Rrugëtimi dinjitoz i Paskal Milos

 

Prof. Dr. Ago Nezha

Familja Petromilo ka një histori të vjetër dhe është autoktone. Është e dokumentuar se ajo ekzistonte në shekullin e XVI. Regjistrat osmanë të Sanxhaqeve të Vlorës e të Delvinës, pjesë e të cilave ishte edhe nahija e Himarës e vërtetojnë këtë fakt. Të parët e fisit Petromilo sipas këtyre regjistrave të viteve 1551 e 1583 quheshin Gjin, Gjon, Mihal, Petro, Dhimo, etj. Në shekullin e XVII, në vitin 1685 shfaqet emri Milo si sinonim i emrit Mihal. Njeriu që përfundimisht i dha fisit emrin e tij të trashëguar deri sot quhej Milo Gjini. Që këtej në mënyrë të pandërprerë pema ka rritur degëzime të shumta, që kanë krijuar fise të tjera por trungu mbeti po ai, duke alternuar brez pas brezi dy emra kryesorë Milo dhe Petro. Stërgjyshi i profesor Paskalit, quhej Petro ndërsa gjyshi Milo. Sot në fis siç tregon mbiemri, janë përsëri këto dy emra të çiftëzuar, si dëshmi e patrimonisë së trashëguar shekullore. Familja Milo ose Petromilo,është marrë deri në gjysmën e parë të shekullit të XX-të kryesisht me bujqësi e tregti. Të parët e tyre bënin tregti jashtë kufijve me fqinjët bregdetarë, me Korfuzin e ishujt e tjerë Jonianë, me Italinë e Jugut, ndërsa brenda vendit me Vlorën, me Tragjasin, fshatrat e Lumit të Vlorës e veçanërisht me Dukatin, që e kishin përbri. Dyqane tregtie kanë pasur në Vlorë, Dukat e në Korfuz për disa vite.Familja ka një arkiv të pasur historik që dëshmon për aktivitetin e saj patriotik. Dokumenti i parë i këtij arkivi është i vitit 1837, i pasuar nga shumë dokumente të tjera të shekullit XIX-XX-. Dëshmitë e shkruara zyrtare të historisë por edhe memoralistika e shkruar familjare, u japin brezave shumë prova aktiviteti e përkushtimi atdhetar të gjyshit Milo Petromilo, e të djemve të tij duke filluar nga viti 1908 e më vonë. Pikërisht në këtë vit Milo Petromilo dhe djali i tij i madh Perikliu në bashkëpunim me Pilo Andonin e Gaqe Kaporen nga Dukati, shpërndanë libra në gjuhën shqipe në Palasë e në fshatra të tjera. Për këtë vepër Milo Petromilo u arrestua dhe u burgos nga xhandarmëria osmane. Në vitin 1911 në bashkëpunim me Nase Labin, Fane Kasnecin, Gogo Lekën, nga bregu si dhe Azem Bellon nga Bolena grumbulluan armë për çetën e Çerçiz Topullit. Një luftëtar të kësaj çete, me origjinë çame, Milo Petromilo e strehoi në shtëpi, e për këtë i spiunuar u arrestua dhe u burgos në kalanë e Gjirokastrës së bashku me Fane Kasnecin, Kolë Riton, Mimi Jorgjin e të tjerë. Në gjyq u mbrojt nga avokati gjirokastrit Petro Poga. Pasi filloi Lufta e Parë Ballkanike në tetor 1912, në nëntor ushtria greke erdhi deri në Llogora dhe bllokoi edhe Vlorën përmes detit. Kur u shpall Pavarësia e Shqipërisë, qeveria e Vlorës dhe personalisht Ismail Qemali u angazhuan për çbllokimin e qytetit e për largimin e forcave greke jashtë territorit shqiptar. Milo Petromilo që e kishte takuar Ismail Qemalin në Korfuz, mori prej tij përmes Pilo Andonit e Gaqe Kapores, një letër në të cilën i kërkonte ndërmjetësimin pranë komandës së ushtrisë greke të vendosur në Llogora, për pushimin e luftimeve. Familja Petromilo mbeti ndër vite një vatër e shqiptarizmës. U takonte atyre familjeve që në Himarë quheshin “krahëkuqtë”, që ishin për integrimin e krahinës në shtetin shqiptar e për shkollën shqipe. Në mesin e viteve 30- kur përplasja për shkollën e gjuhën shqipe u ashpërsua në Himarë, familja Petromilo në Palasë së bashku me ato të Dhimitër Konomit e të Vangjel Janit (Dhimolea) u bënë mbrojtës të vendosur të shqiptarizmës kundër përpjekjeve të “krahëbardhëve”, për të cilësuar popullsinë himarjote si minoritet grek. I riu 23 vjeçar  Koço Petromilo, i shkolluar në Korfuz, babai i Paskalit, refuzoi të bëhej mësues i gjuhës greke në shkollën e fshatit Palasë “tue theksue se asht fjesht shqiptar dhe me asnjë mënyrë nuk pranon të quhet minoritet as edhe mësues i greqishtes”. Për këto qëndrime atdhetare, klerikët ortodoksë të Palasës me nxitjen edhe të konsullit grek në Sarandë e të peshkopit të Gjirokastrës, mallkuan “në kishë të gjithë ata që kanë shfaqur ndjenjat kombëtare”. U desh që në Palasë të shkonte posaçërisht Kryepeshkopi i Kishës Autoqefale të Shqipërisë Kissi që me një ceremoni madhështore në kishën e fshatit tërhoqën mallkimin e bërë ndaj “krahëkuqëve” të Palasës. Këto qëndrime atdhetare të familjes Petromilo u vlerësuan nga qeveria shqiptare e kohës dhe dy prej djemve të saj në moshë shkolle, iu akorduan bursa shteti për të vazhduar studimet në gjimnazet e Tiranës e të Shkodrës. Në vitet e Luftës së Dytë Botërore, familja Petromilo, u bë një nga bazat kryesore të Luftës Antifashiste Nacional-çlirimtare. Anëtarë të saj u radhitën në brigadën e V- Sulmuese dhe në njësitet territoriale të vendit. Pas çlirimit u angazhuan me të gjitha forcat për rindërtimin e vendit. Babai i Paskalit,  Koço Petromilo, u emërua mësues në shkollat e Himarës. Prej aty, doli vullnetar dhe punoi tre vjet në fshatrat e Skraparit dhe pastaj shërbeu disa vite në Dukat, në Selenicë e në disa shkolla në qytetin e Vlorës. Vëllezër e motra u shkolluan në qytetin e Vlorës e në Tiranë. Në këtë mjedis familjar lindi në 22 shkurt 1949, në Palasë, Paskal Milo.  Fëmijërinë e kaloi aty. Arsimin 7 vjeçar e kreu në Vlorë, në Shkollën “24 Maj” ose siç njihej ndryshe në atë kohë Nr.3. Në vitet 1962-1966 ka qenë nxënës në shkollën e mesme “Ali Demi”. Në këtë kohë krahas mësimeve u aktivizua në skuadrat e futbollit të pionierëve e të rinjve të “Flamurtarit”. Në vitet 1966-1970 vazhdoi studimet në Fakultetin e Historisë e të Filologjisë të Universitetit të Tiranës, në degën e historisë e të gjeografisë, të cilat i mbaroi me vlerësimin shkëlqyeshëm. Gjatë viteve studentore pasioni për futbollin u zhvillua më tej me sukses, në mbi dy vite me të rinjtë e “Partizanit” ku edhe u fitua një titull kampion e më vonë me skuadrën “Studenti”. Në përfundim të studimeve në 1971, si një student që shkëlqeu në mësime, u emërua me punë në redaksinë e gazetës “Zëri i Popullit”, në sektorin e jashtëm të saj. Në muajin Prill të vitit 1975  për arsye politike u hoq nga redaksia e kësaj gazete e u dërgua në rrethin e Fierit ku punoi për ca kohë si mësues e pastaj ciceron në muzeun e qytetit. Pasi u sqaruan akuzat e stisura politike në vitin 1980 u rikthye në Tiranë, ku filloi nga puna si pedagog në fakultetin e Historisë e të Filologjisë, në katedrën e historisë së Shqipërisë e më vonë në katedrën e historisë botërore. Pas ndryshimeve demokratike, në vitin 1991, u emërua dekan i Fakultetit të Historisë e të Filologjisë deri në qershor 1992 kur u zgjodh edhe deputet në Kuvendin e Shqipërisë. Në vitin 1989 fitoi gradën shkencore të “Doktorit të Shkencave”. Në vitin 1993, ka kryer studime pasuniversitare në Universitetin e Lundit në Suedi. Që nga viti 1995 ka fituar titullin “profesor”.

Për vite me radhë e deri më sot ka qenë dhe ligjërues në studimet pasuniversitare në nivelin “master” e në shkollën doktorale në Universitetin e Tiranës dhe në universitete të tjera jo publike në Tiranë e Prishtinë. Që nga viti 1992 ka dhënë cikël ligjëratash  në universitete  të ndryshme në SHBA, Kanada, Suedi, Spanjë, Itali, Greqi, etj, si dhe ka referuar në institute, akademi diplomatike e këshilla për politikë të jashtme e marrëdhënie ndërkombëtare në SHBA, Kanada, Argjentinë, Kili,Britani e Madhe, Suedi, Norvegji, Danimarkë, Austri, Maltë, etj. Ligjërimi ndër vite në universitete u shoqërua me një aktivitet kërkimor shkencor intensiv. Hulumtimet arkivore  mbi 40 vjeçare në arkivat shqiptare e në ato të huaja, veçanërisht në arkivat amerikane, britanike, franceze, ruse zbuluan një lëndë të madhe dokumentare që u bënë baza e disa studimeve monografike të botuara. Librat, referatet, kumtesat e diskutimet në konferenca, simpoziume e seminare kombëtare e ndërkombëtare janë vlerësuar për origjinalitetin e kontributet shkencore që kanë sjellë nga studiues shqiptarë e të huaj. Shndërrimet demokratike e gjetën në pozitën e pedagogut në Universitetin e Tiranës. Pas tyre ai mori pjesë aktive në veprimtaritë shoqërore e politike. Në vitet 1991 ishte një nga themeluesit e Partisë Social Demokrate dhe deri në vitin 2002 edhe nënkryetar i saj. Në vitin 2003 krijoi Partinë Demokracia Sociale, kryetar i të cilës është edhe sot. Në vitin 1991 ka kryer detyrën e Sekretarit të Shtetit për Arsimin, në vitin 1997-2001, ka qenë Ministër i Punëve të Jashtme dhe në vitet 2001-2002, Ministër Shteti për Integrimin Europian. Nga viti 1992 deri në 2009 ka qenë deputet në Kuvendin e Shqipërisë. Në vitet 1992-1996 ka kryer funksionet e kryetarit të Komisionit të Arsimit, Shkencës, Kulturës e Shëndetësisë në Kuvend, ndërsa në vitet 2002-2005 detyrën e Sekretarit të Komisionit të Politikës së Jashtme.

Zërat e personaliteteve të diplomacisë për Paskal Milon.

Ambasador Zef Mazi

Incidenti madhor i Kanalit të Korfuzit “është shqyrtuar nga Prof. Paskal Milo deri në detaje, me mjeshtërinë e historianit të kalibrit të lartë dhe mëndje-ftohtë…Puna e Paskal Milos për këtë çështje mund të quhet përmbyllëse, e përfunduar”.

Profesor Arben Puto

Vepra “Politika e Jashtme e Shqipërisë e shkruar nga Paskal Milo, “është një kryevepër”, është një trajtim mbresëlënës të njërës prej aspekteve më të rëndësishme të historisë së shtetit të pavarur shqiptar…”

Rexhep Qosja

“Ditari i Paskal Milos mbi Kosovën- vepër tepër e rëndësishme e një luftëtari të përkushtuar për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës”.

Përvoja e gjatë në kërkimet e botimet shkencore është shoqëruar me zgjedhjen në këshillat shkencore të Universitetit të Tiranës, të Institutit të Historisë të Akademisë së Shkencave, të Komisionit të Historisë së Marrëdhënieve Ndërkombëtare, Milano (Itali), të Këshillit Argjentinas të Marrëdhënieve Ndërkombëtare e të Shoqatës Kiliane të Historisë e të Gjeografisë.

Konsiderata për Kontributin Diplomatik

                        Në vitet kur ka qenë ministër i Punëve të Jashtme, Paskal Milo ka përfaqësuar me dinjitet e profesionalizëm të lartë diplomacinë shqiptare. Ai, vlerëson Presidenti Rexhep Mejdani, që ka qenë “në krye të një diplomacie aktive e energjike, të përgjegjshme e të mirëpeshuar, në një periudhë historike, intensive e delikate, emocionale e të madhërishme…”.

Akademik Rexhep Qosja, në atë periudhë shkruante se “sot në krye të diplomacisë shqiptare gjendet një intelektual i lartë, një historian i shquar, një diplomat largpamës. Pra një diplomat i çmuar shumë në rrethet diplomatike evropiane dhe amerikane…Është historiani, intelektuali i shquar Paskal Milo”.

            Kontributin e rëndësishëm në përfaqësimin e shtetit shqiptar në marrëdhëniet ndërkombëtare e kanë vlerësuar edhe përfaqësues shumë të lartë të politikës e të diplomacisë evropiane e amerikane. “Është kënaqësi të punosh me ju në këto kohë të rëndësishme”, i shkruante Sekretarja e Departamentit Amerikan të Shtetit, Madelen Ollbrajt, Ministrit të Jashtëm Shqiptar. Eliot Engel, anëtar i Kongresit Amerikan, ka shkruar se “isha i lumtur që takova zotin Milo disa herë dhe sigurisht, kam përfituar nga këshillat dhe analizat e tij për rajonin”.

Bodo Hombah, kryetar i Paktit të Stabilitetit për Evropën Juglindore e ka vlerësuar Ministrin e Jashtëm Shqiptar si “një luftëtar të shquar për çështjen shqiptare… një partner i shkëlqyer jo vetëm i Paktit, por i të gjitha kancelarive europiane”.

            Paskal Milo është bërë i njohur për punën  e jashtëzakonshme në krye të diplomacisë shqiptare në kohën e konfliktit në Kosovë në vitet 1998-1999. Shqiptarët e Kosovës dhe udhëheqësit politikë të tyre në vitet e luftës, Ibrahim Rugova, Adem Demaçi, Hashim Thaçi, Rexhep Qosja, etj, i kanë njohur kontributet e tij për mbështetjen e fuqishme e mbrojtjen e interesave kombëtare dhe shumë herë i kanë shprehur mirënjohjen e tyre të thellë.

            Veçanërisht i njohur është kontributi i tij në Konferencën e Rambujesë, e cila shënoi gurin e themelit në pavarësinë e ardhshme të Kosovës. Së bashku me kolegë të tjerë të tij të diplomacisë shqiptare të kohës tregoi pjekuri e shkathtësi në artin e diplomacisë duke e vënë atë në shërbim të çlirimit të shqiptarëve të Kosovës nga regjimi i Sllobodan Milosheviçit e zgjedha serbe.

Ky kontribut i veçantë për arritjen e marrëveshjes së Rambujesë është vlerësuar me nota shumë të larta nga udhëheqës europianë e amerikanë e nga kolegët e tij, ministra të jashtëm të kohës si Madelen Ollbrajt, Robin Kuk, Hyber Vedrin, Joshka Fisher, Lamberto Dini, Ana Lind, e të tjerë. Kryeministri i Britanisë së Madhe në atë kohë, Toni Bler në një letër të posaçme drejtuar kryeministrit shqiptar, Pandeli Majko, duke falënderuar nxehtësisht për rolin pozitiv që luajti qeveria shqiptare në përpjekjet për zgjidhjen e konfliktit të Kosovës shkruante : “në veçanti, unë di që Paskal Milo ka qenë jashtëzakonisht aktiv”.

Përfaqësuesi i lartë i BE në Konferencën e Rambujesë dhe nënshkruesi i Marrëveshjes në emër të tij, Ambasadori Volfgang Petriç ka shkruar se “…akti kurajoz i Paskal Milos ishte vendimtar për ta bërë delegacionin shqiptar të Kosovës të pranonte traktatin e paqes. Ne sot e dimë që me ndihmën e Paskal Milos, u vendosën në Paris, themelet e pavarësisë së Kosovës… Njeriu mund ta thotë qartë se ishin pak politikanë që kishin kaq shumë influencë në një vendim të përmasave historike, si kishte Paskal Milo në ato ditë fatale të pranverës së 1999-s. Paskal Milo, një patriot i madh shqiptar dhe një europian i vërtetë, ka dhënë një kontribut me përmasa historike”.

Po t’i bësh një skaner tërë veprimtarisë jetësore të Profesor Paskal Milos, në sintezë ,do  shohësh se ka një karrierë të pasur shtetërore dhe shoqërore. Me atë takohesh në dy valë të fuqishme zëri. Me zërin e historianit dhe zërin e politikanit. Në të dy valët ka qenë në sinkron për të thënë të vërtetën pa kompromis, duke e parë në dritën e fakteve të shkruara dhe jo të diletantizmit klientelist. Falë dijeve të tija historiko-shoqërore, ndërgjegjes dhe formimit intelektual, pjekurisë politike, karakterit të qëndrueshëm gjenetik, kontributi i tij ka qenë një vlerë e pakontestueshme në momentet më kritike të zhvillimeve demokratike, Në veprimtarinë e tij historike dhe politike, që janë dy anë të së njëjtës medalje, ai ka qenë i mbështetur në argumente, jashtë oportuniteteve klanore, duke marrë dhe kosto personale. Në qëndrimet dhe gjykimet e tij, ka qenë dhe është një lider i mençur, duke respektuar mendimet e kundërshtarit, por pa bërë kompromise me pa të vërtetat. Gjatë debateve qofshin ato për të vërtetat historike apo ngjarjet politike, edhe kur s’kanë qenë objektive, ai ka dialoguar,debatuar dhe diskutuar me qetësi e maturi, me sjellje intelektuale, ku argumentet burojnë nga mençuria dhe jo arbitrariteti provincial. Edhe kur kanë  dashur ta zëmërojnë e të triumfojnë me bagazhin e pasionit të mbushur me fyerje, që kanë akumuluar disa “intelektualë demokrat”, përsëri ai i ka mposhtur me qëndrimin e tij të kulturuar dhe gjakftohtësinë që ja jep formimi dhe kultura intelektuale. Një cilësi tjetër dalluese, është se Profesor Paskali, nuk e harron kurrë vendorigjinën e tij, miqt dhe shokët nga ka nisur rrugën e gjatë të jetës. Ai, fund-javën, e fiton dhe shijon kënaqësi në fshatin e tij të lindjes, në Palasë. Aty ka rrënjët, që nuk thahen kurrë. Ato, janë të vaditura me djersën e brezave të parëve të vet, që e bëjnë krenar dhe të lumtur për trashëgiminë që i kanë lënë pas si një vlerë të shtuar të emërit të tij.

Dija dhe kultura e tij, i ka dhënë fuqi mendimi dhe gjykimi për të triumfuar ndaj çdo sjellje dhe debati diabolik, që është provokuar në mjedise mediatike dhe ky qëndrim e ka fisnikëruar dhe lartësuar në sytë e shikuesve, për të mbetur një shembull që frymëzon. Ky personalitet i trashëguar dhe i fituar, përligj origjinën dhe shembullin e punës së tij në jetë. Siç thotë Telman: “Çdo njeri merr dy edukata: njërën nga prindërit që i japin përvojën e tyre jetësore, tjetrën, atë më të rëndësishmen, e merr vetë”.   

SHKARKO APP