Rosela Gjylbegu: Viti 2015 vjen me projekte të reja!

Intervistoi:  Viola Thoma

Fituesja e vendit të tretë në Festivalin e përvitshëm “Kënga Magjike”, Rosela Gjylbegu, vjen në një intervistë për “ Koha Jonë”,  ku flet për projektet e reja artistike. “Ndihem e vlerësuar sepse kënga u pëlqye nga publiku dhe është shpërndarë shumë nëpër rrjetet social” – thekson Rosela, ndër të tjera në intervistë. Ajo, gjithashtu nuk kursehet për të ardhmen, duke siguruar fansat e saj se viti i ardhshëm, 2015-ta, do të jetë edhe viti i projekteve dhe sukseseve të reja!

Jeni prezantuar tek “Kënga Magjike 2014” me një baladë, e cila u vlerësua me vendin e tretë në këtë festival. Çfarë do të thotë kjo për karrierën e Roselës?

Ndihem tepër e vlerësuar, kënga u pëlqye nga publiku dhe u vlerësua me çmimin “The Best Balad”. Ajo që evidentoj është se në rrjetet sociale shpërndahet shumë nga njerëz të ndryshëm dhe ajo që kuptoj është se njerëzit e dëgjojnë dhe po e pëlqejnë. Padyshim që ky është një oponent i rëndësishëm në karrierën e një këngëtari, momenti kur publiku dëgjon dhe ridëgjon këngët e tij.

A do të thotë ky triumf në festivalin e Këngës Magjike një rikthim të Roselës, në skenat shqiptare?

Nuk e konsideroj shumë veten një njeri që mund të flas me fjalë të mëdha. Dëshiroj që për mua të flasë suksesi i një pune me pasion dhe përkushtim. Pasi e gjithë performanca ishte rezultat i një pune dhe sakrifice nga ana ime dhe nga kompozitori që e ka krijuar atë. Ajo që di të them është se më vjen tepër mire, që kjo këngë u vlerësua në një kompeticion si Kënga Magjike dhe padyshim që e vlerësoj gjithë këtë.

Kënga u cilësua si një prej baladave më të vlerësuara në këtë kompeticion, gjithashtu është edhe një mesazh mbi dashurinë. Pse pikërisht kjo tematikë?

Sepse baladat nuk do të kishin kuptim po të mos flitej për dashurinë . . .

E keni cilësuar duetin me Arditin si një ëndërr? Ka qenë kjo një ëndërr e fëmijërisë? Dhe çfarë impakti do të ketë kjo ëndërr tashmë realitet në karrierën e Roselës?!

Kam qënë shumë me fat, sepse gjatë gjithë karrierës time muzikore kam punuar me artistët dhe muzikantët më të mirë shqiptarë. Arditin e adhuroj si këngëtar dhe për atë çfarë ai përfaqëson dhe di të them se e kam ndjekur që e vogël. Në fëmijërinë time gjithmonë kam ëndërruar që një ditë të këndoja një duet me atë.Gjithçka ishte një improvizim dhe emocioni më i madh ishte teksa dëgjoja Arditin të këndonte këngën time, duke u shoqëruar në piano nga Adi Hila. Ishte ndjesi e papërshkrueshme! Një ëndërr që fëmijë, që u bë realitet.

Publiku është kurioz të dijë se a do të vij Rosela së shpejti në skenat shqiptare dhe cilat do të jenë projektet e reja?

Po, sigurisht! Unë nuk do mungoj asnjëherë në skenat shqiptare, thjeshtë përpiqem t’i mendoj mirë daljet e mia dhe padyshim të tregoj kurdo kujdesin tim për të respektuar komponentin më të rëndësishëm të botës së muzikës, publikun. Projektet janë duke u krijuar, përmirësuar dhe padyshim tani kemi mjaftë aktivitetet si fundvit që është. Nuk dëshiroj të zbuloj detaje por di të them se 2015 është viti i shumë projekteve të reja.

Si fillon një ditë e zakonshme e Roselës dhe si mundet të përballojë punën (profesionin) dhe karrierën muzikore?


Prej vitesh kam një jetë aktive, kjo që prej kompeticionit të “Etheve”. Jam mësuar duke u angazhuar në botën artistike, në shoqërinë civile dhe në administratë. Arrij t’i koordinoj të gjitha punët që bëj, për të vetmen arsye sepse, kur e dashuron një punë, padyshim që kohën e gjen për t’iu përkushtuar. Puna të mban gjallë! Ndërsa ditët e mia zakonisht fillojnë shumë herët dhe përfundojnë në varësi të punëve apo angazhimeve të ndryshme që mund të kem. Gjithsesi jam mësuar dhe më pëlqen!

A është “Rri me mua” kënga që e ka bërë Roselën të dashurohet vërtet pas saj?

Kjo është një këngë që çdo artist do të donte ta kishte në repertorin e tij. Kënga përmban një peshë shumë të madhe emocionale dhe kjo është arsyeja që përcjell shumë emocion. Mbaj mend kur e kam dëgjuar për herë të parë dhe u rrënqetha. Pata fat që Adi Hila e qëndisi këtë këngë për mua. Ishtë një rikthim i fortë dhe padyshim mund të them se kjo është një këngë që do të lë gjurmë për një kohë të gjatë . . . .

Mes baladave dhe rrymave të tjera muzikore, ku e gjen veten më shumë ?

Unë e gjej veten vetëm tek muzika e bukur. Pak rëndësi ka çfarë zhaneri është, baladë, pop rock apo dance. Nëse një këngë është e bukur, padyshim që ka sukses.

Sa mund të konsiderohet performanca tek Kënga Magjike, një arritje e juaja?

Se di, ndoshta kësaj pyetje mund t’i përgjigjet më mirë publiku. Gjithsesi është sukses të fitosh “Balada më e mirë” në një kompeticion si Kënga Magjike dhe vendin e tretë, kur kishte këngë mjaft të bukura.

SHKARKO APP