Ruçi: Bashkëpunim ekonomik me Katarin
Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi, priti sot ambasadorin e Shtetit të Katarit në Shqipëri, Ali bin Hamad al Marri. Ruçi ritheksoi vullnetin e Shqipërisë për fuqizimin e marrëdhënieve midis të dy vendeve. Aktualisht këto marrëdhënie janë shumë të mira, por ato mund të intensifikohën sepse të dy qeveritë kanë shprehur vullnetin për zgjerimin e bashkëpunimit dypalësh. Këtij qëllimi do tu shërbejnë edhe vizitat e pritshme të udhëheqësve të lartë të të dy vendeve, vizita e afërt Zëvëndëskryeministrit dhe Ministrit të Punëve të Jashtme të Shtetit të Katarit në Tiranë dhe vizita e pritshme e Kryeministrit Edi Rama në Katar, në prill të këtij viti.
Qeveritë dhe institucionet e të dy vendeve po bashkëpunojnë për zgjerimin e bashkëpunimit ekonomik. Qeveria shqiptare po punon për nxitjen e investimeve katariane në projektet strategjike për vendin dhe së shpejti do t’i paraqsë Shtetit të Katarit një plan të ri projektesh në energjetikë, miniera, turizëm, infrastrukturë, transport ajror etj.
Ambasadori al Marri vuri në dukje se Qeveria e Shtetit të Katarit është mjaft e interesuar për rritjen e bashkëpunimit me Shqipërinë. Ambasada në Tiranë po punon për nxitjen e këtij bashkëpunimi, sidomos për shtimin e investimeve të Katarit në Shqipëri, lehtësimin e lëvizjes së qytëtarëve të të dy vendeve si edhe bashkëpunimin në aspekte të tjera.
Ambasadori al Marri i përcolli Kryetarit të Kuvendit z. Gramoz Ruçi ftesën për të marrë pjesë në në Sesionin e 140-të të Asamblesë Parlamentare të Unionit Ndërparlamentar (AP IPU), që do të zhvillohet në Doha, Katar më 6-10 prill 2019.