Rusia i kthen Shqipërisë “reston” për sanksionet
duke urdhëruar ndalimin e importeve të prodhimeve shqiptare. Dhe kjo, në pretekstin se vendi ynë sipas autoriteteve të saj, po shërben në fakt si një mbulesë për importet e Bashkimit Evropian, nën çertifikimin e të qenit gjoja një mall “Made in Albania”. Një situatë aspak e këndshme kjo, e cila është shoqëruar së fundmi me një vendim konkret për ndalimin e importeve të perimeve shqiptare, teksa autoritetet ruse janë angazhuar të zbulojnë skemat e ngjashme që sipas tyre po zhvillojnë edhe vendet e tjera të Ballkanit, të tilla si Mali i Zi, Maqedonia etj; pra duke arritur të depërtojnë në tregun rus mallra që mbajnë gjoja çertifikatën e tyre, por që në fakt janë prodhime të mirëfillta nga vendet e Bashkimit Evropian. Ku me këto të fundit, Rusia ka shpallur një “luftë” të hapur teksa ka qenë vetë BE-ja ajo që i ka paraqitur asaj sanksionet ekonomike në kuadrin e konfliktit të Ukrainës. Konkretisht, sa i përket rastit të Shqipërisë, ka qenë vetë Agjencia Ruse për Mbikëqyrjen Veterinare dhe Sanitare (Rosselkhoznadzor) e cila ka paraqitur dje një raport mbi importet e perimeve nga Shqipëria, në të cilin bëhet e ditur se duke nisur nga data 8 dhjetor, ato nuk do të lejohen më të hyjnë në territorin rus. Lajm ky i bërë me dije nga vetë mediat ruse, konkretisht ajo “Itar Tass”, e cila citon të flasë lidhur me një vendim të tillë, kreun e kësaj agjencie, Sergej Dankvert. “Shqipëria është përdorur si një mbulesë për importet nga BE nëpërmjet Bjellorusisë dhe të ashtuquajturin tranzit të rremë në Kazakistan”, ka qenë akuza e tij lidhur me vendin tonë. Teksa ka argumentuar më tej se vendimi i lartpërmendur u mor pikërisht në bazë të rezultateve të punës së përbashkët me palën shqiptare, ku sipas tij, është zbuluar një firmë që është angazhuar në krijimin e çertifikatave fitosanitare shqiptare në një shtypshkronjë në Republikën Çeke. Dhe se sipas tij, Shqipëria nuk arriti të ofrojë informacionin e duhur mbi prodhimin e saj të frutave dhe perimeve të nevojshme për t’i krahasuar prodhimet e saj me sasinë e shtuar të furnizimeve për Rusinë. “Faza tjetër është Maqedonia, Bosnja dhe Zvicra. Ne do të mbajmë një takim me to më vonë”, mësohet të ketë cituar gjithashtu Dankvert lidhur me këtë problematikë, duke paralajmëruar në këtë mënyrë një ndëshkim në grup të të gjitha vendeve që sipas Rusisë, nuk po bëjnë gjë tjetër veçse po e ndihmojnë Bashkimin Evropian që të fusë produkte ushqimore në territorin e saj, përmes tyre, kur një gjë e tillë është e ndaluar. Kujtojmë sakaq, se në muajin gusht, Rusia ndaloi importet e viçit, derrit, pulave, peshkut, djathit, produkteve të qumështit, frutat dhe perimet nga Australia, Kanadaja, Norvegjia, SHBA-të pikërisht si një kundër-përgjigje ndaj sanksioneve perëndimore ndaj saj. Ndërkaq, mësohet se kanë nisur papritur eksportet shqiptare në Bjellorusinë, kryesisht në “Frutat dhe arrat e ngrënshme”, grup i cili në gusht të vitit 2014 ka arritur shifrën e 2.2 milionë lekë kundrejt muajve të tjerë, në të cilët ishte zero. Dhe dyshohet se është pikërisht Bjellorusia që po përdoret si pikë tranziti për eksporte në vende të tjera. Sakaq, pak ditë më parë, teksa ka ndaluar importet e mishit nga Mali i Zi, Rusia paralajmëroi se kjo mund të imponojë ndalime të ngjashme ushqimore edhe mbi produktet nga Shqipëria dhe Maqedonia, në përpjekje sipas saj për të mbyllur plotësisht shtigjet për produktet ushqimore nga Bashkimi Europian në territorin e saj. Ndërsa vetë Ministria ruse e Bujqësisë bëri të ditur se u ka kërkuar tregtarëve shqiptarë të kajsive të dorëzojnë çertifikatat e origjinës së mallit, pasi dyshonin se ata kishin rieksportuar mall nga vendet e BE-së. Dhe kjo, pasi sipas autoriteteve të saj, importet e kajsive nga Shqipëria u rritën menjëherë me katër herë, veprim ky i cili erdhi menjëherë pasi kancelarja gjermane, Angela Merkel, paralajmëroi Rusinë të mos ndërhyjë në Ballkanin Perëndimor. Vetë drejtori i Drejtorisë së Mbikëqyrjes, Sergei Dankvert, deklaroi se Shqipëria dhe Maqedonia do të përballeshin me ndalime në qoftë se ato nuk hidhnin poshtë dyshimet për çertifikatat e tyre. Duke folur kështu për një kujdes të shtuar të autoriteteve ruse në tërësi që të mos e pësojnë prej ndonjë mashtrimi të mundshëm prej vendeve të Ballkanit, me prodhimet që ua shesin gjoja si të tyret, por në fakt janë të vendeve të Bashkimit Evropian, duke u bërë këtyre të fundit kësisoj një goxha “nder”, në këmbim të inferioritetit të tyre për një anëtarësim sa më të shpejtë me të drejta të plota në këtë union …
SITUATA
Tregu rus tani është i zbrazët, ndaj edhe josh
Tregu rus tani për tani është i zbrazët, falë sanksioneve të vëna prej Perëndimit kundër tij, prandaj edhe po i josh shumë tregtarët nga vendet e Ballkanit, të cilët duket se nuk duan të humbasin asnjë minutë kohë nga kjo situatë e krijuar, që çojn ujë “në mullirin e tyre”. E pikërisht, ndoshta nga të tilla kushte, mund të lindin edhe keqkuptime, apo shkelje të mundshme të rregullave tregtare ndërkombëtare, të cilat në fakt nuk të lejojnë që ti t’i shesësh një vendi tjetër, mall të çertifikuar si tëndin, por ama që figuron me origjinë diku tjetër. Kësisoj, edhe Rusia ka të drejtë nga ana e saj. Që të kërkojë pikërisht respektimin e rregullave të tregut. E në të tilla situata, kur duket se secila palë i ka gati argumentat e saj mbrojtës, nuk mbetet gjë tjetër për t’u bërë përveçse zgjedhjes së rrugës diplomatike, ku ato të ulen përballë njëra-tjetrës dhe të sqarojnë të gjitha paqartësitë e krijuara.
SHIFRA
Tregtia me Rusinë
Deri në fund të vitit 2013, marrëdhëniet tregtare të Shqipërisë me Rusinë mund të thuhet se ishin në një nivel modest. Ku eksportet zunë vetëm 0.1% të totalit, ndërsa importet nga Rusia, zunë 2% të gjithë shkëmbimeve tregtare që vendi ynë realizon me jashtë. Sipas kësaj ecurie, i bie që marrëdhëniet tregtare me Rusinë të kenë qenë me defiçit për ekonominë tonë të paktën deri në fund të vitit 2013. Por duket se embargoja e këtij viti si një ndëshkim ndërkombëtar ndaj Rusisë, në kuadrin e konfliktit me Ukrainën, i ka dhënë një shas zhvillimi tregtisë mes dy vendeve tona. Këtë e tregon fakti se vetëm gjatë muajit shtator të këtij viti, moment ky kur nisën edhe sanksionet perëndimore, eksportet e frutave dhe arrave shqiptare drejt Rusisë u katërfishuan, në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Konkretisht, nga 163 milionë lekë që ishte eksporti i këtyre artikujve në shtatorin e vitit 2013, këtë vit, kjo vlerë u rrit në mbi 673 milionë lekë, ose 481 mijë euro. Duke folur kësisoj për një trend rritje të shkëmbimeve, pikërisht në momentin kur drejt Rusisë, tani eksportuesit janë më të pakët. Dhe këtë e tregojnë edhe shifrat, ku sipas tyre, në fund të vitit 2013, tregtia ndërmjet Rusisë dhe Bashkimit Europian vetëm për frutat dhe perimet shënoi një vlerë prej 1.3 miliardë eurosh. Ndërsa, vlera e përgjithshme e artikujve bujqësore përfshinë një shumë prej 12 miliardë eurosh.