Reformimi i shkollës

Në se marrim lendën e gjuhës shqipe, vihet re një ulje e orëve për temat e gjuhës dhe rritje të orëve të teksteve të llojeve të ndryshme-teorike, që nuk i shërbejnë sa e si duhet nxënësit. Kështu, në klasën e 8-të, nga 175 orë mësimi, njohuri rreth sistemit gjuhësor, kemi 42 orë ose 24% të orëve, ose në klasën e 9-të, nga 175 orë vjetore kemi vetëm 52 orë

Nga Fran Gjoka

Sistemi ynë arsimor i është nënshtruar një reforme të thellë në shumë drejtime, të cilat disa prej tyre janë parë në përparësi, por ecuria në disa drejtime ka lënë për të dëshiruar. Vërtetë u punua në drejtim të përmirësimit të punës me tekstet alternative, por të jemi realist, kjo reformë nuk u çua deri në fund. E themi këtë, sepse pati shumë diskutime, shumë probleme, opinione dhe mendime pro dhe kundër.
Si një mësues dhe specialist me një përvojë pune në arsim rreth 40-vjeçare, mendoj se jam një ndër ata që e di se ku mund të ketë probleme, apo ku duhet përmirësuar puna në këtë drejtim. Që në fillim po e them se tekstet që pëdoren në shkollat tona, përgjithësisht në të gjitha nivelet, janë të mbingarkuara me koncepte shkencore. Mund të them se muri i koncepteve të reja që mund të shpjegojë mësuesi në një temë të re në çdo lendë, nuk përputhet me kapacitetin apo moshën e nxënësit. Kjo ndodh jo vetëm në ciklin e ulët të shkollës 9-vjeçare, por edhe në ciklin e lartë të saj. U fol shumë për ndarjen e letërsisë nga gjuha shqipe, por asgjë nuk u bë. Duhet ditur se gjuha shqipe, gjuha e nënës, është një nga lendët më kryesore që zhvillohet në shkollat tona, prandaj asaj duhet t’i kushtohet vendi dhe koha e duhur në programet tona mësimore. Bashkimi i saj me letërsinë vite më parë, solli efekte negative për shkollën tonë, sepse shkurtoi numrin e temave në këtë lendë, uli numrin e orëve, zbehu seriozitetin e nxënësve për ta përvetësuar këtë lendë dhe si rezultat, shkollat tona nxorën nxënës me nivel jo të kënaqshëm gjuhësor dhe për më tej edhe letrar. Prandaj konceptet gjuhësore të nxënësve tanë, përfshi të gjitha nivelet e shkollimit, nuk janë premtuese dhe dobësitë kryesore janë edhe në shkrim.
Duhet kuptuar nocioni reformë, sepse reformë nuk do të thotë të marrësh praktika botërore të hartimit të programeve apo teksteve të lendëve të ndryshme dhe t’ja atashosh programit tonë arsimor, reforma në sistemin tonë duhet bërë në përputhje me standardet e zhvillimit, infrastrukturës dhe përgatitjes. Ky fenomen është i dëmshëm dhe në fakt i parealizueshëm, sepse në shkollat tona mungon kuadri, mungon infrastruktura dhe logjistika për të zhvilluar mësim normal në lendë të ndryshme mësimore, sidomos ato të shkencave të natyrës.
Po përmend këtu disa lëndë, që mendoj se kanë koncepte të paarritshme për nxënësit. Vetë praktika jonë pedagogjike ka treguar se në këto lëndë nxënësit kanë shfaqur dobësi të trashëguara nga viti në vit. Të tilla lëndë mendoj se janë: Kimia 8, kimia 9, fizika 8, fizika 9, biologjia 9, matematika 8, matematika 9, historia 8, historia 9, gjeografia 7, 8, 9, të cilat kanë material mësimor të mbingarkuar dhe koncepte të shumta mësimore, që shkaktojnë mbingarkesë tek nxënësit. Këto tekste duhen riparë dhe duhen hartuar në përputhje me veçoritë psiko-pedagogjike të nxënësve me moshën e tyre, nivelin social, për të mos folur për veçoritë e ndërtimit të klasave, sidomos në fshat, klasat kolektive. Kur hartohet një tekst, veç programit, duhen marrë parasysh shumë faktorë që ai të jetë sa më i zbatueshëm në shkollat tona. Në se marrim lëndën e kimisë në ciklin e lartë, ka nocione kimike të pakonceptueshme për nxënësin, terma të vështira, shpesh të paqarta, çështje shkencore të pashpjeguara mirë.Në kushtet e shkollave tona, ku mungojnë laboratorët e kësaj lënde, niveli i njohurive dhe koncepteve të përvetësuara nga nxënësit do të jetë minimal. Kështu mund të thuhen edhe për lendë të tjera të shkencave të natyrës, si fizika ose biologjia dhe matematika. Pikërisht këtu duhet të përqëndrohet së pari reforma arsimore, sepse duhet të përmirësojmë gjendjen atje ku ka nevojë shkolla jonë e dalë nga praktikat mësimore të pedagogjisë lindore.
Në se marrim lendën e gjuhës shqipe, vihet re një ulje e orëve për temat e gjuhës dhe rritje të orëve të teksteve të llojeve të ndryshme-teorike, që nuk i shërbejnë sa e si duhet nxënësit. Kështu, në klasën e 8-të, nga 175 orë mësimi, njohuri rreth sistemit gjuhësor, kemi 42 orë ose 24% të orëve, ose në klasën e 9-të, nga 175 orë vjetore kemi vetëm 52 orë njohuri gjuhësore sipas programit ose rreth 30% të numrit të përgjithshëm të orëve. Ndryshe ndodh në klasën e VI-të, ku ndjehet një farë rritje, ku ky raport shkon 175 – 65 ose 37%, ose në klasën VII-të, 175-81 ose 46%. Këto shifra tregojnë se nuk është ruajtur një raport i drejtë mes njohurive gjuhësore dhe atyre letrare nga klasa në klasë. Si rezultat edhe dobësitë do të jenë gjithnjë evidente.
Një problem tepër i diskutuar në ditët e sotme mbetet edhe çështja e hartimit të teksteve mësimore. Ka ndodhur që këta tekste të hartohen edhe nga autorë inkopententë, vetëm për të siguruar ca të ardhura më shumë. Fjala bie, tekstet e arsimit parauniversitare nuk mund t’i hartojë një autor që nuk njeh gjendjen në këtë cikël, problemet psikologjike të kësaj moshe, efektet e ngarkesës shkencore të tyre, mundësitë e përvetësimit të materialit mësimor, kushtet dhe rrethanat shoqërore dhe familjare, mundësitë ekonomike, raportin qytet-fshat etj. Mbi të gjitha, tekstet duhen hartuar nga mësuesit më të zgjedhur, që japin mësim në këto cikle ose të konsultohen me grupe interesi me bazë të gjerë të ngritura nga Ministria e Arsimit. Nga autorët që hartojnë tekstet tona mësimore për arsimin parauniversitar më rezulton se pak prej tyre kanë punuar, apo punojnë direkt në arsim. Duke qenë kështu, edhe tekstet nuk do te kenë efektivitetin e duhur të përvetësimit në shkollat tona. Për të mos folur pastaj për anomalitë që ndodhin në shtëpitë tona botuese, të cilat afrojnë grupe autorësh deri edhe të panjohur për të hartuar tekste dhe Ministria i miraton. Pse të mos ngrihet një grup pune në Ministrinë e Arsimit me specialistë kompetentë të fushave të ndryshme dhe të tërhiqen njerëzit më të aftë dhe krijues nga Tirana dhe rrethe të tjera për t’ua ngarkuar këtë detyrë. Çështja e teskteve nuk duhet të lihet në dorë të fatit, sepse kështu dëmtojnë rendë sistemin tonë arsimor dhe reformën e nisur me aq zell dhe deshirë. Tekstit mësimor i jep jetë një mësues i përgatitur metodikisht dhe shkencërisht. Armata e madhe e mësuesve punojnë me përkushtim për të përgatitur një brez të aftë për të konkuruar në tregun e punës, por duhet pranuar se edhe probleme ka. E themi këtë, sepse siç shihet dhe diskutohet, shkollat tona po përgatiten dhe nxjerrin mësues që nuk u përgjigjen sa e si duhet kërkesave shkencore dhe pedagogjike të shkollës sonë, aq më tepër të realizojnë reformë në këtë sistem arsimor. Mjafton të kujtojmë provimin e fundit të kualifikimit, ku 40% e mësuesve që mbronin 5-vjeçarin rezultuan mbetës. Kjo shifër nuk ka nevojë për koment, ajo flet vetë. Puna e mësuesit është sa fisnike, aq e vështirë. Mësuesi duhet të jetë i përgatitur, të njihet me të rejat, të lexojë sa më shumë literaturë profesionale, të thithë sa më shpejt përvojën e më të mirëve, të komunikojë mbi bazën e kodit të etikës me kolegët dhe nxënësit etj. Puna e mësuesit bëhet me dëshirë, me vullnet, me përkushtim, jo me zor, sa për të marrë pagën. Duhet të kuptojmë se një mësues i paaftë do të nxjerrë nxënës të paaftë. Në se mësuesi nuk di të ndërtojë me nivel punën mësimore dhe edukative në shkollë, nga shkollat tona do të dalin nxënës me nivel të ulët. Faktet flasin vetë. Është detyrë e institucioneve arsimore të organizojnë kurse trajnimi për këtë kategori mësuesish që të arrihet diçka, ndryshe pasojat do të bien mbi nxënësin dhe faji si gjithmonë mbetet jetim. E them këtë, sepse kjo shifër është alarmante për kuadrin arsimor që ka filluar vitin e ri shkollor me forca, predispozicion dhe energji të reja. Shkolla jonë ka nevojë të reformohet, por duke patur parasysh praktikat e përparuara europjane me kushtet e zhvillimi të arsimit në vendin tonë.
Le të shpresojmë se puna e nisur do të vazhdohet në funksion të sistemit tonë arsimor, të punës mësimore, të nxënësit si objekt të mësimit dhe edukimit.

SHKARKO APP