
Seanca gjyqësore ndaj ish-deputetes së Partisë së Lirisë, Monika Kryemadhi është shtyrë për në datën 5 nëntor, për shkak të bojkotit të avokatëve. Pas përfundimit të seancës, Kryemadhi ka reaguar për mediat, duke shprehur pakënaqësinë për mënyrën se si po zhvillohet procesi gjyqësor ndaj saj. Ajo tha se situata e krijuar po i cenon të drejtën për t’u mbrojtur, ndërsa vuri në dukje se në seancat e mëparshme ishte njoftuar se procesi do të vijonte edhe pa praninë e avokatëve.
”Unë jam në vazhdimin e parashtrimeve të mia që kam për të vazhduar në seancat e tjera”, u shpreh Kryemadhi, duke theksuar se në këtë fazë të procesit mund të vijonte deklarimet e saj edhe pa ndërhyrjen e mbrojtësit. Megjithatë, ajo e cilësoi praninë e avokatëve në sallën e gjyqit, por pa veshur petkun zyrtar, si një tregues të ngërçit të krijuar në sistemin e drejtësisë.
Kryemadhi ngriti gjithashtu pikëpyetje mbi vendimmarrjen për bojkotin e avokatëve, duke pretenduar se vendimi nuk është marrë nga i gjithë komuniteti i tyre dhe se mungon njoftimi zyrtar për një vendim gjykate që lidhet me këtë çështje. “Mua më intereson që i gjithë ky proces më shpërdoron të drejtën e mbrojtjes”, deklaroi ajo, duke argumentuar se ligji parashikon mbrojtjen me avokat, ndërsa në kushtet e krijuara ajo pretendon se nuk po arrin të ushtrojë plotësisht as të drejtën për t’u mbrojtur vetë.
Sipas ish-deputetes, kjo situatë po krijon pasiguri në marrëdhëniet mes qytetarëve, avokatëve dhe gjykatave, duke vënë në pikëpyetje efektivitetin e Reformës në Drejtësi. ”Ne kemi bërë një Reformë në Drejtësi për të mbrojtur qytetarët, por në fakt nuk i mbron”, u shpreh Kryemadhi, e cila e cilësoi situatën njëkohësisht “qesharake” dhe “të dhimbshme”. Në përfundim të reagimit të saj, ajo theksoi se përballë kësaj situate kërkohet, sipas saj, “durim strategjik”. Seanca e radhës është caktuar të mbahet më 5 nëntor.
