“Rritjen e çmimit të pasaportave e miratoi Berisha”
Kryetari i Komisionit të Ekonomisë dhe Financave Erjon Braçe deklaroi të martën se qytetarët nuk kanë detyrim për të marrë pasaportë të re. Duke reaguar në rrjetin social “Facebook” mbi debatin për çmimin e ri të pasaportave biometrike, Braçe tha se pasaporta ekzistuese që është në afat nuk digjet. “Pasaportë me çmimin e ri merr vetëm ai të cilit pasaporta i ka skaduar nga 1 janari e në vijim”, deklaroi Braçe. Nga data 1 janar 2015, Ministria e Brendshme ka miratuar çmimet e reja të pasaportave biometrike dhe letërnjoftimeve. Çmimi i ri i letërnjoftimit do të jetë 1 500 lekë, ndërsa më herët ka qenë 1 000 lekë. Sa i takon pasaportave biometrike, çmimi i ri i tyre do të jetë 7 500 lekë nga 6 000 lekë që ka qenë vitin e shkuar. Edhe qytetarët shqiptarët që do të aplikojnë për këto dy dokumente jashtë vendit, do të operojnë me çmime të reja. Konkretisht, shqiptarët që jetojnë në Itali dhe Greqi do të duhet të paguajnë 12 euro për letërnjoftimin dhe 130 euro për pasaportën. Në SHBA do t’u duhet të paguajnë 18 dollarë për letërnjoftimin dhe 240 dollarë për pasaportën biometrike. Në Belgjikë, shqiptarëve që jetojnë atje do t’u kushtojnë 16 euro letërnjoftimi dhe 160 euro pasaporta biometrike. Në Mbretërinë e Bashkuar çmimi do të jetë 13 Paund letërnjoftimi dhe 144 paund pasaporta biometrike dhe në Zvicër 18 franga (zviceriane) letërnjoftimi, ndërsa pasaporta biometrike 204 franga. Deputeti i PS-së, ka komentuar dhe reagimet e qytetarëve, duke u shprehur se rritja e çmimit nuk është miratuar nga qeveria aktuale, por nga qeveria e kaluar. Braçe shkruan se ky është vendim i marrë nga qeveria Berisha në prill të vitit 2013, teksa ka publikuar edhe disa dokumente që vërtetojnë fjalët e tij . "Është vendimi i Sali Berishës i prillit te vitit 2013. Është projektligji për “Ratifikimin e zgjatjes se afatit dhe ndryshimin e disa elementeve”, përfshirë çmimin e kartave dhe pasaportave në kontratën e Qeverisë, Ministrisë së Brendshme dhe kompanisë koncesionare Sagem. Është relacioni shpjegues i ndryshimeve në kontratë me argumentet për rritjen e çmimit. Kontrata e re me koncesionarin e nënshkruar nga ish-ministri i Brendshëm Flamur Noka",- shkruan Braçe, i cili më tej vazhdon se çmimet e reja të mjeteve identifikuese nga 1 janari 2015 janë marrë me vendimin e Prillit 2013. Sipas tij, “Kjo Qeveri, Qeveria aktuale nuk hyn kërrkund në këtë vendim!! Ka vendosur Sali Berisha dhe ka vendosur edhe për 10 vitet që vijnë!!", shkruan Braçe, i cili përfundon se nëse kontrata rishikohet, ajo do t'i shkaktonte shtetit miliona euro dëm.