“Ringjallet” ndërtimi, shtimi i lejeve mbi 200%
Pas një zbehje të dukshme gjatë kohëve të fundit, sektori i ndërtimit pritet të ketë një “ringjallje” të tij teksa pushteti vendor duket se e ka lëshuar dorën për dhënien e lejeve përkatëse. Një dukuri të tillë e konfirmojnë të dhënat më të fundit të publikuara nga Instituti i Statistikave (INSTAT), sipas të cilave vetëm në tremujorin e tretë të vitit, janë dhënë në total 122 leje, nga 39 leje në tremujorin e mëparshëm, duke shënuar një rritje të lartë në nivelin deri 213%. Konkretisht, janë gjashtë qytete që kanë marrë leje ndërtimi në tremujorin e tretë të këtij viti, sipas të dhënave të referuara nga INSTAT-i. Respektivisht, Vlora, Tirana, Shkodra, Fieri, Durrësi e Elbasani kanë dhënë gjithsej 122 leje ndërtimi, sipërfaqja e të cilave rezulton të jetë në total prej 584.814 metrash katrorë. Sakaq, nëse e krahasojmë me të njëjtën periudhë të një viti më parë, rezulton se numri gjithsej i lejeve të ndërtimit të miratuara në tremujorin e tretë 2014 u rrit me 34 të tilla. Ku rekordin e mban Vlora, me 43 leje; e ndjekur nga Tirana me 38 leje dhe Shkodra dhe Fieri me nga 15 leje secili, kurse në Elbasan janë dhënë 6 leje dhe në Durrës 5 të tilla. Nga ana tjetër, në nivel përqindjeje, Instituti i Sttatistikave konfirmon se gjatë këtij tremujori, numri i lejeve të ndërtimit të miratuara për ndërtesa të reja është përqendruar në qarqet Vlorë me nivelin prej 35.2%, Tiranë me 31.1%, Fier dhe Shkodër me nga 12.3% secila. Kurse sa i përket llojit përse janë akorduar lejet, INSTAT-i ka konfirmuar se ato të miratuara për ndërtesa rezidente, (ku përfshihen ndërtesat për banim) zënë 80.3% të numrit gjithsej të lejeve dhe ato për ndërtesat jo rezidente (ku përfshihen ndërtesat për hotele, tregtare, industriale dhe të tjera) zënë 19.7%. Teksa dhënia e lejeve ka rigjallëruar dhe ndërtimin në tremujorin e tretë, ku INSTAT raportoi se shifra e afarizimit për këtë sektor u rrit me 13.3%, tremujori i parë me rritje, pas rënies në pesë tremujorë radhazi. Por gjithsesi, tremujori i katërt pritet të shënojë sërish rënie, pas vendimit të bllokimit të lejeve të ndërtimit në fund të gushtit 2014.
VENDIMI
Këshilli Kombëtar i Territorit:
Asnjë leje para zgjedhjeve 2015
Gjatë fjalës së tij, në Këshillin Kombëtare të Territorit në fund të muajit gusht, kryeministri Edi Rama tha se KKT-ja do të pezullojë dhëniet e lejeve të reja zhvillimore nga autoritetet vendore deri zgjedhjet e 2015. “Do të pezullohet dhënia e lejeve të reja zhvillimore dhe do të pezullohen planet e detajuara vendore nga të gjitha autoritet vendore deri në konstituimin e organeve përfaqësuese dhe ekzekutive të qeverisjes vendore në zgjedhjet e 2015”. Sipas, Ramës, vendorët do të kenë të drejtë të japin leje vetëm në rastet kur kanë të bëjnë drejtpërdrejtë me turizimin, industrinë, bujqësinë por jo ndërtime. Kryeministri tha gjithashtu se vendorët “do të japin leje për raste përjashtimore dhe në funksion të interesit publik kombëtar dhe interesit për të zhvilluar në këtë vend veprimtari prodhuese jo për të uzurpuar çfarë ka mbetur nëpër qytetet e bëra copë e cikë për të ngritur pallate, por për t’i hapur rrugë zhvillimit që ka të bëjë drejtpërdrejtë me turizimin, industrinë, bujqësinë dhe krijimit të vendeve të punës dhe jo me rritjen e një stoku të apartamenteve që edhe sot janë të pashitura”.