Reformë po, eksperiment jo!
Nga Lorenc Vangjeli
Shpesh, ujin e ndotur e duan më shumë se vetë foshnjën. Këtë e bën ose padija, ose ligësia. Shpesh nguti është më i rëndësishëm se finishi. Dhe këtë e bën ose ligësia, ose llogaria e ligë. Për të dhënë një shembull, nguti shqiptar për të gjetur armiq kudo e ngado është histori e vjetër dhe e përsëritur shqiptare. Është si një nevojë që duhet kryer me ngut. Edhe këtij dhjetori, sipas radhës së zakontë, nuk ka përjashtim. Kësaj here është kthyer në sport kombëtar nevoja për t’u vënë emër armiqve të reformës në drejtësi. Sa më të shumtë të jenë armiqtë, aq më të fortë i bie të jenë për aritmetikë politike, miqtë e saj. Sa më të ashpër regresistët, aq më të ndritur progresistët. Sa më e egër beteja, aq më të lavdishëm fitimtarët. Sepse ende nuk ka bërë dot histori në Shqipëri, nevoja urgjente kombëtare për të mos pasur fitues e humbës, për të mos shpallur të fituar e të humbur, por për të garantuar sukses për të gjithë. Duke nisur me publikun dhe duke përfunduar me ata që përfaqësojnë politikisht publikun. Në gjuhë evropiane, kjo do të quhej gjithëpërfshirje sa më e madhe e mundshme, por evropianishtja ende nuk flitet qartë e mirë në Tiranë. Për të thënë një të vërtetë të thjeshtë: po reformës në drejtësi, jo eksperimenteve me reformën në drejtësi.
Historia me identifikim armiqsh të reformës në drejtësi, ngatërrohet e keqkuptohet nga shumë rrethana. Ka vend e gisht në të edhe vështrimi sipërfaqësor i gjërave, edhe mosnjohja e gjërave, edhe entuziazmi i vrapit drejt ndryshimit të gjërave; e megjithatë, të gjitha së bashku këto, nuk janë ndonjë mëkat i madh në vetvete. Ashtu siç nuk është ndonjë gabim i rëndë rendja shpesh e pavend dhe e paudhë për të gjetur emra të përveçëm dhe për të vënë gishtin “tek pullë” të akuzës tek armiqtë e reformës dhe “duart çift të duartrokitjes” për miqtë e saj. Edhe pse kjo teknologji e sprovuar tashmë, e kthen gjithë debatin në pjesë të lojërave të vogla të ditës, të thashethemeve me kostum e kravatë dhe historive lokale me të mirë dhe të këqinj.
Deri këtu nuk prish ndonjë punë të madhe edhe pse kjo është mënyra e zakonshme e kryerjes së punëve në Shqipëri. Sidomos në politikë. E cila zgjedh të hyjë me kostum bojaxhiu në farmaci dhe të lyejë muret e zhgarravitur të shtetit me përparëse të bardhë farmacisti. Mure që në fakt janë zhgarravitur me kohë nga pasione gjithashtu individuale.
Mëkati real është kur një proces e akt kaq të rëndësishëm e madhor si reforma në drejtësi, dikush dhe shumëkush, dikush nga halli e të tjerë nga malli, kush sepse aq di dhe kush sepse e di keq, tentojnë ta përdorin për interesa të vogla e më shumë se meskine të ditës. Nuk ka dyshime se reforma në drejtësi ka armiqtë e saj. Ka shumë individë që do të preken prej saj, së paku kështu shpresohet. Ka shumë individë që do të humbasin Eldoradon e tyre, minierën që ju prodhon luks e pushtet të pakontrolluar. Ka shumë tregtarë me toga të zeza që e kanë shndërruar drejtësinë në një lloj virgjërie që i paguhet hypësit më të parë. Ka shumë individë që e prokurojnë dhe e tenderojnë drejtësinë si mall duke e dhënë aty ku paguhet më shumë. Ka dhe shumë individë të tjerë që janë thjesht të paaftë. Ashtu siç ka shumë individë në politikë që drejtësisë së shtrembër i kanë diktuar dhe i kanë parë hajrin për shkak të procedurës dhe që për shkak të procedurave kanë krijuar kultin dhe klimën e pandëshkueshmërisë së politikës. Ose në të kundërt dhe po kaq keq, e kanë kthyer në mjet të ndëshkimit politik.
Megjithatë, nëse shihet vetëm me këtë sy, atëherë nuk është kuptuar ose është keqkuptuar me dashje synimi real i reformës. Ajo nuk është histori individësh që ikin si të këqinj dhe individësh të tjerë që shpresohet të vijnë si më të mirë. Qoftë si juristë që e provojnë, qoftë si politikanë që e promovojnë. “Është çështje e sistemit që korrupton”, thoshte dje Rama opozitar dhe natyrisht kjo është ende bindja e kryeministrit edhe si pushtetar.
Çdo tentativë për ta parë reformën si eksperiment është armiku real i saj: “reformë po, eksperiment jo”! duhet të jenë slogani i kësaj shumice që e ka premtuar ndryshimin dhe e ka jetike këtë ndryshim për veten e saj dhe për gjithë vendin. Evolucion, por jo revolucion i tipit të dhunës, yshtur nga dhuna dhe frymëzuar nga dhuna thjesht dhe vetëm mbi individë që janë pjesë e sistemit, korruptuar prej sistemit dhe denatyrues të gjithë sistemit.
Në fakt ka ndodhur njëherë dikur në Shqipëri. Në vitet 1992-1993, në ngutin për të larguar nga sistemi gjithë juristët e trashëguar nga sistemi komunist, gjykatës, prokurorë e të tjerë ai ata, u shpikën “juristët e plepave”. Edhe atëherë u shpall si emergjencë dhe urgjencë kombëtare, në emër të antikomunizmit, një akt i tillë që shumë shpejt u kuptua dhe sot është tërësisht e vërtetuar, si një eksperiment vrastar për profesionalizmin e sistemit. Sepse u goditën individët dhe sistemi u ruajt si synim e qëllim. U godit komunizmi “juridik”, për t’u zëvendësuar me një jurisprudencë “demokratikase” e tërësisht të politizuar e personalizuar.
Ky ishte një nga shkaqet kryesore të helmit të djeshëm që edhe sot e helmon gjithë sistemin. Doktor Berisha, atëherë President i vendit, e shpërdoroi edhe mbështetjen e ambasadorit amerikan të kohës, Rajerson, i cili sot, nëse do ta dinte se çfarë pasoje kishte lënë “ndërhyrja” e tij, natyrisht nuk do të ishte i kënaqur. Edhe pse me siguri nuk kishte qenë qëllimgabuar, edhe pse me gjasë atëherë, edhe Berisha nuk ishte qëllimkeq.
As diplomatët e kohës, me siguri, nuk do të ishin të kënaqur sot, me mbështetjen cinike që ju dhanë ndryshimeve të kushtetutës në vitin 2008 kur shqiptarët provuan në kurriz pasojat e tyre. Edhe ai ishte eksperiment. Çfarë ishte ngut atëherë, duhet të jetë mësim sot.
Kurrë më parë, as në 1992-in, as në 1997-ën, as në 2005-ën apo në 2013-ën, në Shqipëri nuk është kuptuar një aksiomë e thjeshtë: pushteti më i fortë është ai që pjestohet dhe jo ai që shumëzohet. Që është më i qëndrueshëm pushteti që kontrollohet dhe balancohet se pushteti që përqëndrohet. Këto duhet të jenë disa sinjale që vijnë nga e shkuara për të kuptuar të nesërmen tonë të përbashkët. Ndaj edhe sot, reforma në drejtësi nuk duhet të ketë pamjen e revolucionit juridiko-kulturor të plepave të djeshëm. Ajo nuk duron dot as protagonizmin absurd dhe antidemokratik, as arrogancën dhe as injorancën që prodhohet shpesh nga përzjerja e frikshme mes protagonizmit, arrogancës dhe interesit meskin të ditës. Sidomos kur ndërhyn politika. Një kuzhinier i keq që në Shqipëri ka prodhuar kryesisht dështim e zhgënjim. Dhëntë Zoti të mos jetë ky rasti sepse është kryemëkat që të humbë një shans tërësisht i artë për të ndryshuar e reformuar sistemin e drejtësisë, në kushtet e një konsensusi të jashtëzakonshëm të publikut, në kushtet e një nevoje urgjente të publikut për ndryshim e reformim, në kushtet e mbështetjes maksimale ndërkombëtare, nga SHBA, BE dhe ekspertët më të mirë vendas e ata ndërkombëtare. E sidomos, nga këshillimi i çmuar i Komisionit të Venecias. Është lajm i mirë që shumica e partive kryesore në vend përshëndetën rekomandimet e Komisionit të Venecias. Kjo është një mundësi e shkëlqyer për të bërë realitet atë çfarë presin shumica dërmuese e qytetarëve shqiptarë. Është një rast i artë që në sistem të ndërhyhet me profesionalizëm dhe pa llogari politike, me transparencë dhe jo llogari të errta; është një rast që reforma të japë një produkt të parashikueshëm dhe të zbatueshëm, që të jetë mjet për përmirësim e shërim dhe jo qëllim në vetvete.
Ka një shans për të mos humbur shansin: kuzhina politike vendase të shuaj zjarrin e pasionit të saj ditor. Dhëntë Zoti ta bëjë! Dhe duket se do ta bëjë. Me hir apo pahir! (Java)