Rrugorja e Tiranës heq me karrotrec makinat e parkuara në korsitë e autobusave. Bllokon edhe 102 mjete elektrike
Policia Rrugore e Tiranës ka vijuar aksionin për lirimin e korsive të dedikuara për transport publik dhe bllokimin e mjeteve elektrike.
Njoftimi i plotë:
Prioritete të punës së shërbimeve të Komisariatit të Policisë Rrugore Tiranë, gjatë 72 orëve të fundit, ishin:
Lirimi i korsive të dedikuara për transport publik;
Evidentimi dhe ndalimi i shtetasve që drejtojnë mjetet, në efektin e alkoolit ose të lëndëve narkotike,
Konstatimi i rasteve të mospagimit të masave administrative;
Kontrolli i zbatimit të udhëzimit për ndalimin e përkohshëm të patinave elektrike.
Në përfundim të kontrolleve të zhvilluara në akse të ndryshme të kryeqytetit:
-40 automjete u tërhoqën me mjet ngritës, nga korsitë e dedikuara;
-25 shtetas u arrestuan/proceduan penalisht për vepra penale në fushën e qarkullimit rrugor. 3 prej tyre drejtonin automjete, në efektin e lëndëve narkotike;
-76 leje qarkullimi iu tërhoqën shtetasve që rezultojnë debitorë, për mospagim të detyrimeve administrative;
-90 monopatina dhe 12 motoçikleta elektrike u sekuestruan, për lëvizje në kundërshtim me udhëzimin nr. 169, datë 13.10.2025, të Ministrisë së Punëve të Brendshme, për ndalimin e përkohshëm të qarkullimit të patinave elektrike dhe çdo varianti të tyre të kombinuar, për arsye që lidhen me sigurinë publike dhe sigurinë e qarkullimit rrugor.
Policia Rrugore e Tiranës apelon për të gjithë drejtuesit e mjeteve që të respektojnë rregullat e qarkullimit rrugor, të mos përdorin korsitë e dedikuara dhe të mos drejtojnë mjetin në efektin e alkoolit apo të substancave narkotike.
Kontrollet do të vijojnë çdo ditë, me qëllim parandalimin e aksidenteve dhe rritjen e sigurisë për të gjithë përdoruesit e rrugës.
KOHA JONË SONDAZH

