Rehabilitohet moli i Parkun të Liqenit, shikoni si është transformuar

Në një kohe të shkurtër Parku i Liqenit Artificial është kthyer në një nga destinacionet më të preferuara për qytetarët e Tiranës, jo vetëm për të kaluar kohën e lirë, por edhe për të zhvilluar aktivitete të ndryshme sportive. Bashkia e Tiranës, me mbështetjen e Kryqit të Kuq Shqiptar, përfundoi rikualifikimin e molit të liqenit, një vepër kushtuar Henry Dunant, themelues i kësaj organizate dhe fituesi i parë i çmimit Nobel. 

Në ceremoninë e organizuar me këtë rast, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj u shpreh se falë punës së bërë në këto dy vite e gjysmë, Parku i Liqenit është kthyer nga një hapësirë e uzurpuar dhe e mbushur me plehra, në një mjedis i frekuentueshëm nga të gjithë qytetarët.

“Ky liqen deri përpara dy vite e gjysmë ishte në listën e zezë, si një ndër zonat më të ndotura, jo vetëm të Tiranës dhe Shqipërisë, por gjithë Ballkanit. Një gropë e madhe septike, ku hidheshin ujërat e zeza dhe plehrat. Ne sapo kemi marrë flamurin e bardhë të dhënë nga Organizata Ndërkombëtare ‘White Flag’, që e ka çertifikuar tashmë si një liqen të pastër, ku shumë shpejt do të fillojmë edhe lojërat e ujit, edhe notin, për të rikthyer traditën e dikurshme, kur liqeni nuk ndotej dhe nuk shihej si prona e askujt, por si prona jonë e përbashkët, i bukur dhe i pastër”, tha Veliaj.

Moli ekzistues iu nënshtrua rikonstruksionit total dhe është pajisur me ndriçim për orët e mbrëmjes. “Nëse përveshim mëngët dhe me të njëjtin zell siç transformuam këtë hapësirë dhe gjithë mikrohapësirat rreth këtij liqeni, do të vijojmë të punojmë me Tiranën, atëherë ditët më të mira i kemi përpara”, siguroi Veliaj.

Kreu i Bashkisë theksoi se këto investime kanë gjeneruar një energji në të gjithë Tiranën, duke e transformuar qytetin tërësisht. “Kjo hapësirë këtu, në thelb është një gjilpërë e vogël në trupin e madh të Tiranës. Mjafton vetëm të shohim këtë hapësirë dhe kuptojmë se si mund ta transformojmë qytetin. Mjafton vetëm të bëjmë një xhiro në rrjetin e ri të biçikletave, të vrapit apo shtigjeve ku kanë filluar të ecin njerëzit, për të kuptuar se qyteti është produkt i këtyre ndërhyrjeve të vogla”, tha Veliaj, teksa u shprehu mirënjohjen vullnetarëve të Kryqt të Kuq, të cilët kanë dhënë një ndihmë të çmuar në mjaft nisma të Bashkisë së Tiranës.

Presidenti i Kryqit të Kuq, Ylli Alushi vlerësoi nismën e Bashkisë së Tiranës për rindërtimin e molit dhe vendosjen e bustit të Henry Dunant, duke e renditur Shqipërinë krah vendeve të botës së civilizuar që e respektojnë këtë figurë të rëndësishme. Pas liqenit të Tiranës, Bashkia e Tiranës ka filluar punën edhe për rikuperimin e liqenit të Farkës, që do të kthehet në një park të dytë për të gjithë qytetarët e Tiranës, të cilët mund të kalojnë çaste çlodhëse në natyrë.

SHKARKO APP