Sejko: Falimentet e mëdha, mund të shtojnë kreditë e këqija
Ristrukturimi i disa kredive me probleme që kanë rreth 30 kompani të mëdha ka nisur, ndërsa Banka e Shqipërisë ka nxjerrë një rregullore të unifikuar për të gjitha bankat, sesi duhet të procedojnë.
Janë rreth 90 milionë euro, për të cilat bankat kanë rënë dakord të lidhin marrëveshje të reja me debitorët. Në raportimin vjetor në Kuvend, guvernatori Gent Sejko tha se duhet miratimi sa më parë i ligjit të ri për falimentimin.
“Për ato raste, të cilat janë vërtet pa asnjë perspektivë pozitive, miratimi i ligjit të falimentit do të jetë një hap tjetër cilësor, që do të ndihmojë të gjithë procesin, kryesisht bankat dhe sistemin financiar”, tha Guvernatori Sejko.
Për vitin që shkoi, niveli i kredive me probleme ra në 18%, por rreziqet mbeten. Edhe pse situata nuk është alarmante, sipas Guvernatorit një falimentim i kompanisë “KURUM” do ta rriste nivelin e kredive me probleme me 1%.
“Pjesën më të madhe të ekspozimit e ka me institucionet financiare ndërkombëtare, nuk e ka me sistemin bankar. Në raport me ekspozimet dhe marrëdhëniet që kjo kompani ka me sistemin bankar, ka qenë standarde dhe vijon të jetë e tillë duke vazhduar të shlyejë detyrimet. Nëse marrim skenarin më pesimist, në rast se kompania do të shpallë falimentin, kjo do të ndikonte në rritjen prej 1% të nivelit të kredive të këqija”, tha Gent Sejko, guvernator i BSH-së.
Përsa u përket zhvillimeve për vitin që shkoi, Sejko tha se është ruajtuar qëndrueshmëria e çmimeve dhe se, rritja ekonomike pritet të jetë 2,7%. Ai shtoi se banka qendore ka në plan ta shohë përsëri në ulje normën bazë të interesit, për të nxitur ekonominë dhe për të luftuar inflacionin e ulët.