SHBA reagon pas aktgjykimit ndaj ish-krerëve të UÇK-së: Respektojmë vendimin e gjykatës!

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë reaguar pas aktgjykimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit. Një zëdhënës i Departamentit amerikan të Shtetit i tha Radios Evropa e Lirë se Uashingtoni e respekton vendimin e shpallur nga gjykata.
“Ne e respektojmë aktgjykimin e sotëm të Dhomave të Specializuara të Kosovës”, deklaroi zëdhënësi.
Departamenti i Shtetit theksoi se SHBA-ja mbështet drejtësinë për të gjitha viktimat dhe familjet e tyre, duke ritheksuar përkrahjen për llogaridhënien, procesin e rregullt ligjor dhe sundimin e ligjit.
Në reagimin e tij, Uashingtoni u bëri thirrje të gjitha palëve që ta respektojnë vendimin e gjykatës dhe të shmangin retorikën nxitëse pas shpalljes së aktgjykimit.
“U bëjmë thirrje të gjitha palëve që ta respektojnë vendimin e gjykatës, të shmangin retorikën nxitëse dhe të vazhdojnë të punojnë drejt një të ardhmeje paqësore dhe demokratike”, tha zëdhënësi.
Dhomat e Specializuara i shpallën katër ish-krerët e UÇK-së fajtorë për katër akuza për krime lufte, ndërsa i liruan nga akuzat për krime kundër njerëzimit.
Thaçi dhe Krasniqi u dënuan me nga 25 vjet burgim, Veseli me 18 vjet, ndërsa Selimi me 13 vjet. Vendimi është i shkallës së parë dhe pritet të apelohet nga mbrojtja.
KOHA JONË SONDAZH

