Rinegociimi i Asosacionit do të jetë thjesht make-up

Placeholder Image

 

Nga Ben Andoni

Mund t’ia kursenin jetës shoqërore-politike të Kosovës gjithë këto muaj tollovi të gjitha palët politike në Prishtinë nëse do të prisnin konform logjikës vendimin e Gjykatës Kushtetuese, sa i përket formimit të Asosacionit. Por, ashtu si ndodh me shqiptarët e këtej dhe andej kufirit, ka fituar gjykimi instiktiv, befasia dhe destruktiviteti, kurse ata që nxisnin turmën ia kanë dalë me shumë kujdes, për të përçuar realisht në terren të gjithë tollovinë e krijuar.

Në fakt, ishte shumë e pritshme që Kushtetuesja të mos ishte si qeveria kosovare mospërfillëse ndaj plot 205.254 nënshkrimeve të kosovarëve, që mblodhi me shumë të drejtë Opozita. Nga ana tjetër, pa pritur vendimin institucional, palët janë konfliktuar duke e lënë parlamentin kosovar plot 4 muaj kaotik: duke përjashtuar opozitën; këta të fundit duke hedhur gaz lotsjellës në parlament; arrestime; masa për 13 deputetë; dhjetëra e dhjetëra aktivistë të arrestuar, keqtrajtuar; policë dhe qytetarë të plagosur etj.

Kokëfortësia e qeverisë dhe zëri kundërshtues i opozitës kosovare krijoi në terren një turmë të tërë destruktive, ku nxitësit ishin edhe bërthama e turmës, sipas tezës së Canneti-t.

Sikur të mos kish ndodhur gjë, ata që e nënvleftësuan zërin e Kushtetueses, në orët e fundit, e kanë lavdëruar vendimin e saj që vendosi se disa pika të Asosiacionit të komunave me shumicë serbe nuk janë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës.

Politikanët kosovarë në vend të bënin dhe vetë një mea culpa për të gjithë këtë energji të kotë, thjesht na kanë treguar një tipar kombëtar që lidhet me gjykimin me pasion e të vrulltë, në vend të arsyes. “Shihen popuj edukata fillestare e të cilëve ka qenë aq e gabuar dhe karakteri i të cilëve paraqet një përzierje aq të çuditshme pasionesh, paditurie, dhe nocionesh të gabuara saqë ata vetë nuk do të mund të kuptonin shkakun e mjerimit të tyre; ata e pësojnë nga të këqijat të cilat nuk i njohin”, shkruan Alexis de Tockevile, në një citat që mund t’i shkonte Kosovës.

Gjithsesi tani fillon realisht puna për Asosacionin, pasi ndalimi i përkohshëm do të thotë se ajo do të rinegociohet. Dhe, paçka se edhe Kushtetuesja e pa se krijimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe, në atë formë, nuk duket në harmoni me idenë e një shteti multietnik, sërish faktori ndërkombëtar që është dominues në Kosovë do të punojë të ndihë Qeverinë e tashme të Kosovës që t’ia dalë ngërçit, por edhe duke i bindur serbët, nga ana tjetër, se me ndryshimet që do bëhen të mos shqetësohen se nuk do lëvizë asgjë, përveç se Asosiacioni do të bëhet i pranueshëm juridikisht për Gjykatën Kushtetuese të Kosovës. Mbase këtu duhet të fillojë vërtet përpjekja në parlament e Kosovës dhe shqiptarët e politikës, që individualizmi destruktiv po i bën aq të pabesueshëm si pushtetarë të vendit të tyre.

Kjo sepse duket se rishikimi i Asosiacionit më shumë duket si make-up sesa një rishikim thelbësor i tij, që Kosova të mos bëhet një Bosnjë e dytë. (Java)

SHKARKO APP