Rruga dhe Arbrit …
Nga Eglantina Nasi
REPORTAZH – Tingujt e së dielës. Këtë herë më çuan drejt një rruge. Trupin e së cilës, historia e ravijëzon mes malesh që të kthehen në bashkëudhëtarin më të mirë. Dhe që në aspektin verbal, i ka vënë karshi për jetë e mot një fjalë, “Arbri”. Duke marrë kësisoj, formën e togfjalëshit të pandashëm, kushedi qëkur në kohë: Rruga e Arbrit! Por që në arratisjen time të kësaj të diele, s’di pse m’u transformua në “Rruga dhe Arbrit”. Ndoshta sepse i pashë të ndarë nga njëri-tjetri… E para, në kërkim të transformimit, për t’iu qasuar sadopak erërave të reja të historisë. Të dytët, në pritshmërinë e tyre të gjatë që ajo të mbërrijë një ditë vërtet tek ata, edhe pse e shkelin mes baltërash dhe zhavorresh gjatë përditshmërisë. Sepse arbrit, siç e quajnë veten banorët e zonës që përqafohen nga kjo rrugë, ende gjenden vite larg saj. Ose më mirë, larg ëndrrës për të patur një ditë një rrip dinjitoz toke të asfaltuar, i cili t’i çojë sa më afër drejt Tiranës, por në të njëjtën kohë edhe drejt Dibrës…
Përtej lumenjve
Përtej lumenjve, gjithmonë ka një urë. Patjetër, që dhe njerëz të mirë. Edhe kur ata rrjedhin poshtë kreshtave të maleve në dukje hijerëndë dhe aspak të fitueshëm. Kjo vlen të thuhet edhe për këtë rrugë, e cila në fillesën e saj, sapo lë periferinë e Tiranës, të përball me një lumë të gjelbër. Rruga e vjetër e të cilit, dikur ka qenë aq e ngushtë, saqë makinat duhej patjetër t’i hapnin rrugën njëra-tjetrës. Madje edhe e frikshme, deri diku. Sidomos në pjesën kur dy anët e malit ngushtoheshin aq shumë me njëri-tjetrin. Pikërisht aty, shfaqej tuneli. Një investim i madh ky i proklamuar me të madhe nga politika dhe që në fakt, fliste për fuqinë e njeriut edhe mbi natyrën, sado kapriçoze të duket ajo. Po, njerëzit e kishin çarë malin në zemrën e tij, duke e lënë të hapur horizontin e rrugës së përtejme të Arbrit. Me projeksionin subkoshencial se përtej kësaj të prin një rrugë e gjerë, e gjatë dhe me standardet që mund t’i përngjiten atij të tunelit dhe kilometrave të para përreth tij…
Baltë dhe zhavorr
Makina nis të kuisë. Fillon të bëjë “nazet” e para të pas-tunelit dhe iluzionit që na krijuan imazhet e para të përthyerjes së natyrës së thepisur me standardet e një rruge që i ironizonte ato. Befas, natyra zuri sërish vendin e parë në përballjen e saj me modernizimin dhe atë çka njeriu ishte përpjekur t’i bënte në pjesën e parë të saj. Madje, fitoi shumë epërsi, teksa na bëri të hepoheshim mes lëkundjeve që falnin gropat e krijuara aty-këtu nga punimet e braktisura. Pse jo, edhe kur na zhyti në baltën e saj, si për të na kujtuar se kryeqytetin kishim kohë që e kishim lënë pas dhe se malet na e kishin fshirë nga retina e syrit, teksa kthejmë kokën pas, në përpjekje për ta gjetur …
Përballë Arbrit
Godina e një shkolle dhe dy bar-kafe. Ato janë kontakti i parë me jetën, gjatë kësaj rruge. Por edhe me njerëzit që duket se mbajnë prej shekujsh emrin që i rri asaj karshi: Arbrit. Papritur gjendem përballë tyre. Në përpjekje për të lexuar pak histori në të tashmen e tyre. E cila edhe pse mund të ketë qenë shumë e madhe dhe e lavdishme, dukej se zvenitej para kësaj të fundit. Një të tashme pa dritë. E cila mund të të ofrojë vetëm të gjerbësh një kafe turke, pasi energjia elektrike është ndërprerë. Një element ky që duket se përngjan fort dhe shkon më së miri me xhamitë e shpeshta që gjen kësaj rruge. Një orientalizëm mesa duket i ruajtur deri në ditët tona, i vetëpranuar dhe madje i kultivuar nga të gjithë banorët e fshatrave të fundëm të Tiranës lindore, teksa në secilin prej tyre sheh të ngritur dhe të kuruar mirë nga një minare. Arbri po fillon të më flasë kështu diçka për veten e tij…
“Po me rrugën ç’patën”?!
Nuk ka arbër të sotëm, që gjendet në rrugën e cila mban emrin e tij, të mos të të ankohet për të. Për të mos rënë në përsëritjen që bënte plaku episodik i ish-Kinostudios tek filmi “Kur zbardhi një ditë”, mund të them se të gjithë i drejtonin vetes, ndoshta edhe Zotit shprehjen “Po me rrugën ç’patën”. Madje ua drejtojnë edhe kalimtarëve të pakët që bëjnë atë rrugë dhe nuk i njohin. Sikur të kërkojnë prej tyre një shpjegim, sado të vogël mbi ndërprerjen e punimeve dhe harresën totale rreth saj. Ndërsa nga ana e tyre, të gjendur kilometra larg informacionit që buron nga ata që ngrohin kollukët zyrave të Tiranës, dinë të të japin vetëm një shpjegim: Punëtorët kanë ikur, rruga mbeti përgjysëm! Shoqëruar me një psherëtimë, pasi hedhin sytë nga kodra karshi, e zhveshur në këtë prag dimri ….
Deri në Zallbastar
Sesi quhet ai fshat, e mësoj duke kaluar rrugës, teksa arbrit miqësorë më befasojnë gjithmonë e më shumë me respektin që tregojnë ndaj të panjohurve. Korrektë dhe pa e tepruar asnjëherë me atë që dinë të të ofrojnë. Një qytetari që më befason këtyre anëve, në dukje të harruara nga të gjithë. Këtyre anëve ku njerizët përveçse të punojnë tokën, nuk mundet të bëjnë gjë tjetër. Por që duket se ridimensionohen pikërisht nga cilësitë e tyre. E duke më bërë të mendoj se falë tyre, ata e meritojnë një ditë rrugën…Mbarsur nga të tilla mendime e ndjesi, Zallbastari shfaqet përballë, si stacioni i fundëm i këtij rrugëtimi timit në të njohurën Rruga e Arbrit, të cilën edhe në fund të këtij shkrimi, preferoj ta ndaj me një lidhëz në mes. Duke dëshiruar një ditë që vërtet, arbrit e saj të bashkohen me të…
P.S.Ajo vazhdon me kilometra të tëra edhe pas këtij stacioni. Diku janë bërë punime, diku tentohet, diku do të rinisin sërish. Pa e ditur kurrë në fakt finishin kohor të tyre. Dhe duke i lënë arbrit me shpresën, se një ditë, historia e sotme do t’i vlerësojë, njësoj si e djeshmja që e ngriti rrugën e cila mban emrin e tyre…
Retrospektivë
Rruga e Arbrit, me një gjatësi prej rreth 70 kilometrash, e cilësuar aktualisht në ndërtim e sipër, pretendohet të lidhë Tiranën me Dibrën, e më tej, me Maqedoninë. Një rrugë kjo që thuhet se e ka ka origjinën që nga periudha romake, shekulli I dhe II, e që do të kalojë në 10 zona, duke iu shmangur lartësive të mëdha që ato ofrojnë. Në shekullin XI, rruga përmendet nga kronistja britanike, Ana Komnena, ndërsa në vitin 1257 këtej kaloi komandanti britanik Gjergj Akropoli. Kurse në defterin turk të 1467-s Guri i Bardhë etj, përmenden si fshatra "Dervene" që ruanin e mirëmbanin rrugën. Stacione të rëndësishme të rrugës kanë qenë Zall-Dajti në Malësinë e Tiranës dhe Guri i Bardhë. Në këto fshatra ndodhen mjaft gjurmë të rrugës si hane, karakolle, kalldrëme, ka shumë ura, etj. E përfshirë edhe në Strategjinë e Transportit nga ministria përkatëse, që në vitin 2008, ajo vlerësohet si një projekt me rëndësi të madhe gjeostrategjike për rajonin, pasi shkurton në mënyrë të ndjeshme distancat që lidhin Tiranën, jo vetëm me zonat verilindore shqiptare, por edhe ato përtej tyre, si dibra e Madhe, Shkupi, e duke pretenduar deri në Sofje. Një rrugë kjo e pasur me histori, e cila parashikohet që të jetë ndër më të bukurat turistike të trevave shqiptare në rajonin tonë. Konkretisht, ajo nis nga sheshi "Skënderbej", vijon nëpër rrugën e Dibrës, më pas në Brar, lë luginën e ngushtë e të thellë të malit të Dajtit, me kanionet e ngushtë dhe të thellë, për të vijuar më pas me luginat e Shpalit, Murrizës, duke dalë në grykën e rrjedhjes së sipërme të lumit të Matit mbi Urën e Vashës dhe del në luginën e mirënjohur të Vajkalit, Zallit të Bulqizës, për të vazhduar deri në Dibër të Madhe….
10 zonat e përfshira
Zonat e Shqipërisë ku do
të kalojë Rruga e Arbrit:
1.TIRANË
2.ZALLDAJT
3.MURIZË
4.GURI I BARDHE
5.URA E VASHËS
6.PLANI I BARDHË
7.BULQIZË
8.URA E ÇERENECIT
9.GJORICË
10.DIBËR