FIFA World Cup 2026 11 Qershor - 19 Korrik 2026
00 ditë
00 orë
00 minuta
00 sekonda

Rivitalizimi i Kalasë së Elbasanit, kryebashkiaku Llatja: Kalaja është magneti i turizmit dhe prioritet i Bashkisë

Nis dëgjesa e parë publike me banorët dhe bizneset e lagjes Kala, duke shënuar fillimin e konsultimit publik për projektin e madh të rivitalizimit të një prej zonave më të rëndësishme historike, turistike, kulturore dhe identitare të qytetit.

Në takimin e zhvilluar me komunitetin, u prezantua projekti i hartuar nga grupi i arkitektëve, ndërsa banorët dhe bizneset patën mundësinë të njiheshin me vizionin e ndërhyrjes dhe të japin sugjerimet e tyre për fazat e mëtejshme të projektimit.

Kryetari i Bashkisë Elbasan, Gledian Llatja, e cilësoi këtë nismë si projektin më të madh të ndërmarrë ndonjëherë për rikonceptimin dhe rimodelimin e Kalasë së Elbasanit, një hapësirë që mbart histori, kulturë, traditë dhe trashëgimi të çmuar për qytetin.

Swiss Digital Desktop Reklama

“Kalaja është zemra e Elbasanit”, u shpreh Llatja, duke theksuar se rivitalizimi i saj ka qenë ndër prioritetet kryesore të Bashkisë Elbasan dhe një angazhim personal i tij që prej marrjes së detyrës. Sipas kryebashkiakut, zhvillimi i Kalasë lidhet drejtpërdrejt me të ardhmen turistike dhe ekonomike të qytetit.
“Kur flasim për turizmin në Elbasan, Kalaja është magneti kryesor i këtij zhvillimi dhe qendra e këtij magneti turistik. Nuk duhet që Elbasani të mbetet jashtë rritjes së turizmit që po përjeton Shqipëria dhe jashtë ekonomisë që po krijohet falë tij”, deklaroi ai.

Swiss Digital Mobile Reklama

Llatja bëri të ditur se projekti është mbështetur mbi studime të shumta të realizuara ndër vite nga universitete shqiptare dhe të huaja, ekspertë të trashëgimisë kulturore dhe studiues të Elbasanit, të cilat kanë shërbyer si bazë për konceptimin e ndërhyrjes së re urbane.
Aktualisht, sipas tij, lagjja Kala përballet me një sërë problematikash, që nga godinat e amortizuara deri te mungesa e funksioneve ekonomike që do t’i jepnin zonës vlerën e merituar. Për këtë arsye, projekti synon jo vetëm restaurimin dhe ruajtjen e identitetit historik, por edhe krijimin e mundësive të reja për zhvillim.

“Ne kemi kërkuar që Kalaja të rimodelohet jo vetëm në aspektin arkitekturor, por edhe në aspektin ekonomik. Kalaja do të bëhet zemra ekonomike e qytetit”, tha Llatja.
Projekti po mbështetet financiarisht nga Fondacioni Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim (AADF), ndërsa koncepti arkitektonik synon rikualifikimin e hapësirave publike, restaurimin e objekteve me vlera historike, përmirësimin e infrastrukturës dhe krijimin e kushteve për zhvillimin e aktiviteteve turistike, kulturore dhe artizanale.
Dëgjesa e parë publike shënon nisjen e një procesi konsultimi që do të vijojë edhe në fazat e ardhshme të projektit. Bashkia Elbasan synon që banorët dhe bizneset e zonës të jenë pjesë aktive e diskutimeve, në mënyrë që transformimi i Kalasë të ruajë autenticitetin e saj, duke e kthyer njëkohësisht në një qendër të gjallë ekonomike, kulturore dhe turistike.

Me këtë projekt, një nga simbolet më të rëndësishme historike të qytetit pritet të marrë një identitet të ri zhvillimi, duke e rikthyer Kalanë e Elbasanit në rolin e saj si zemra historike dhe porta kryesore e turizmit në qytet.

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A mendoni se po krijohet një Lëvizje antisistem, pra kundër Ramës dhe Berishës?