Sala në Pogradec: Për herë të parë, tarifa të unifikuara për turistët e huaj në qendrat shëndetësore verore
Ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Prof. Evis Sala, gjatë inspektimit në Qendrën Shëndetësore Verore të Pogradecit, bëri të ditur se këtë sezon turistik janë në funksion 36 qendra shëndetësore verore në të gjithë vendin, të cilat ofrojnë shërbim të pandërprerë 24 orë në ditë, 7 ditë në javë, për qytetarët dhe turistët.
Qendrat janë të pajisura me staf mjekësor, barna dhe pajisje të nevojshme për të garantuar kujdes shëndetësor të shpejtë dhe cilësor gjatë sezonit veror. Shtrirja e këtij rrjeti është kombëtare, me 28 qendra në zonat bregdetare, 5 në zonat malore dhe 3 në destinacione turistike me rëndësi kulturore dhe fetare.
“Qendrat shëndetësore verore janë një element i rëndësishëm i gatishmërisë sonë për sezonin turistik. Ato sigurojnë akses të menjëhershëm në kujdes shëndetësor për pushuesit dhe turistët në çdo zonë të vendit”, u shpreh ministrja Sala.
Gjatë vizitës, ministrja njoftoi gjithashtu nisjen e zbatimit të një kuadri të ri të unifikuar për regjistrimin, trajtimin, tarifimin dhe dokumentimin e shërbimeve shëndetësore të ofruara për shtetasit e huaj në institucionet shëndetësore publike.
Sipas saj, për herë të parë vendosen rregulla të qarta dhe transparente për ofrimin e shërbimeve ndaj turistëve të huaj, me tarifa të publikuara paraprakisht dhe të bazuara në legjislacionin në fuqi.
“Ky urdhër vendos për herë të parë një kuadër të unifikuar për regjistrimin, trajtimin, tarifimin dhe dokumentimin e shërbimeve shëndetësore të ofruara për shtetasit e huaj në institucionet shëndetësore publike”, deklaroi ministrja Sala.
Kuadri i ri përcakton kategoritë e shtetasve të huaj që përfitojnë shërbime falas, rregullat e aplikimit të tarifave për shtetasit jo-rezidentë, procedurat për rastet e mbuluara nga marrëveshjet ndërkombëtare, si dhe detyrimin për publikimin paraprak të tarifave, informimin e pacientit mbi kostot e trajtimit dhe lëshimin e dokumentacionit financiar përkatës.
Ministrja theksoi se sistemi i ri garanton transparencë, trajtim të barabartë dhe respektim të të drejtave të pacientëve, ndërsa të ardhurat e gjeneruara nga tarifat do të përdoren për përmirësimin e cilësisë së shërbimeve dhe forcimin e kapaciteteve të institucioneve shëndetësore publike.
Që nga fillimi i sezonit veror 2026 ( 1 qershor)m deri më tani, në të gjitha qendrat shëndetësore verore janë trajtuar 4,940 pacientë. Diagnozat më të shpeshta kanë qenë hipertensioni arterial, alergjitë dhe virozat e stinës, duke dëshmuar rolin e rëndësishëm të këtyre strukturave në garantimin e kujdesit shëndetësor pranë destinacioneve turistike. Pranë qendrave shëndetësore verore shërbejnë 301 mjekë dhe infermierë, të cilët janë në gatishmëri të plot për të ofruar kujdes shëndetësor të pandërprerë 24 orë.
KOHA JONË SONDAZH

