Rreziqet nga Instagram dhe platformat e tjera
“Instagram” është aplikacioni më i dëmshëm për shëndetin mendor të të rinjve, i ndjekur nga afër nga “Snapchat”.
Ky është konkluzioni i një raporti të Shoqërisë mbretërore për Shëndetin Publik (RSPH) në Britaninë e Madhe, që ka studiuar rreth 1.500 të rinj të moshës nga 14 deri 24 vjeç, e ka vëzhguar si ndikojnë disa platforma të medies sociale te shëndeti dhe mirëqenia.
Sipas raportit, “YouTube” ka pasojat më pozitive, ndërsa “Instagram”, “Snapchat”, “Facebook” dhe “Twitter” kanë demonstruar efekte negative, mbi të gjitha në shëndetin mendor të të rinjve.
“Instagram”, aplikacioni rreth imazhit me më shumë se 700 milionë përdorues në të gjithë botën, kryeson listën për sa i takon pasojave negative, më së shumti mes vajzave të reja.
“Instagram” bën që të rejat të krahasojnë veten me versione jorealiste, të kuruara në detaje, të filtruara dhe që i janë nënshtruar “photoshop”-it. “Instagram”, sipas studiuesve bën që vajzat e reja të ndihen të pakënaqura me imazhin dhe trupin e tyre, ndërsa njerëzit shtojnë filtra dhe korrektojnë fotot e tyre për t’u dukur perfektë.
Për të luftuar problemin, Shoqëria mbretërore për Shëndetin Publik i ka kërkuar platformave të medieve sociale të reagojnë dhe të ndihmojnë për të luftuar ndjenjat e pakënaqësisë dhe ankthit te përdoruesit e rinj, duke vendosur paralajmërime tek imazhet që janë manipuluar në mënyrë dixhitale.
Përveç veprimtarisë së të rinjve në mediet sociale, raporti ndalet edhe te koha që të rinjtë i kushtojnë asaj. Të rinjtë, që kalojnë më shumë se dy orë në ditë të lidhur në rrjetet sociale, janë më të prirur të shfaqin probleme mendore, përfshirë këtu stresin psikologjik.
Sipas studiuesve, platformat që supozohet se ndihmojnë të rinjtë të lidhen me njëri-tjetrin, po mundësojnë ndërkohë një krizë të shëndetit mendor.