Seanca e parë, seanca e fundit
Nga Ardit Rada
Seanca e parë e Kuvendit të dalë nga zgjedhjet e 25 Qershorit nxorri në pah një defekt të demokracisë shqiptare. Frikën “e drejtë” të kryetarëve të partive politike nga vota e fshehtë, e cila me gjasë në shumicën e rasteve sjellë edhe vendime individuale të deputetëve. Së paku dy vota rrodhën dje nga Partia Demokratike në favor të Gramoz Ruçit, ndërsa paralelisht Lulzim Basha organizonte protesta anti-komuniste në vitin 2017.
Megjithatë, lëvizjet e djeshme politike në sallën e Kuvendit të Shqipërisë janë një tregues për vijimësinë e arenës politike në 4 vitet që na presin. Ndërsa zgjedhjet e fundit prodhuan dy opozita, PD-në dhe LSI-në, duket se kjo e fundit është ende e paqartë. Duke u rikthyer në votimin e fshehtë, duket se ky ka qenë shkaku përse Monika Kryemadhi nxorri jashtë salle 19 deputetët e partisë që drejton.
Nga ana tjetër, Partia Demokratike edhe zyrtarisht dha një sinjal të dukshëm se paralajmëron një opozitë të qetë për shkak të reflektimit ndaj së shkuarës ose mungesës së ideve për t’u paraqitur më radikale.
Vetë zgjedhja e një zëri më të moderuar në krye të Grupit Parlamentar, atë të Edmond Spahos, paralajmëron se gjuha e ashpër me mllef dhe fyerje e Palokës tashmë nuk do të dëgjohet më në foltore. Ndërkohë, përballë Sali Berishës, që fliste pa asnjë pengesë nga ish-kryeparlamentari Meta, tashmë qëndron Ruçi, njëriu i “hekur” i socialistëve që më shumë sesa politikën ka pasion disiplinën.
Çakordimi brenda rradhëve në PD dhe fryma mosbesuese brenda LSI-së tregon se ende nuk është konsoliduar idea e një aksioni opozitar në të dyja opozitat. E gjithë kjo situatë lë të nënkuptohet se “Rama 2” pritet të qeverisë e qetë jo vetëm për shkak të shumicës 74+. Një qetësi kjo që mund të jetë e bezdisshme deri diku për debatin e nevojshëm politik. Sepse me gjasë, seanca e fundit e kësaj legjislature do të jetë si e para.