Roli i shtetit në kontrollin e çmimeve
Nga Sadedin Çeliku
Ideja se shteti nuk duhet të ndërhyjë në tregun e lirë, se tregu përfshirë çmimet e tarifat vetërregullohet, nuk është e vërtetë. Ky argument është abuziv dhe shpesh i pajustifikuar. Stabiliteti i çmimeve, konsumi dhe fuqia blerëse nuk varet vetëm nga politikat monetare, por dhe nga zbatimi i ligjit nga ku shteti bën të mundur mirëfunksionimin e prodhimit, mbrojtjen nga konkurrenca e pandershme dhe shpesh e dëmshme për zhvillimin e tregut. Ky funksion i sistemit ekonomik, juridik dhe politik është i kushtëzuar nga roli, dhe ndërhyrja e shtetit. Sigurisht ndërhyrja e shtetit është e rregulluar me akte ligjore e nënligjore. Shteti nuk mund të realizojë objektivat e saj qeverisëse në se nuk ndërhyn e kontrollon treguesit mikro e makroekonomikë, ndryshe arritjet në treg kthehen në boomerang e dështim dhe ekonomia në tërësi bëhet mjaft e vështirë për tu menaxhuar.
Vlerësimi i tregut dhe i konkurrencës janë çështje të rëndësishme në një ekonomi. Kjo do të thotë se tendencat abuzive në treg janë evidente gjithmonë dhe ato kanë nevojë për mbikëqyrje dhe kontroll institucional me qëllim që tregu të mos kthehet në treg anarkik. Sot mjaft analistë dhe ekonomistë debatojnë lidhur me rolin e shtetit në ekonominë e tregut. Tregu nuk ka shkopin magjik të rregullimit saj ndaj roli dhe ndërhyrja e shtetit merr rëndësi të posaçme. Sjellja ndaj tregut është një tjetër çështje e rëndësishme. Çmimet e mallrave dhe tarifat e shërbimit rriten pa përmirësuar shërbimin dhe kualitetin e produktit. Pra abuzivizmi i ka rrënjët tek sistemi i tregut i cili është lënë pas dore nga shteti. Dëgjohen aty këtu deklarime ministrash se nuk mund të ndërhyjnë tek tregu privat për rregullimin e çmimeve. Kjo përdoret për të justifikuar punën e dobët të tyre, paaftësinë dhe sjelljen jo korrekte ndaj qytetarëve.
Bie fjala, nafta dhe benzina varion nga 180-190 lek litri. Kur bëhet zhurmë rreth çmimit të lartë na thonë se brenda saj përfshihet taksa e qarkullimit dhe e ndotjes ambientale. Të gjithë e dinë se kanë bërë së paku aritmetikë se ato taksa nuk shkojnë më shumë se 10 përqind e çmimit për litër ose 17-18 lek për litër, e megjithatë ne shqiptarët paguajmë çmimin më të lartë në rajon edhe pse kualiteti i karburantit është më i dobëti po në rajon. Autoriteti i konkurrencës ( shteti ) nuk ndërhyn dhe kësisoj nga periudha e krijimit të këtij institucioni duket tërësisht jashtë loje sepse lojën e vërtetë e bëjnë ministrat dhe qeveria. Nafta është mall që kuotohet dhe nuk të merr shumë kohë për të verifikuar e kontrolluar çmimin real të tregut të këtij malli. Të shkosh pak ditë për pushime në plazhet tona është makth i madh dhe i papërballueshëm. Çmimet e perimeve në bregdet janë mjaft të larta, gjë e cila ka bërë që pushuesit ti marrin me vete. Prodhimet e detit por dhe ato që kultivohen janë mjaft të larta për një familje të nivelit mesatar. Të varfrit nuk kanë shans të shkojnë në plazh dhe jo më të konsumojnë ushqim atje. Hoteleritë i kanë përmirësuar kushtet por çmimet e dhomave variojnë nga 70 -100 euro dhe qeratë e banesave në stratosferë gjithashtu. Uji me dhe pa gaz kaq i domosdoshëm në këto ditë të nxehta shkon deri në 1, 5 dollar për bidon. Të paguash një shezlong të kushton jo më pak se tre dollar, kurse plazhet janë privatizuar edhe pse natyrën në tërësi dhe rërën e plazhit na e ka fal zoti. Sa për tualete dhe dushe siç ka patur qëmoti, nuk bëhet fjalë fare. Në se ju lutesh bareve ato të thonë “do drekosh këtu në restorant ?” Inflacionin e ndjek shteti, por dhe në se ka deflacion gjithashtu. Si është e mundur ky indiferentizëm apo qeveritaret se kanë problem.
Hotelet janë me yje dhe pa yje sipas dëshirës së pronarëve se Ministria e Ekonomisë nuk merret me atë punë. Produktet e mishit pavarësisht nga lloji blihet me 850-1500 lek kilogrami. Tregtimin e bëjnë mjekroshët e djersitur të dyqaneve hallall, në kushte mizerable dhe aspak higjenike. Kontrolli nuk ekziston dhe njerëzit duhet të bëjnë kujdes vetë se nuk kanë kurrëfarë mbrojtje nga shteti. Dyqanet dhe hotelet mbajnë emra nga të gjitha gjuhët e botës, kur në vende të tjera europiane nuk u lejohen me ligj, përveç gjuhës tyre amtare. Hapësirat publike në zonat e mëdha urbane janë zënë nga tregtarët e fruta-perimeve dhe qytetarëve ju duhet të ecin mbi domate e tranguj se nga rruga rrezikohen nga makinat. Prezenca e çmimeve dhe tarifave të larta dhe të pajustifikuara e të paragumentuara në kushtet e buxhetit të kufizuar familjar ul ndjeshëm konsumin e familjeve tona të varfra të cilët përbëjnë shumicën e popullsisë shqiptare. Në kushtet e rrethanat që jetojnë shqiptarët nuk gabojmë të themi se gati 90 % e tyre janë njerëz në nevojë pavarësisht se me ligj nuk quhen të tillë. Ky është një argument më shumë që qeveria nuk duhet të luajë rolin e sehirxhiut, por është e detyrë e saj të hulumtojë, kontrollojë e të luftojë jo vetëm konkurrencën e pandershme por dhe rritjen e çmimeve abuzive që buron nga lëvizja e mallit deri në katër duar. Sigurisht ne kuptojmë dhe mirëkuptojmë hallet që ka qeveria por dhe përparësitë që ajo përcakton, por është e detyrueshme dhe e moralshme që ndërhyrjen në treg ta bëjë pjesë të programit të saj, se ato kanë lidhje integrale e direkte me mirëqenien e tyre por dhe me mbijetesën e shumicës së varfër shqiptare. Në fund të fundit për këtë kanë votuar shumica e popullit dhe jo kundër interesave të tyre. Populli ka të drejtë dhe ankohet, por kujt i ankohet?