Romela Begaj me doping dhe në rrezik, në pritje të analizave të dyta

Peshëngritësja shqiptare, Begaj, kampione e botës në peshëngritje, në stilin e shkëputjes (pesha 63 kg), mund të humbasë shumë, përveç titullit, edhe imazhin e sportit tonë, por mbase edhe karrierën, pas publikimit të rezultatit të analizave nga Federata Botërore e Pesëhngritjes.Begaj, sipas deklaratës së federatës, ka rezultuar pozitive me substancën e ndaluar stanozolol, dhe për këtë arsye është përkohësisht e pezulluar. Sportistja 28-vjeçare shqiptare ka vendosur menjëherë të apelojë dhe të bëjë analizën B. Për këtë qëllim, ajo tashmë ndodhet në Gjermani ku do të bëhet analiza e dytë. Mësohet se afati i përgjigjes së dytë, do të jetë deri në 22 dhjetor.

Nëse, më pas rezulton negative, atëherë asaj i hiqet pezullimi. Por, nëse konfirmohet rezultati i parë, atëherë sipas regullores Romela Begaj humbet titullin botëror dhe shpërblimet e fituara, si dhe pezullohet nga aktivitetet sportive për 2 vjet, por rrezikon edhe pezullimin përjetë, pasi Shqipëria e ka rast të përsëritur dopingun dhe ka qenë e paralajmëruar më parë. Arbër Çerçizi rezultoi pozitiv në muajin maj, ndërsa edhe emra të tjerë të njohur të këtij sporti, si Qerimaj, Calja apo Pulaku, kanë rezultuar pozitiv, në vitet e shkuara. Qerimaj fitoi titullin kampion Europe, por iu hoq më pas, duke qenë se rezultoi se kishte përdorur substanca të ndaluara.

Megjithatë, Qerimaj u rikthyer pas pezullimit dhe u shpall pak muaj më parë, sërish kampion Europe.  Gjithsej, janë 7 raste dopingut në 3 vitet e fundit, për vendin tonë. Federata Shqiptare e Peshëngritjes, pavarësisht akuzave, pretendon se për momentin nuk ka asnjë shkresë zyrtare nga IWF. Kreu i saj, Elez Gjozaj, shprehet se duhet pritur edhe rezultati i analizave të dyta. IWF, Federata Ndërkombëtare e Peshëngritjes, në faqen e saj “online” ka nnjoftuar se peshëngritësja shqiptare ka rezultuar pozitive në testin e antidopingut.  Federata ndërkombëtare bën të ditur se për pasojë, sportistja do të pezullohet për momentin në pritje të kryerjes së testit B dhe dëgjimit të versionit të saj në apel, ku nëse vërtetohet se Romela nuk ka përdorur asnjë substancë të ndaluar dhe rezultati i analizave të para nuk ka qenë i saktë, atëherë ajo mund të mbajë medaljen e artë dhe njëkohësisht dhe titullin. Vetë sportistja ka marrë përsipër të gjitha shpenzimet për kryerjen e testit B duke u shprehur e bindur se do të rezultojë e pastër në analizat e dyta.

A.Muraçi

SHKARKO APP