Sëmundja që zë qeveritarët
FEJTON nga Hyskë Borobojka/Zoti i madh e i plotfuqishëm, lart në qiell, midis të mirave, që u dërgoi njerëzve poshtë në tokë, u dhuroi dhe një të keqe të madhe: Sëmundjen e “harresës” ose si e quajnë ata me “shkencë” sklerozën. Kjo viran sëmundjeje nuk prek vetëm moshën e tretë e tekaytët, por më shumë zë moshën e dytë, e sidomos deputetët dhe qeveritarët e lartë. Veç dëmeve, që sjell, kjo e flamosur, është edhe ngjitëse, si puna e gripit, që ia ngjitin njëri –tjetrit. Ata që preken nga simptomat e saj janë deputetët dhe qeveritarët e lartë. Janë këto kategori, që jo vetëm u ikën nga mentë kujtesa e s’mbajnë mend, jo vetëm nga e shkuara, por më keq akoma, harrojnë edhe të tashmen, e sidomos premtimet e shumta që bëjnë gjatë fushatave elektorale e mitingjeve të dendura. Nga kjo qerrata sëmundje pacientët qeveritarë, që kanë hipur në majë të kupolës së shtratit, nuk vuajnë një javë si ata që i zë gripi, një muaj si fëmijët nga kolla e mirë apo gjashtë muaj nga nervi shiatik, por katër vjet me radhë, që nga dita e parë që zënë kreun e qeverisë e deri sa u mbaron vadeja, për të filluar radhë të re. Kur lënë sallën e Parlamentit apo karrigen e qeverisë, nuk kanë nevojë fare as për mjekë e as për barna, shërohen vetvetiu. Nga kjo sëmundje katile vuajnë edhe vetë mjekët, qofshin deputetë apo anëtarë në kabinetin qeveritar. Sado që merrnin masa të rrepta profilaktike, mehazalla se shërohen dot. Një ditë pranvere, kur ishin veshur pemët e ishin zhveshur vashat, sapo kishte filluar fushata zgjedhore dhe njerëzit ishin grumbulluar si mizë lisi, arritën kandidatët për deputetë e qeveritare, me thesin e madh të premtimeve në kurriz. Kandidatët ishin shëndoshë e mirë, si molla e kuqe pa mardha e s’i kishte prekur fare sëmundja katile e sklerozës apo si i thonë në gjuhën tonë, harresës.
-Ne të nderuar zotërinj e zonja do të sjellim me vete “Rilindjen e madhe”. Sa të ulemi në karriget e Parlamentit e në kolltukët e qeverisë, do t’i rrisim rrogat e pensionet, aq sa do t’i thoni rri me shëndet fukarallëkut. Nuk do të jeni më të varfrit e rajonit, por në krye të tyre! – e hapi njëri thesin e madh të premtimeve.
-Betohem për idealin e partisë, ku militon, se me të ardhur në pushtet, do të hapin jo një, dy, dhjetë e njëzet vende pune, por 300 mijë, prandaj zonja e zotërinj, njoftoni fëmijët që kanë ikur në emigracion të kthehen në shtëpi, se e kanë gati punën, ku të duan e si ta duan! – vazhdoi tjetri.
Njëri nga kandidatët për qeveritar i lartë, anëtar i thekur i “Rilindjes së re”, premtimin për ata që kanë marrë e po marrin rrugët e emigracioni e bëri duke përmendur vargjet e Çajupit: “O shqiptarë të mjerë,/ Ç’u ka marrë koka erë,/ Derdhni djersën për të tjerë?!” ejani sa më parë atje ku u ka rënë koka të zgjidhni vendin e punës që dëshironi!?
Premtimet gjatë fushatës për zgjedhjet derdheshin lumë, si shiu kur derdhet nga qielli me gjyma. Premto e botë, se do të uleshin taksat e do të rriteshin rrogat e pensionet. Ekonominë do ecte përpara me hapa vigane, aq sa vendi do të ishte në ballë të rajonit. Me ardhjen e tyre në krye të pushtetit, qytetarët s’do kenë nevojë të ndjekin klinikat e spitalet private, pasi shëndetësia do të jetë falas. Do ulej borxhi ekonomik. Do bëhej i detyruar arsimi i mesëm. Çmimi i naftës s’do jetë më i shtrenjti në rajon, Europë e botë e… me radhë, sa “më thellë, më të ruda”.
Thanë e çfarë s’thanë, premtuan sa u lodhën, pa kandar e pa hesap. Por ç’e do, me të marrë votat e me të zënë kolltukët e pushtetit, filluan të shfaqen simptomat e sëmundjes katile të “sakarozës” dhe s’po gjenden as mjekë e as barna që t’i shërojnë. Kjo viranë sëmundje katile ka tre vjet që po heq vallen e harresës dhe e ka fshirë nga kujtesa shtimin e pagave e pensioneve. Kjo e flamosur ka bërë, që mirëqenia e premtuar po ikën së prapi, si gaforrja, aq sa varfëria ka “fituar” vendin e parë në rajon dhe borxhi ekonomik ka marrë përpjetë, lart e më lart “flamujt e fitores”. E nderuara qeveri, vetëm për rikonstruksionin e zyrave dhe pajisjen e tyre me orendi të klasit të parë e kompjutura “cilësorë” ka shpenzuar 24 milionë dollarë. Madje, disa nga drejtuesit e ministrisë kërkojnë edhe krevate në dikasterin që drejtojnë, nga dëshira e madhe për t’i kthyer zyrat në hotele. Njëri nga “Baballarët e Kombit”, për ta shpëtuar vendin nga varfëria, ka bërë një propozim me vlerë të “madhe” ekonomike. Qytetarët të mos bëjnë asnjë punë vetëm të mbjellin e të kultivojnë kanabisin fitimprurës, nga Veriu në Jug.
Kishin kaluar gati tre vjet, kur në një zonë, ku përmbytjet bënin punën e tyre dhe kandidati për deputet, që me të fituar zgjedhjet ishte bërë qeveritar i lartë, i kishte premtuar s’do kishte më as përmbytje e as thatësirë, por vetëm gjelbërim e lulëzim. Por premtuesi i gjorë s’mund të bënte përjashtim e të mos prekej nga sëmundja katile e harresës pasi jo viran skleroze është si gripi, që ngjitet nga njëri te tjetri.
Retë kishin shtrydhur brekët dhe shtëpia e qytetarit ishte kthyer në pishinë. Kur e pa veten në mes të ujit, i gjori ai, mori rrugën, për të takuar premtuesin gjatë fushatës. Por për çudi, zyrtari i lartë s’e njohu fare dhe e pyeti, duke lëpirë buzët: -Nga të kemi, more zotni?
-Nga lumi të më marrë, më keq se ç’më ka marrë! – iu përgjigj ai.
Nuk i vihej faj. E kishte zënë keq sëmundja katile e harresës. I ardhuri nga zona rurale në qytet, u mundua një copë herë, duke i bërë një biografi të shkurtër vetes, kush ishte, nga vinte e përse ishte lodhur deri në kërthizë të Shqipërisë. I kujtoi premtimin që i kishte bërë tre vjet më parë, se do t’i vinte pritë lumit të pabindur, që të mos i binte më qafë banesës e tokës së tij.
-Të drejtë ke,- i tha ai,- por të gjitha këto kusure për mua e për ty, fajet i ka sëmundja katile e harresë, që m’u ngjit sapo mora postin e lartë në qeverinë e “Rilindjes” e s’po më shqitet. Kjo qene është kaq e ligë, kaq e poshtër, sa ta fshi, si me fshesë me korrent kujtesën, aq sa s’mban mend me se hëngre bukë në drekë e ku e pive kafenë pasdite. Më beso, për ideal të partisë, ka tre vjet që më ka zënë e s’do të më lëshojë. Por të jap fjalën e nderit të qeveritarit, me t’ia gjetur melhemin e të “shërohem” do t’i plotësojë e do t’i tejkalojë të gjitha premtimet, prandaj duro, o i duruar, se me t’u larguar harresa e të vijë kujtesa banesës tënde s’do t’i bjerë më qafë, jo lumi, por as përroi!? –e “sqaroi”.