Rënia e normave në Eurozonë, ndikim në Shqipëri, Sejko: BSH do nxisë kredinë në monedhë vendase

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë Gent Sejko thotë se normat e ulëta të Eurozonës janë reflektuar edhe në ekonomi.

Sipas tij, kjo vjen për shkak të përdorimit të lartë të euros në vend.

Sejko thotë se burimi janë të ardhurat e emigrantëve, tregtia dhe investimet që kreditohen nga bankat.

“Së pari, ato kanë vështirësuar vlerësimin mbi kufirin e poshtëm të normës bazë të interesit në ekonomitë tona, apo pikën e ndarjes midis përdorimit të instrumenteve standarde dhe jo-standarde të politikës monetare. Së dyti, ato kanë ndryshuar kthimet relative midis instrumenteve financiare të denominuara në monedhë vendase e të huaj, duke krijuar kështu si mundësi ashtu edhe sfida në përpjekjen për të kufizuar nivelin e “euroizimit” në sistemet tona financiare. Së treti, ato kanë ulur fitimin prej investimit të mjeteve tona të rezervës valutore, duke prodhuar madje, në disa raste edhe norma negative kthimi. Ky rezultat bëhet edhe më i rëndësishëm kur, në ndryshim nga vende të tjera, hapësira për të diversifikuar rezervën në më shumë monedha të huaja është më e vogël. Ky aspekt na përballi me deformime dhe sfida konkrete për sistemin tonë të rezervës së detyruar, sidomos sa i takon modaliteteve të remunerimit të rezervës e detyruar”,- tha Sejko.

Për të mbrojtur çmimet dhe kredinë në euro, Banka e Shqipërisë pritet të nisë zbatimin e memorandumit për të minimizuar përdorimin e euros.

Kjo masë synon nxitjen e kredisë në monedhën vendase, sipas guvernatorit.

SHKARKO APP