Sejko: Tregu i financiar duhet të zgjerohet, duhet zvogëluar monopoli i bankave
Pavarësisht zhvillimeve pozitive në ekono0minë shqiptare sistemi financiar, ende mbetet i dominuar nga sistemi bankar dhe zhvillimet e tij. Në raportin e fundit të stabilitetit financiar të Bankës së Shqipërisë, citohet se bankat përfaqësojnë ende rreth 90% të totalit të aktiveve të sistemit financiar, ekuivalent me 92% të PBB-së, ndërkohë që pjesa tjetër e sektorit financiar është e vogël dhe përbën vetëm 10% të totalit të aktiveve të sistemit financiar, u shpreh Guvernatori Gent Sejko ne Konferencën Vjetore të Bankës së Shqipërisë.
Ai tha se Vlerësimet dhe studimet e Bankës së Shqipërisë, por edhe studimet krahasuese të palëve të treta si Fondi Monetar Ndërkombëtar, tregojnë se tregu financiar në Shqipëri ka përhapje dhe shtrirje financiare afër nivelit ekuilibër të diktuar nga ekonomia dhe konsumatorët shqiptarë. Gjithashtu, treguesit e ndërmjetësimit financiar të shprehur si përqindje ndaj Prodhimit të Brendshëm Bruto, janë në nivele të përafërta me ato të vendeve të tjera të rajonit.
Guvernatori referoi se, mbizotërimi i segmentit bankar, natyrshëm ka çuar në një shkallë të lartë përqendrimi të produkteve dhe shërbimeve financiare në favor të tij. Mbi 80% e investimeve të rezidentëve në sistemin financiar janë në formën e depozitave dhe llogarive rrjedhëse. Vetëm pak mbi 12% janë në formën e letrave me vlerë të qeverisë ndërkohë që pjesa e mbetur, rreth 6.5% janë investuar në fondet e investimeve dhe ato të pensioneve private. Kjo e fundit përbën vetëm 0.1% të totalit të aktiveve të sistemit financiar. Statistikat tregojnë se numri i kompanive që operojnë në segmentet e tjera të sektorit financiar mbetet i ulët, ndërkohë që aktiviteti i tyre në terma të Prodhimit të Brendshëm apo të tregut financiar mbetet i papërfillshëm.
Përsa më sipër, konkluzioni logjik është se arkitektura e tregut financiar ende nuk mund të konsiderohet e plotë. Instrumentet financiare me maturitet afatgjatë janë të rralla, ndërkohë që ato afatshkurtra jashtë sistemit bankar, janë apatike dhe të fragmentuara, si në produkte ashtu dhe në tregje. Fryt i kësaj arkitekture financiare është një lloj presioni i shtuar mbi sistemin bankar, duke privuar ekonominë nga alternativat e tjera të financimit përtej atyre që ofrojnë bankat, tha Guvernatori.
Vrojtimet e Bankës së Shqipërisë tregojnë se njësitë mikro, ballafaqohen me pamjaftueshmëri burimesh financiare dhe me akses të kufizuar në kredi. Konkretisht, më shumë se 1/3 e ndërmarrjeve të intervistuara e vlerëson aksesin e ulët në financim dhe koston që shoqëron atë si shkakun kryesor të moszgjerimit të veprimtarisë. Këto njësi mikro që janë kryesisht biznese familjare, kanë më shumë nevojë të bashkëpunojnë me institucionet financiare jobanka, pasi ato hasin vështirësi në përmbushjen e kërkesave që lidhen me kolateralin apo dokumentacionin e hollësishëm financiar, kushte këto që kërkohen nga bankat. Ky është një tjetër argument që të çon në konkluzionin logjik, se përveç kapitaleve të veta dhe kredisë bankare, këto ndërmarrje do të përfitonin shumë nga segmente të tjera të tregut financiar.
Një element tjetër që pengon thellimin dhe zgjerimin e tregut financiar në Shqipëri, lidhet me shkallën e ulët të përfshirjes financiare të popullatës. Të dhënat më të fundit nga Ëorld Development Indicators tregojnë se vetëm 38% e të rriturve kanë një llogari pranë një institucioni financiar, ndërkohë që vetëm 6% dhe 22% e të rriturve kanë përkatësisht një kartë krediti dhe kartë debiti. Rritja e përfshirjes financiare nuk mund të bëhet vetëm dhe përmes sistemit bankar. Sistemi financiar, veçanërisht tregu i kapitaleve dhe i letrave me vlerë të korporatave, duhet të luajnë një rol të rëndësishëm në rritjen e përfshirjes financiare.
Përfitoj nga rasti të theksoj, se krahas nevojës për zgjerimin dhe thellimin e tregut financiar është e nevojshme të kujdesemi gjithmonë e më shumë për administrimin e rrezikut që na shoqëron çdo herë kur bëjmë një investim financiar.
Sot jemi dëshmitarë të një evolucioni të shpejtë teknologjik, i cili paraprakisht ka eliminuar kufijtë fizikë, ka lehtësuar aksesin në platforma elektronike investimi, ka vështirësuar shumë mbikëqyrjen dhe rregullimin e shumë prej instrumenteve financiare inovative që tregtohen në këto platforma.
Fenomeni i informalitetit, i kombinuar me shpejtësinë e inovacionit në fushën e instrumenteve financiare, është një rrezik real për çdo investitor që priret në mënyrë naive nga fitimi pa u thelluar më shumë në masën dhe natyrën e rrezikut ndaj të cilit ai ekspozohet. Në çdo rast, përfshirja duhet bërë me kujdes, duke i besuar ndërmjetësve dhe ndihmësve financiarë të specializuar, veprimtaria e të cilëve është e rregulluar dhe e mbikëqyrur nga një autoritet i ligjshëm në Shqipëri apo jashtë vendit.
Thellësia dhe shtrirja e tregjeve financiare përcakton bashkësinë e instrumenteve financiare të vlefshme për t’u tregtuar, në një spektër të gjerë nga këndvështrimi i maturitetit. Këto instrumente nuk janë gjë tjetër veçse hallkat e njëpasnjëshme të zinxhirit përmes së cilit transmetohen vendimet e politikes monetare. I gjithë procesi i tregtimit të instrumenteve shërben për të përcaktuar vlerën e aktiveve, çmimin e rrezikut dhe të kursimeve, e në fund të fundit preferencat drejt konsumit, kursimeve apo investimeve. Në këtë kuptim ekzistenca, plotësia dhe efikasiteti i tregut financiar luan një rol të rëndësishëm në transmetimin e politikës monetare. Është kjo arsyeja pse vëmendja e bankës qendrore fokusohet në këto tregje dhe në mirëfunksionimin e tyre.
Bazuar në këtë arsye specifike, Banka e Shqipërisë, prej kohësh ka iniciuar një seri lëvizjesh për të ndikuar me të gjitha mundësitë që ajo ka, në krijimin e një tregu financiar më të zhdërvjellët.
Masat e karakterit makroprudencial të marra në drejtim të likuiditetit dhe të kapitalizimit; kufizimet e vendosura mbi pozicionet me bankat jorezidente, provigjionet dhe kolateralin; paketa e masave të ndërmarra për uljen e kredive me probleme, të gjitha këto janë hapa të hedhur për të korrektuar problematika të lidhura me cektësinë dhe ngushtësinë e tregut, me shkallën e ulët të përfshirjes financiare dhe edukimin financiar jo adekuat.
Studimet dhe analizat e Bankës së Shqipërisë mbështesin përfundimin logjik se zhvillimi i tregut financiar është një faktor i rëndësishëm për nxitjen e aktivitetit ekonomik dhe rritjen e mirëqenies në përgjithësi. Ne në Bankën e Shqipërisë besojmë se struktura aktuale e tregut bankar stimulon konkurrencën në lidhje me produktet dhe shërbimet bankare.
Megjithatë, zgjerimi dhe thellimi i mëtejshëm i tregut është një sfidë që shtrohet para nesh, ku nënkuptoj të gjithë aktorët e përfshirë pa përjashtim.
Industria bankare, Banka e Shqipërisë, segmentet e tjera të tregut financiar si në rang aktorësh edhe në rang rregullatorësh, qeveria, bota akademike dhe ekspertët e fushës, të gjithë duhet të përfshihemi në këtë përpjekje. Ambiciet tona duhet të synojnë një treg financiar të zhdërvjellët, likuid, me vëllim tregtimi në rritje, ku spektri i instrumenteve të zgjerohet, përfshirë dhe zgjatje të horizonteve të maturitetit dhe administrim të kujdesshëm të rrezikut. I gjithë ky kuadër duhet të shoqërohet me transparencë të shtuar në të gjitha hallkat e tregtimit ku një rol të veçantë duhet të zërë dhe edukimi financiar. Vetëm kështu do të mundësonim thellimin dhe zgjerimin real të tregut financiar dhe përmes tij një eficiencë më të madhe në zbatimin e politikave ekonomike dhe financiare, në mobilizimin dhe në përdorimin e kursimeve kombëtare, në përfshirjen financiare dhe në rritjen e aktivitetit ekonomik dhe në mirëqenien e popullatës në terma afatgjatë./Monitor