Rrëfimi i një qytetare (gjyqtare) për drejtësinë

ardhmen të shmanget çdo lloj aludimi të qytetarëve se kjo gjyqtare ka lidhje me këtë studio ligjore a avokat/e . Principe të etikes së gjyqësorit.

Për shkak të detyrës sime si gjyqtare, detyra të ndesh me shume palë, qytetarë të ditur ose jo, me arsim ose pa arsim, qytetar, fshatar, besues, mosbesues, shpirt qelibar dhe intrigant. Për hir të ligjit të gjithë janë dhe duhet të trajtohen të barabarte para ligjit. Ndërsa diferencën më tej e ben Zoti.

Në kuadrin e një reforme në drejtësi dhe transparence për gjyqësorin, për të nxjerrë fytyrën e vërtetë të gjyqtarëve, prokurorëve, përmbaruesve gjyqësor, administratës gjyqësore etj. Ministri i Drejtësisë, në tetor 2013, hapi një portal online në faqen e zyrtare të Ministrisë ku çdo qytetar, pa asnjë censurim mund të publikonte ankesat e tij ndaj subjekteve që ushtrojnë detyrën në gjyqësor dhe më tej. Faqja nuk pati impaktin që ndoshta Ministri i Drejtësisë synonte pasi nuk dihet seç fat patën ankimet. Më tepër u paraqit si një faqe rozë thashethemesh (si dikur gazeta “Intervista ”a “Paloma ”) ku aty mund të gjeje akuza të rënda për korrupsionin, për moralin, për lidhje nepotike, për paaftësi të gjyqtarëve etj. Për këtë Komisioneri për të Dhënat Personale, ka rekomanduar Ministrinë për censurimin e informacionit duke u ruajtuar anonimati i denoncuesit etj. Nga dhjete muaj funksionim kjo faqe pati shfryrjet më të mëdha të palëve për gjyqtarët, avokatët, prokurorët, përmbaruesit, noterët, regjistruesit (deri në rreth 18 mijë denoncime ). Nuk u bë publike asnjëherë qëllimi i Ministrit me këtë faqe interneti përveç se diskretitimet e gjyqtarëve dhe mundësisë oportune për qytetarët për të shpifur, aluduar e ndoshta edhe për të thënë një të vërtetë që nuk kanë pasur kurajën ta thonë në ndonjë institucion tjetër për tu bërë më serioze. Aktualisht kjo faqe interneti është hequr përfundimisht nga Ministria.

Në një nga këto denoncime, u lakua edhe emrin im nga një palë ku në një letër tepër të gjatë më konsideronte gjyqtare të korruptuar, e kësisoj kishte humbur edhe gjyqin. Madje në fund denoncuesi shprehej se ishte i gatshëm para Ministrit të Drejtësisë dhe para çdo institucioni të ballafaqohej me gjyqtaren Rezarta Mataj për të provuar korrupsionin. E mësuar me parimin se askush nuk duhet të përbaltë reputacionin tënd si njeri dhe në profesion, e hutuar, e indinjuar dhe “e etur” për të vënë emrin e mirë në vend padita civilisht dhe kallëzova penalisht qytetarin J.L për shpifjen publike. Shumica e kolegëve qëndruan indiferent ndaj rastit, më thanë se kot i kisha hyrë kësaj pune se njerëzit këtë punë kanë të shpifin. “Ehu- më tha një koleg: “Je e re sa do kesh të tilla rastesh deri në fund të karrierës nuk i dilet me gjyqe.” Hapja sytë dhe nuk dija ç’të mendoja. Si mund të pranosh dhe të heshtësh për diçka që nuk të përket ose në të kundërt këto ishin fjalët ngushëlluese të një gjyqtari që me kaq kërkon t’I vërë kapakun çorbës që ka gatuar vetë dhe nuk do ti dalin gjëra të tjera në shesh.

Çështja civile për dëmshpërblim moral ndaj dëmtimit të reputacionit si gjyqtare zgjati pesë séance në Gjykatën e Shkallës së Parë Durrës ndërsa ajo penale zgjati tetë séance. Gjyqtari civil nuk guxoi të më pranonte të plotë padinë duke pranuar vetëm 1/3 e shumës që kërkova. Them nuk guxoi pasi praktika gjyqësore vërteton se politikanë, gazetarë, njerëz publik për një shkrim e publikuar vetëm një herë në një gazetë ditore apo në një emision televiziv është dëmshpërblyer me mijëra euro ndërsa shpifja që iu bë një gjyqtari për 120 ditë me radhë në një faqe internet e cila nuk lexohet vetëm nga shtetasit por nga gjithë publiku botëror dëmshpërblehet me 300 000 lekë. Ndoshta, po të mos ishte për profesionin tim do të merrja shumë më tepër duke u shpërblyer realisht për dëmin e shkaktuar.

Ministri i Drejtësisë krenohej për faqen e tij të internetit dhe ftonte të gjithë qytetarët të bënin denoncime a thua se kështu vendosej gjyqësori në shinat e duhura. Nga ana tjetër, urdhrit të gjykatës që të hiqte denoncimin e padrejtë ndaj gjyqtares nga faqja e internetit e zbatoi vetëm pas dy muajsh, ku u desh të kërkohej ndërhyrja e përmbaruesit gjyqësor privat për zbatimin e një vendimi gjyqësor me detyrim. A duhet të kishte më respekt Ministri i Drejtësisë për drejtësinë e një vendimi gjyqësor? A duhet të jepej shembulli i reformës në drejtësi që aq shumë trumbetohet nga Ministri nga vetë ai, ku të mos diskutohet më autoriteti gjyqësor dhe vendimet e saj?

Po ashtu, Ministri i Drejtësisë nuk zbatonte urdhrat dhe kërkesat e Gjykatës së Shkallës së Parë Durrës për gati dy muaj (tre séance rresht të shtyra) për të informuar me shkrim se kur ishte publikuar denoncimi nga ana e qytetarit në portalin e Ministrisë. Homologët tanë në Evropën Perëndimore do habiteshin me pyetjen se ç’ndodh nëse një institucion refuzon apo neglizhon të jap informacion, të zbatoj një urdhër, një vendim gjyqësor. Nuk dinë tu përgjigjen pasi nuk kanë pasur raste të tilla.

Mendoj se gjyqtarëve akoma u mungon guximi për të vendosur. Në emër të ruajtjes së një balance mes të dy palëve, për të mos u ushqyer tek publiku ideja se gjyqtarët mbrojnë gjyqtarët, shpesh janë “rrudhur” për të më dhënë të drejtën e plotë duke passjell diskriminim tim. Ndoshta mendojnë se të qenit gjyqtar duhet të mbash edhe kostumin e durimit të denigrimit, ofendimit dhe se shpifja është mëse normale. Kauza e parë në Shqipëri e mbrojtjes nga sulmi i padrejtë ndaj gjyqtarëve nuk gjeti mbështetjen e merituar. Kjo vetëm të qytetarëve (me të drejtë janë velur nga gjyqtarë të pa aftë dhe në për blogje vazhdohej sulmi me ofendime) por as edhe nga vetë kolegët, madje në xhelozi këto lloj gjyqesh konsiderohen më tepër mjet për të fituar popullaritet gjyqtari se sa një gjyq ku mund të vihet në vend e drejta.

Duke e ndjekur çështjet në gjykatën e shkallës së parë dhe të dytë e veshur me togën e “avokatit” të vetvetes kuptova sepse qytetarët zhgënjehen nga zhvillimi i seancave me vonesë, ç’bëhet kur trupi gjykues tërhiqet në dhomë këshillimi, se si edhe oficeri i togës së shoqërimit orientonte palën që të shtynte gjyqin, nëse nuk kishte avokat, sesa shpenzime kanë palët për të ndjekur gjyqin, sesa e domosdoshme ishte aksesi elektronik në gjykatë për të mos lutur sekretarat për kopje vendimi, për datën e gjyqit dhe sesa vonë zbardheshin vendimi i arsyetuar etj.

Duket se sa më shumë të ngjitesh në gjyqësor, aq më shumë çuditesh. Gjykata cakton seancën e ardhshme gjyqësore e në atë datë nuk zhvillohet gjykimi pa ndonjë shpjegim. Ditën e seancës gjyqësore, trupi gjykues nuk e di se është caktuar seanca, pasi nuk është njoftuar nga sekretaria dhe palët rrinë e presin me orë, paçka që kanë udhëtuar dhe menduar me ditë për gjyqin. Ajo çfarë ti mendon se vërtetë gjyqtari bën padrejtësi për gjyqtarin mëshirohet mësëmiri kur kërkesës së palës tjetër për njëanshmëri të relatorit, pranohet me arsyetimin se përbën njëanshmëri fakti se paditësja R.M dhe gjyqtari janë me origjinë nga veriu dhe kanë punuar të dy në një rreth gjyqësor, paditësja në shkallën e parë ndërsa relatori i çështjes si gjyqtar në Gjykatën e Apelit.

Me këtë logjikë ky trup gjykues legjitimon palët që të mospranojnë të gjykohen nga gjyqtar që punojnë në të njëjtin qytet, apo qark ku kanë lindur se kanë njohje me gjithë qytetarët e qytetit dhe qarkut apo se çështjet civile të gjyqtarëve duhet të gjykohen nga Gjykata Apeli të tjera, ku ai të mos ketë punuar. Do të ishte më i pranueshëm ky “keqinterpretim” i ligjit procedural civil sesa dyshimi (mos qoftë e vërtetë) se trupi gjykues të ketë pranuar kapriçon e relatorit që të mos gjykoj më këtë çështje. Të tilla kapriço të gjyqtarëve zhvlerësojnë drejtësisë në sytë e të gjithëve, e bën gjyqtarin më pak kurajoz dhe gjyqtarët e tjerë jo më skllav të ligjit por eksplorues të shtegjeve të kompromisit. Është emergjente iniciativa ligjvënëse për miratimin e një ligji mbi përgjegjësinë civile të gjyqtarit për çdo vendim gjyqësor të padrejtë që merr ndaj një pale ashtu siç ndodh sot në Itali. Kjo do të ishte “A” e një reforme në drejtësi ku gjyqtari kupton caqet e detyrave të tij dhe bëhet më i përgjegjshëm ndaj qytetarëve. E gjithë kjo sagë seancash gjyqësore më ka bërë të kuptoj shprehjet e famshme të avokatit Italian Piero Kalamandreit (I cili vinte në lojë gjyqtarët dhe tregonte anekdota për to): “Se korrupsioni më i madh për gjyqësorin nuk është ryshfeti, por mosguximi i gjyqtarëve për të gjetur deri në fund të drejtën, fatkeqësia më e madhe që mund t'i ndodhë një gjyqtari është një sëmundje e tmerrshme e burokratëve e quajtur konformitetit”. Duke u bërë “avokate” për disa muaj, kuptoj pse Av.Kalamandrei sugjeronte që avokatët dhe gjyqtarët duhet të ndërrojnë rolet dy muaj në vit, kështu do e kuptojnë më mirë njëri-tjetrin dhe do gëzojmë më shumë respekt reciprok.

Gjyqtari duhet të guxoj, të mos e shikoj dosjen si një numër i radhës në volumin e punëve të tij, por të përmbush aspiratën e qytetarëve se ai (gjyqtari) është shpëtimtari, ai është njeriu i urtë që do i jap fund zgjidhjes së problemit dhe se zgjidhja e tij është e duhura dhe do pranohet pa mëdyshje. Gjyqtari me sjelljen e tij duhet të mbjell respekt tek të gjithë dhe jo të shikohet gjykata si një e keqe e madhe që i ndodh njeriut në jetë, si një manikom ku vështirë të dalësh i shëruar.

*Autorja e shkrimit është gjyqtare në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Tiranë

SHKARKO APP