Sarandë/ Kreu i IKMT, Qendro: Zero tolerancë ndaj ndërtimeve pa leje, të forcohet kontrolli në territor
Kreu i Inspektoratit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit, Afrim Qendro gjatë një takimi të zhvilluar në Sarandë, tha se ndërtimet pa leje, zaptimi i hapësirave publike dhe çdo abuzim në kurriz të interesit qytetar dhe zhvillimit të qëndrueshëm të turizmit do të përballen me ”zero tolerancë”. Gjatë një takimi të zhvilluar ku ishin të pranishëm edhe ministri i Punëve të Brendshme, Besfort Lamallari, drejtues të Policisë dhe institucioneve vendore, Qendro theksoi rëndësinë e forcimit të kontrollit të territorit dhe garantimit të sigurisë publike në zonat bregdetare.
”Kemi një situatë jo normale në vijën bregdetare për shkak të tentativave për ndërtime pa leje, jo vetëm në zonën afër detit, por edhe në banesa private dhe objekte hoteliere. Nga ana e Inspektoratit Kombëtar janë zhvilluar kontrolle dhe është dashur ndërhyrja jonë në disa objekte”, tha ai.
Sipas Qendros, disa objekte janë prishur, janë vendosur gjoba dhe janë ndërprerë punimet në disa raste të konstatuara në terren. Ai ngriti gjithashtu shqetësimin për funksionimin e Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit në Sarandë, duke kërkuar rritje të masave parandaluese dhe më shumë prezencë në terren. ”Duhet rritur parandalimi dhe më pas të kalojmë te masat administrative. IMT-ja duhet të jetë më prezente në territor, të veprojë me më shumë masa dhe bashkëpunimi mes policisë bashkiake dhe Policisë së Shtetit të jetë më i fortë në fushën e parandalimit të ndërtimeve pa leje”, deklaroi Qendro.
Ai tha se ndërhyrjet në territor duhet të kryhen në mënyrë të balancuar dhe në funksion të ruajtjes së harmonisë në qytet. Qendro pohoi se institucionet po bashkëpunojnë ngushtë me Bashkinë dhe Policinë e Shtetit për të parandaluar ndërtimet pa leje dhe për të garantuar një sezon turistik të suksesshëm. Kreu i IKMT siguroi se institucioni që ai drejton do të vijojë të jetë në krye të detyrës për zbatimin e ligjit dhe luftën ndaj çdo fenomeni në kundërshtim me ligjin. ”Inspektorati Kombëtar do të jetë në krye të detyrës në zbatim të ligjit për të gjitha fenomenet që janë në kundërshtim me ligjin”.
KOHA JONË SONDAZH

