Romana Vlahutin, Europa kokëkuqe në Tiranë

 

Nga Lavdrim Lita

Nuk ka kthim prapa. Bashkimi Europian është investuar t’u japë shqiptarëve drejtësinë që meritojnë. Përmes Romana Vlahutin, shefes kokëkuqe të delegacionit të BE-së në Tiranë, procesi ka filluar të konturohet shumë shpejt. Qytetarët janë në pritje e shpresëplotë. Vendosmëria e zonjës kroate Vlahutin për t’i shkuar reformës në drejtësi deri në fund ka frikësuar disa njerëz që në një pjesë të errët të ndërgjegjes së tyre ndjehen fajtorë.

Frikësimi i politikanëve të Tiranës nisi ditën që kroatja kokëkuqe Vlahutin përmendi në një intervistë të dhënë për “Tonight” të gazetares Ilva Tare çështjen e arrestimit për korrupsion të ish-kryeministrit kroat Sanader, si një moment ku ajo kuptoi se Kroacia do të anëtarësohej në BE sepse kishte treguar të ishte e aftë të zbatonim shtetin ligjor në nivelin e lartë. Një mesazh i fortë, ndoshta i pavetëdijshëm, që tronditi qetësinë e 6 ish-kryeministrave që ka pasur vendi në dy dekadat e fundit.

Papërkulshmëria e ambasadores së BE në Tirana për të çliruar sistemin e korruptuar në Gjykata dhe Prokurori, e ka bërë shënjestër të thashethemeve “alla sigurimi shteti” kundër saj.  Thashethemi i fundit që qarkullon në Tiranë është se ajo i ka kërkuar kryeprokurorit Adriatik Llalla arrestimin e dy politikanëve që kanë bërë historinë politike dy dekadat e fundit.

Si të gjitha thashethemet, edhe këto janë të pavërteta. Në fakt, shumë njerëz  në politikë, biznes dhe media janë trembur keq nga reforma e sistemit të drejtësisë sepse kjo për ta do të thoshte humbje e kontrollit për një sërë njerëzish të kapur me dosje të vjetra dhe të reja. Emra gjykatësish, prokurorësh, avokatësh, noterësh e oficerësh të policisë gjyqësore janë pjesë e fondit të arkivit të sistemit që gjendet në Ministrinë e Brendshme. Ndërsa dosjet e veprimtarisë së tyre përpunuese 2A e 2B janë në dorë të ustanofkave që janë bërë pjesë e partive politike e që i përdorin sa herë kanë interes.

Megjithatë reforma në drejtësi është një  conditio sine qua non për integrimin e vendit në Bashkimin Europian. Vonesa e reformës në sistemin e drejtësisë,  në fakt, është vonesa që politikanët i kanë bërë vendit për aderimin e Shqipërinë në strukturat euroatlantike. Falja për këtë vonesë do të duhet të vijë nga votuesit shqiptarë, nëse do të vijë, dhe jo nga një amnisti që vjen nga jashtë vendit, siç thonë thashethemet kësaj here diplomatike. Dhënia e idesë se ca peshq të mëdhenj do të shpëtojnë nga rrjeta e amnistisë do të demoralizonte pikësëpari peshkatarin, d.m.th, zbatuesin e ligjit, për të ndërhyrë në të ardhmen. Rrjeta e drejtësisë duhet të jetë e hekurt që asnjë peshkaqen ta çajë në të ardhmen.

Reforma në drejtësi është një domosdoshmëri për hapjen e negociatave me BE. Çelja e negociatave do të fillojë me kapitujt 23 dhe 24, që kanë të bëjnë me sundimin e ligjit dhe luftën kundër krimit dhe korrupsionit. Dhe në qoftë se Shqipëria nuk tregon progres në lidhje me këta kapituj, atëherë nuk mund të hapen kapitujt e rinj, madje procesi i negociatave mund të ndalet plotësisht.  Procesi i integrimit evropian është një fuqi transformuese që do të nxjerrë nga bataku sistemin drejtësisë të korruptuar dhe të padrejtë.

*Autori është gazetar nga Tirana dhe njohës i mirë i rrethanave politike e shoqërore në Shqipëri, Kosovë e Maqedoni. MA në Kolegjin Europës.

SHKARKO APP