Rritja ekonomike s’mund të arrijë afër 3 përqindëshit

Parashikimeve për rritje ekonomike prej 4.6 për qind nuk i beson ish ministri i Ekonomisë dhe Financave, Haki Shatri, duke shtuar se rritja ekonomike gjatë këtij viti nuk ka kaluar as 2.5 për qind  dhe nuk ka ndonjë parametër që siguron rritje ekonomike për vitin 2015 mbi tre përqindëshin. 

Shatri madje thekson se për çdo projeksion duhet të ketë fakte dhe dokumente bazë, siç është Korniza Afat Mesme e Shpenzimeve, e cila për çdo vit duhet të përgatitet nga institucionet përgjegjëse.

“Institucionet tona të vendit që merren me analiza ekonomike, tregojnë se maksimalisht rritja ekonomike këtë vit do të jetë nga 2 deri në 2.5 për qind. Nuk ka asnjë parametër tjetër që flet për një mundësi të rritjes me një dinamike më të madhe as në vitin e ardhshëm. Rritjet bazohen në ecuritë e deritashme, si  investimet që janë realizuar gjatë këtij viti, investimet në ekonomi, në trendin e eksportit, në punësim”, thekson Shatri për Radion Evropa e Lirë.

Sidoqoftë, në bazë të Kornizës Afat Mesme të Shpenzimeve për vitin 2015-2017, thuhet se rritja ekonomike për 2014-n pritet të arrijë në 4.1 për qind, përderisa gjatë periudhës 2014-2017 kjo rritje parashihet të jetë 4.5 për qind.

Edhe Agron Demi, kryeshef ekzekutiv në Institutin  për Hulumtime të Avancuara “GAP” nuk beson në parashikimet se rritja ekonomike mund të arrijë afër 5 për qind.Duke u bazuar në faktorët që ndikojnë në rritjen ekonomike, Demi vlerëson se rritja ekonomike nuk mund të jetë më e lartë se tre për qind.

“Së pari qeveria në largim nuk do të duhej të merrej më draftimin e buxhetit të ardhshëm, do të duhej që një qeveri e re, të vendos për buxhetin 2015. Pastaj, ajo që ka thënë kryeministri në largim i Kosovës, Hashim Thaçi është në kundërshtim me atë që tha para disa ditësh vetë ministri i tij, zoti Beqaj.”

“Beqaj tha se rritja ekonomike do të jetë jo më e madhe se 3 për qind. Madje kur është dërguar buxheti në fillim të vitit në Kuvendin e Kosovës është thënë se rritja ekonomike do të jetë 4.1 për qind, pastaj këto të dhëna janë ndryshuar në 3 për qind”, shprehet Demi.

Megjithatë, ish ministri Haski Shatri, me ecuritë ekonomike gjatë këtij viti kanë pësuar ndryshime të mëdha në krahasim me parashikimet e vitit të kaluar duke shtuar se edhe situata aktuale politike ka ndikuar në ngadalësimin e rritjes ekonomike.Rritja ekonomike në vitin 2015 thotë ai, varet nga ajo që është bërë sivjet, duke ditur se efekti i investimeve nuk mund të jetë i menjëhershëm.

“Ne jemi dyshimtar të një veprimi të kufizuar në zhvillim gjatë këtij viti. Kemi vazhdim të rënies se investimeve të huaja, madje edhe largim të investitorëve ndërkombëtar, kemi përkeqësim  të realizimit të investimeve të brendshme, madje edhe prej sektorit publik, kemi rritje të shpenzimeve për mallra dhe shërbime. Kjo e dëmton imazhin dhe e ka përkeqëson gjendjen ekonomike dhe sociale në vend”, thotë Shtari për Radion Evropa e Lirë.

SHKARKO APP