Rexhep Qosja kujton Nanon: Ndërtoi lirinë e shtetit përmes arsyes socialiste dhe demokratike
Akademiku dhe shkrimtari i njohur Rexhep Qosja ka reaguar pas lajmit për ndarjen nga jeta të ish-kryeministrit shqiptar Fatos Nano, duke e cilësuar atë si një figurë të gjithanshme të politikës dhe kulturës shqiptare.
Në reagimin e tij, Qosja shprehet se lajmi për vdekjen e Nanos i ka sjellë “një trishtim të heshtur”, por edhe kujtimin e një kohe që shënoi zhvillimin e shtetit shqiptar drejt vetëdijes së tij politike.
“Fatos Nano ishte një nga figurat më të gjithanshme të jetës publike shqiptare — politikan me kulturë të gjerë, polemist me mendim të vendosur që nuk i fshihte as pasionin, as kontradiktat e veta,”, ka shkruar Qosja në Facebook.
Ai vlerëson se Nano do të kujtohet si njeriu që përpiqej të krijonte një raport të ri midis socializmit dhe demokracisë, traditës dhe modernitetit, dhe njeriut të lirë dhe shtetit të përgjegjshëm.
“Sot, me largimin e tij, mbyllet një kapitull i gjithanshëm e i gjatë i shndërrimeve në jetën tonë historike – i njerëzve që e nisën politikën si mision,” – ka shkruar Qosja.
Qosja shton se Fatos Nano do të mbetet “shëmbëlltyra e një kohe” ku përpiqej të ndërtonte lirinë e shtetit përmes arsyes socialiste, demokratike dhe gjithëkombëtare.
Ish-kryeministri i Shqipërisë, Fatos Nano është ndarë nga jeta të premten në moshën 73-vjeçare, raporton KosovaPress.
Prej disa kohësh ai ndodhej në reanimacion në një prej spitale private të vendit ku po mbahej nën kujdesin e mjekëve, teksa gjendja shëndetësore u rëndua gjatë ditëve të fundit.
Nano ka pësuar një arrest kardiak, ndërkohë që më herët është kuruar edhe për probleme me frymëmarrjen.
/Kosovapress/
KOHA JONË SONDAZH

