Rrëfehet i penduari i bandës, Ilir Kupa i aftë të komandonte nga burgu

Grabisnin  kryesisht argjendari dhe sende me vlerë, teksa deri tani nga Prokuroria janë faktuar mbi 13 vjedhje të kryera nga “babagjyshët”, dhe humbin shuma të mëdha në kazino, apo lokale nate. Kjo është historia e bandës së Ilir Kupës, personit që sipas organit të akuzës drejtoi bandën e grabitësve, dhe me aktivitetin e tyre kriminal, kulmin e arritën një vit më parë kur grabitën në “TEG” sende me vlerën e 400 mijë dollarëve,  në një argjendari, duke u larguar më pas në mënyrë spektakolare.  Njëri prej të arrestuarve ka pranuar të flasë dhe të bashkëpunojë me drejtësinë. Augustin Sula, i dënuar me 23 vjet burg për vjedhje me dhunë dhe plagosje, ka rrëfyer para prokurorit Besnik Muçi krimet e bandës së drejtuar nga Ilir Kupa, i cili ndodhet i izoluar në qeli. Sula u ka thënë hetuesve, se banda është krijuar pas ardhjes në Shqipëri të Ilir Kupës, i cili u bë i njohur pas arratisjes  nga burgu i Trikallës. Me grupin kriminal janë bashkuar fillimisht edhe Fatmir Pjetri e Dritan Kola. Bandës së Kupës  në Shqipëri, i janë bashkuar edhe Hajdar Sefa, Julian Qerishta, si dhe Miljan Elezi, i vrarë gjatë grabitjes së një argjendarie në Maqedoni, disa muaj më parë. Dritan Kola rezulton të jetë vëllai i Marjan Kolës, i vrarë nga policia greke, gjatë arritisjes nga burgu helen. Ai u arratis bashkë me kreun e bandës, Ilir Kupa, që ndodhet i izoluar aktualisht dhe nuk pranon të ketë kryer ndonjë krim në Shqipëri. Edhe në Greqi, anëtarët e kësaj bande,  kanë kryer grabitje të ndyrshme, për të cilat janë dënuar nga shteti helen si dhe disa janë shpallur në kërkim. Sipas prokurorisë, pavarësisht arrestimit të Ilir Kupës, ky i fundit ka arritur të mbajë kontakte me grupin nga qelia dhe në kishte raste që jepte udhëzime për mënyrën e grabitjeve.  Sipas Prokurorisë, 4 personat e arrestuar së fundmi dhe dy të tjerë, të shpallur në kërkim, në një vit, kanë arritur të grabisin shuma të mëdha parash, si dhe rreth 20 kg flori, që dyshohet se i kanë shitur në dyqane të ndryshme të Kosovës. Në bazë të kësaj dëshmie, paratë e fituara, grabitësit i kanë harxhuar në kazino apo edhe lokale nate. Në të gjitha grabitjet, ata kanë përdorur makina, që i vidhnin dhe më pas i digjnin. Këtë mënyrë, kanë përdorur edhe në vjedhjen e biznesit të deputetit Mark Frroku.

 

SHKARKO APP