Reshjet përmbytin Vaut e Dejës, Kryetari i Bashkisë, Kristian Shkreli: “Situata është alarmante, 100 banesa nën ujë”

Reshjet e dendura që kanë përfshirë veriun e vendit gjatë orëve të fundit kanë shkaktuar probleme serioze në territorin e Bashkisë Vau i Dejës, ku disa zona janë përfshirë nga përmbytjet.

Në një deklaratë për mediet, Kryetari i Bashkisë, Kristian Shkreli, bëri të ditur se rreth 100 banesa janë prekur nga prania e ujit, ndërsa dëmet më të mëdha janë regjistruar në sektorin blegtoral dhe bujqësor.

“Situata është mjaft e rëndë. Përroi i Glinës ka dalë nga shtrati dhe po shkakton përmbytje në gjithë qytetin e Vaut të Dejës. 100 shtëpi kanë prezencë uji dhe dëmet janë të konsiderueshme në bagëti, shpendë dhe në kosheret e bletëve. Shpresojmë që të mos rrezikohet jeta e qytetarëve,” – deklaroi Shkreli.

Swiss Digital Desktop Reklama

Sipas tij, përroi i Glinës mbetet një nga pikat më problematike, duke shkaktuar përmbytje të përsëritura sa herë që reshjet arrijnë intensitet të lartë. Ai shtoi se strukturat vendore, shërbimet zjarrfikëse dhe ekipet e emergjencës civile janë në gatishmëri të plotë dhe po punojnë në terren për të ndihmuar banorët dhe për të shmangur evakuimet e mundshme.

Swiss Digital Mobile Reklama

Autoritetet kanë bërë apel që qytetarët të tregojnë kujdes dhe të shmangin lëvizjet e panevojshme në zonat e përmbytura, ndërkohë që po monitorohet nga afër niveli i ujërave dhe prurjet e lumenjve që kalojnë në territorin e bashkisë.

Burime pranë emergjencave civile bëjnë të ditur se në disa zona rurale qarkullimi është i vështirë, ndërsa disa sipërfaqe tokash bujqësore janë nën ujë.

Kryetari Shkreli nënvizoi se bashkia po bashkëpunon ngushtë me Prefekturën e Shkodrës dhe strukturat e Mbrojtjes Civile, për të koordinuar veprimet në rast se reshjet do të vijojnë me të njëjtin intensitet edhe në orët në vijim.

“Ne jemi në terren, pranë çdo familjeje të prekur. Po bëjmë maksimumin që dëmet të minimizohen dhe që asnjë qytetar të mos mbetet pa ndihmë,” – tha më tej Shkreli.

Sipas parashikimeve të sinoptikanëve, reshjet e dendura pritet të vijojnë edhe gjatë natës, duke mbajtur në gadishmëri të plotë të gjitha strukturat e emergjencës në qarkun e Shkodrës.

AV/KJ

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A e liron Gjykata Kushtetuese nga burgu, Erion Veliajn?