Sabri Fejzullahu: Ja pse mbaj mustaqe
“Në 50 vite karrierë, nuk kam pushuar një ditë dhe kam kënduar 998 këngë që janë të gjitha të miat”. Kjo ka qenë deklarata e bujshme që ka bërë në emisionin Oktapod të Turjan Hyskës, këngëtari i mirënjohur nga Kosova, Sabri Fejzullahu. Gjatë një interviste ekskluzive, Fejzullahu tashmë 71 vjecar, ka ndarë shumë kujtime të jetës së tij, që nga kontakti i parë me Shqipërinë, para viteve ’70, si aktor i dramës “Gjenerali i Ushtrisë së Vdekur” të Kadaresë, e deri në koncertet e ditëve të sotme.
Duke njoftuar shifrën “rekord” të këngëve të tij, Sabri Fejzullahu nuk e konsideron si limit atë shifër, pasi njoftoi se në muajin qershor të këtij viti, do të lancojë një tjetër album me 8 këngë të reja. Gjatë rikthimit emocional që ka bërë ndër vite, këngëtari nga Kosova tha me krenari se audienca e tij, i përket moshës nga 16 deri në 30 vjec, fakt ky që edhe argumenton suksesin aktual të tij.
Këngëtari u shpreh edhe për mbyllje3n totale që autoritetet serbe i bënë kulturës kosovare në fillim të viteve ’90 dhe vështirësitë për të mbajtur gjallë traditën artistike. Fejzullahu rrëfeu se është zgjedhur nga Partia Demokratike e Kosovës si deputet në parlamentin e parë, duke sqaruar se nuk e ka ndjerë veten mirë në politikë, ndaj edhe ka preferuar tërheqjen prej saj. Sipas tij, nëse Zoti nuk do t’i kishte falur zërin, ai do të ishte bërë mjek shumë i mirë, pasi e ka patur pasion këtë profil.
I ngacmuar nga moderatori Hyskaj për “historinë” e mustaqeve të pahqeura kurrë, Fejzullahu tregoi për herë të parë se i ka mbajtur për shkak të aktori Omar Sharif, i famshëm në vitet ’60-70, vecanërisht në filmin “Doktor Zhivago”. Në pozicionin e gjyshit të 10 nipërve dhe mbesave, Sabri Fejzullahu tha i emocionuar se ndihet si maja e mjaltit në mes të pasardhësve të tij.