Riatdhesohen 50 shqiptarë nga Franca – Voda: Nuk mund të përfitoni azil në vendet e BE-së!
Rreth 50 shtetas shqiptarë janë riatdhesuar gjatë 24 orëve të fundit në aeroportin “Nënë Tereza”, duke shkelur rregullat e lëvizjes në zonën “Shengen” si dhe për refuzim kërkese për azil në Francë.
Zv.ministrja e Brendshme, Rovena Voda është shprehur në një deklaratë për mediat se qytetarët shqiptarë nuk mund të përfitojnë azil në vendet e BE-së, për shkak se Shqipëria konsiderohet një vend i sigurt.
“Unë dëshiroj të kujtoj që Shqipëria është një vend i sigurt, pra është në listën e vendeve të sigurta dhe qytetarët shqiptarë nuk mund të përfitojnë azil në vendet e BE-së.”
Ndërkohë, Voda ka shtuar më tej se Ministria e Brendshme po bashkëpunon me ministritë homologe franceze dhe të vendeve të tjera për rishikimin dhe shkurtimin e kohës procedurave të azilit.
“Ministria e Brendshme e Shqipërisë është duke komunikuar me Ministritë homologe të vendeve si Franca apo vende të tjera, për të rishikuar procedurat e dhënies së azilit në këto vende, me qëllim shkurtimin e kohës së procedurave, por edhe mënyrën se si do të trajtohen shtetasit shqiptarë, që vijnë nga një vend i sigurt. Kështu që udhëtimi në këto vende me qëllimin për të kërkuar azil, jo vetëm që është një kosto e madhe për qytetarët shqiptarë, por është një hap i gabuar, është një hap që kushton dhe jo vetëm shpenzon, por do t’i kufizojë këta shtetas edhe në udhëtime të tjera drejt vendeve të BE-së”, u shpreh zv.ministrja Voda.