Sa mirë që nuk mban asnjë premtim!

 

Nga Lutfi Dervishi*/

Edhe pak muaj dhe mbushen plot 3 vjet nga 10 premtimet kryesore të kësaj qeverie për Shqipërinë.  Falë Zotit asnjë prej 10 premtimeve kryesore nuk është përmbushur dhe kjo siç do të dalë edhe më poshtë është bërë për të mirën e të gjithëve., për demokracinë, sigurinë dhe stabilitetin e vendit.

INFRASTRUKTURA…. Kandidati i Beratit theksoi se “para së gjithash PS-ja do të ndërtoj rrugë për të lidhur akset e rëndësishme kombëtare, duke i ndërtuar ato. Përveç korridoreve të kaltër dhe të gjelbër, Lame premtoi edhe ndërtimin e autostradës së parë të shqiptarëve, sipas standartave të çertifikuara”. Imagjinoni sikur të kishte ndodhur hataja dhe të ishte mbajtur ky premtim. Shqiptarët do të mbeteshin rrugëve. Nga Veriu në Jug, dhe anasjelltas.  Do të kishte pak mëdyshje se cilin  korridor të zgjidhnin për të udhëtuar, por më pas do të vijonin problemet. Do të rritej numri aksidenteve, dhe kështu do të minohej edhe premtimi për shëndetësi falas, sepse do të rriteshin kostot. Plus që do të harxhonin më shumë naftë dhe lekë duke bredhur. Shqipëria do të dukej një vend akoma më i vogël sepse po shkove për dy orë nga Shkodra në Vlorë…. nuk ke as se çfarë shikon. Si përfundim, njerëzit kanë kursyer, janë më të shëndetshëm dhe janë bërë edhe kureshtarë.. psh. ende ka kuriozitet kur do të mbarojë rruga Tiranë- Elbasan? koeficienti se mbaron brena këtij mandati është 5, përkundër 2. 5 pas 8 vjetëve dhe 12, asnjëherë.

TRANSPARENCA: “Kandidati socialist për Fierin, premtoi dje në Konventë se transparenca e punës së institucioneve do të jetë shtyllë kryesore për socialistët. Kuvendi do të rifitojë funksionet kushtetuese dhe se do të hapje kanal televiziv për veprimtarinë e tij”… Mendoni një moment sikur të ishte mbajtur ky premtim? Monotoni deri në bezdi. Opozita do të dilte jashtë loje. Nuk do të kishte kuptim afera CEZ- për shembull. Nuk do të kishim as faqen e famshme. transparenca.al. A shtyhet dita pa vizituar këtë faqe?!  Kanal televiziv për Kuvendin?! – Kur ka punë Kuvendi janë së paku 7 kanale televizive që japin “live”! Janë aq shumë kanale sa tani kërkohet hapja e një hidrovori!

RINIA: Sekretari për Rininë, theksoi se nën qeverisjen socialiste, të rinjtë do të kishin mundësi të barabartë, për punësim dhe karrierë… në diplomacinë shqiptare nuk do të punësoheshin më familjarë..10 fish mikrokreditë për të rinjtë”! Po të mbahej ky premtim, dhjetëra mijëra të rinj sot nuk do t’i kishim në Gjermani apo vende të tjera, por do të ishin këtu- barrë për familjen, barrë për shoqërinë, barrë për kombin. Kështu si kanë ardhur punët, duhet ndërruar edhe parrulla e vjetër: “Si është rinia sot, do të jetë atdheu nesër”. Parrulla aktuale është: “ku është rinia sot, do të jetë atdheu nesër”. Rinia sot drejt Gjermanisë, Atdheu nesër në Gjermani. Kështu i japim edhe një mësim të mirë Brukselit. Nuk na pranon si anëtar nga dera, ne të futemi nga oxhaku!

DREJTESIA, “PS do ta çlirojë Drejtësinë nga presioni për interesa politike dhe korruptive, duke e pastruar atë nga çdo shërbëtor që i shërben pushtetit”. Për këtë premtim flet vetë situata. Ja psh, qëlloi deputeti me armë pa leje ndaj qytetarëve. U mblodh gjykata e lartë dhe me pa anësi tha se dënimi më i rëndë që mund t’i jepet një burri është : të mos e lesh të dalë nga shtëpia. Duke e paturë në konsideratë këtë rast, kjo pikë quhet pjesërisht e realizuar.

KORRUPSIONI: “Deputeti.. . u zotua në emër të socialistëve se gjatë qeverisjes së të majtëve askush nuk do të tolerohej të abuzonte me pushtetin dhe ta përdorte atë për interesa personale, të familjarëve apo klaneve…. Ndëshkim për çdo shkelës të ligjit dhe  transparencë në çdo konçesion të dhënë…”. Kjo është qershia mbi tortë. Prap këto del fjala transparencë dhe konçesion. Këto dy fjalë bashkë sot… krijojnë aq të qeshura sa nuk mund të prodhojë prodhimi më i mirë i Portokalli dhe Al Pazar të marrë së bashku!! Por duhet thënë se meritë për këtë gjendje humori ka vetëm qeveria! Po të mbahej ky premtim? Me çfarë do të mbahej media? Me çfarë do të mbahej opozita? Po shoqnia civile?!

PRONAT…. Për efekt serioziteti më mirë të mos e përsërisim këtë premtim.

BIZNESI. “Klimë lehtësuese dhe favorizuese për biznesin. Stabilizim të administratës tatimore dhe doganore”. Për këtë premtim mjaft të kujtojmë muajin shtator dhe tetor me aksionin e famshëm anti informalitet. Po të mbante premtimin qeveria për të ulur e hequr taksat, për të bërë sistem efikas në dogana dhe tatime….atëherë me çfarë kauze do të dilte këto kohë opozita shqiptare?

EMIGRANTËT: “Do të garantohet e drejta e votës, buxhet për problemet dhe shqetësimet e tyre”… Këtu duhet pak sforco për të mbajtur gazin. Votë për emigrantët?! – kaq sa kanë mbetur dhe shkon numërimi 1 javë dhe gjyqet dy muaj dhe kontestimi 4 vjet, imagjino të shtohet edhe vota emigrantëve, ky vend do të gdhihej e ngrysej duke numëruar votat. Një bravo e fortë qeverisë që nuk e ka mbajtur këtë premtim.

MEDIA: “reklamat shtetërore nuk do të jenë më ushqim për mediat qeveritare. RTSH do i kthehet publikut dhe interesave të tij.. Akses të plotë për gazetarët dhe qytetarët te dokumentacioni shtetëror”.  Po të ishte mbajtur ky premtim do të rrezikohej liria e shtypit. Me çfarë do të mbaheshin mediat tradicionalisht qeveritare?! Po t’i kthehej RTSH publikut… mediat private çfarë do të bënin?! Po të merrnin vesh qytetarët ç’bën qeveria, me çfarë do të merrej media dhe opozita dhe shoqnia civile?!!! Një mijë herë mirënjohës që nuk u mbajt ky premtim.

300 mijë vend pune…. Ky premtim është dhe më problematiku se sipas qeverisë, 170 mijë vende pune janë hapur! Megjithatë… ka shpresë se të paktën edhe ky premtim nuk do të mbahet plotësisht.

Si përfundim, duhet t’i jemi mirënjohës kryeministrit që duket se është kujdesur personalisht që të mos plotësohet asnjë prej premtimeve bazë (pa folur këtu për premtimet e tjera anësore si “shëndetësia falas” etj etj). Falë mos mbajtjes së premtimeve ne jemi një vend ku qytetarët nuk e kanë jetën e mërzitshme. Çdo ditë vjen një skandal, edhe nëse mungon skandali, del një koncesion, edhe nëse mungon koncesioni del një partneritet qeveri- biznes, edhe nëse mungon kjo del një VKM që zbulohet me vonesë dhe nëse asnjë prej sa më sipër nuk shfaqet, njerëzit kanë mundësi të ndezin televizorin dhe të shohin kryeministrin.

Nëse do të plotësoheshin premtimet e mësipërme, nuk do të kishte më jo adrenalinë, por as emocione, opozita do të ishte pa punë, rrezikonim kthimin në një parti-shtet, liritë tona do të ishin në rrezik. Në vend që të flasim për mos mbajtje premtimesh, është më korrekte të flasim për vizion dhe largpamësi. Nëse do të mbaheshin premtimet e mësipërme rrezikonim shumë.

Shkurt, do të ishim bërë një vend si Zvicra! Dhe në kushtet kur për EURO 2016, jemi në një grup me Zvicrën, ndeshja me to do të cilësohej derbi. Zvicra përmballë Zvicrës me det….  A ka gjë më të mërzitshme se kjo?

Falë qeverisë do ta shijojmë me emocione Euro 2016!

P. S. Premtimet janë marrë (copy- paste) nga Konventa e PS, 21 maj 2013

*Shkruar për SYRI.net

SHKARKO APP