Ristrukturimi i qeverisë/ Ç’do ndodhë me 12 agjenci, nga kompensimi i pronave te Hipotekat dhe legalizimet
Çështja e pronave është një nga shqetësimet kryesore që kryeministri Rama dhe deputetët e PS-së kanë marrë gjatë dëgjesave publike. Për këtë arsye, drejtorët e ZRPP-së ishin të parët, të cilëve Rama u kërkoi publikisht të jepnin dorëheqjen, për shkak të zvarritjes që u kanë shkaktuar mijëra qytetarëve, shkruan “Panorama”.
Kryeministri, pas fitores në zgjedhje, paralajmëroi se do të ketë një ristrukturim të institucioneve që merren me çështjet e pronës, ndërkohë që ngarkoi një grup pune për rishikimin e strukturës së institucioneve dhe agjencive ekzistuese në vend. Pas analizimit të 500 institucioneve, grupi i punës së PS propozoi që nga 141 agjenci ekzistuese, të ngelen vetëm 104 të tilla. Pjesë e agjencive dhe drejtorive që është kërkuar të shkrihen janë edhe disa prej atyre që merren me çështjen e pronave. Ish-zv.Kryeministri Niko Peleshi deklaroi se për çështjen e pronave është e nevojshme një ndërhyrje radikale.
PROBLEMATIKA
Në analizën e bërë nga grupi i punës theksohet se Shqipëria nuk ka pasur asnjëherë një regjistër kadastral të pasurive dhe kjo, e ka bërë pasurinë e patundshme të jetë një objekt tjetërsimesh të paligjshme. Një nga arsyet kryesore përse çështjet e pronave kanë pësuar zvarritje, sipas Peleshit dhe grupit të punës në PS, ka qenë fragmentarizmi institucional. Kështu, vihet theksi te fakti se disa procese, të cilat janë tranzitore, siç janë për shembull legalizimi apo kompensimi i pronave, të cilat duhet të zgjasnin dy deri në katër vjet, janë zgjatur 25 vjet apo procese të tjera, siç është kthimi dhe kompensimi i pronës, i cili nuk ka mbaruar ende.
PROPOZIMI
Agjencia e Titujve të Pronësisë pritet të jetë institucioni kryesor që do të merret me çështjen e pronave në Shqipëri. Përmes dy opsioneve, grupi i punës i ka paraqitur Kryeministrit mënyrën se si mund të zgjidhë ngërçin institucional për çështjen e pronës.
Opsioni i parë: Agjencia të mbledhë “nën një çati”: ALUIZNI, ATP, AIITP, AMTP, ndërkohë që në opsionin e dytë, Agjencia lë jashtë ATP. Ish-zv.Kryeministri Niko Peleshi dhe grupi i punës që u caktua për rishikimin e strukturës së institucioneve dhe agjencive ekzistuese në vend, propozojnë një trajtim më integral të pronës.
Duke renditur 12 institucione që merren aktualisht me dhënien e titujve të pronësisë, grupi i punës evidenton faktin që secila prej agjencive, i lëshon këto tituj në bazë të hartave të veta. Kështu, përmes një strukture të re që pritet të krijohet, qeveria do të synojë përfundimin e një regjistri fillestar, sistematik, kombëtar të pronës së paluajtshme.
Gjithashtu, qeveria, në bazë të rekomandimeve të marra, pritet të ndërtojë një regjistër elektronik të pasurive të paluajtshme për pronat në fshat, për regjistrimin e pasurive pas vitit 1991, si dhe ndërtimin e një sistemi dixhitalizimi të pasurive të paluajtshme, përfshirë hartografinë sipas standardeve europiane.
OBJEKTIVAT E QEVERISË PËR ÇËSHTJEN E PRONAVE
Përfundimi i regjistrimit fillestar sistematik, kombëtar për pasuritë e paluajtshme
Krijimi i regjistrit elektronik të pasurive të paluajtshme
Përfundimi i proceseve tranzitore të nivelit kombëtar:
Legalizimi i ndërtimeve informale
Trajtimi i pronës nëpërmjet njohjes dhe kompensimit të subjekteve
Verifikimi i titujve të pronësisë në fshat
Lëshimi dhe regjistrimi i akteve të marrjes së tokës në pronësi
Kalimi i pronësisë për pasuritë e paluajtshme, të ndërtuara para 10.8.1991
Kalimi i pronësisë së oborreve në përdorim
Dixhitalizimi i sistemeve të pasurive të paluajtshme, përfshirë hartografinë, sipas standardeve ndërkombëtare
Krijimi i Agjencisë së Titujve të Pronësisë
a) Opsioni 1: Agjencia mbledh nën një çati ALUIZNI, ATP, AIITP, AMTP.
b) Opsioni 2: Agjencia lë jashtë ATP
JAPIN TITUJ PRONËSIE
1. ALUIZNI (Ministria e Zhvillimit Urban)
) 2. ZRPP (Ministria e Drejtësisë)
3. ASIG (Ministria e Shtetit për Inovacionin)
4. ATP (Ministria e Drejtësisë)
5. AMTP (Ministria e Bujqësisë)
6. Administri i Pronës Shtetërore (Ministria e Ekonomisë)
7. EKB (Ministria e Zhvillimit Urban)
8. Oborret dhe shtëpitë prej ’91 (Njësitë vendore)
9. AITP (Ministria e Punëve të Brendshme)
10. Drejtoria e Pronës Publike (Ministria e Financave)
/panorama