Segmenti Lin-Pogradec – 1 mld lekë për pjesën e mbetur 17 km

Pas problematikave ndër vite, duket se më në fund segmenti i shumëpërfolur Lin-Pogradec do të kompletohet, duke bërë që të kthehet në kushte normale.

Autoriteti Rrugor Shqiptar ka hapur tenderin për ndërtimin e 17 km të mbetura të këtij segmenti, konkretisht nga kilometri i 4-t deri në kilometrin e 21-të, me vlerë 1 miliardë lekë, pa përfshirë vlerën e TVSH.

Në njoftimin e publikuar në Agjencinë e Prokurimeve Publike, bëhet me dije se kohëzgjatja e kontratës ose afati kohor për ekzekutimin është 24 Muaj, ndërsa afati kohor për dorëzimin e ofertave ose kërkesave për pjesëmarrje është data 7 Qershor 2017, ora 11.00.

Segmenti në fjalë përfshin Lotin 2 dhe Lotin 3 te aksit nacional Qafe Thane – Lin – Pogradec, nga km 4 në  km 21+050, segment i rikonstruktuar së fundmi bazuar në kontrata të vitit 2011 dhe 2013 por që ka nevojë për riasfaltim, gjelbërim, sinjalistikë, nënkalime, etj.

Projekti i plotë për ndërtimin e këtij segmenti ka pësuar disa ndryshime duke shmangur prishjen e bunkerëve, futjen në liqen dhe duke shtuar një tunel. Ministria e Kulturës ka kërkuar që dy bunkerët të konsideruar si monumente historike, të ruhen dhe të ruhet vija e liqenit, pasi është pikë kryesore plazhi për banorët e Pogradecit dhe turistët.

Faza e parë e punimeve në këtë segment ka kushtuar 24 miliardë lekë, ndërkohë që duket se edhe në këtë sezon turistik, vizitorët do të përballen me punime në rrugë dhe vështirësi në kalim./scan/ /a.g/

SHKARKO APP