që kemi. Po ç’ke me llaçin e tullat, zoti Kryeministër!? Ç’ke që bën fajtor biznesin për korrupsionin me lejet e kaosin ndërtimor!? Hiç, thuajse asnjë faj nuk kanë ndërtuesit, por vetëm politika, administrata e korruptuar dhe e paaftë publike që kemi i kanë të gjitha fajet, pse kemi ndërtuar keq e pse lejet e ndërtimit shitën me para. Ndaj, do të thoja: më ngadalë zoti Kryeministër, sepse jo vetëm mandati, por as jeta jote nuk do të dalin që të bësh reformat që i duhen vëndit. Por, e rëndësishme është që çfarë bëhet, të bëhet mirë, të bëhet në kohën e vet dhe pa drama të tjera sociale.

SHKARKO APP