Reshjet shkatërruese në Çerven, banorët presin pastrimin e kanaleve kullues
Edhe pse lumi Vjosë ka filluar të tërhiqet në shtratin e tij, rreth 80 hektarë tokë bujqësore në fshatin Çerven, në bashkinë e Fierit, vazhdojnë të jenë të përmbytura. Banorët e zonës shprehen të indinjuar, duke theksuar se të gjitha tokat e kultivuara me grurë, jonxhë, lakër, presh, spinaq dhe edhe ullinj janë të përmbytura. Ata tregojnë se këto toka i disponojnë në bazë të ligjit 7501, edhe pse janë toka lumore, paguajnë taksa, por nuk kanë marrë asnjë dëmshpërblim.
Banorët vënë në dukje se argjinatura e ndërtuar pas vitit 2017 ka mbrojtur banesat nga përmbytjet, por mospastrimi i kanaleve kullues ka bërë që uji të bllokohet, duke lënë tokat buzë lumit të përmbytura për një kohë të gjatë. “E kemi të pamundur të shkojmë në toka,” thonë ata, ndërsa kërkojnë ndërhyrjen urgjente të bashkisë me mjete për pastrimin e kanaleve dhe largimin e ujit.
Ende asnjë komision zyrtar nuk ka dalë në terren për të verifikuar dëmet, ndërkohë që banorët nuk shpresojnë në dëmshpërblime. Situata po krijon shqetësim të madh për fermerët, të cilët rrezikojnë të humbasin prodhimet e këtij viti, ndërsa presin ndërhyrjen e institucioneve për të parandaluar dëme edhe më të mëdha.
KOHA JONË SONDAZH

