Shefja e BB kritikon koncesionet e qeverisë Rama
Përfaqësuesja e përhershme e Bankës Botërore në Tiranë, Maryam Salim ka reaguar për herë të parë pas marrjes së postit për planin e qeverisë për të aktivizuar projektin “1 miliard euro” në veprat infrastrukture nën modelin e Partneritetit Publik-Privat.
Në një intervistë për “Scan”, Salim ka theksuar se pavarësisht nevojës së madhe për investime, modeli PPP nuk duhet të konsiderohet zgjidhje për secilin problem që ka vendi. Ajo e ka krutikuar “maninë” e qeverisë shqiptare për të dhënë me koncesion çdo pune publike.
“Partneritetet Publike Private janë të njohura në të gjithë botën sepse gjithnjë e më tepër qeveritë kanë tendencat e tyre të përdorin këto partneritete në mënyrë që të përmbushin nevojat e shumta në infrastrukturë. Me qenë se shikojmë ndryshime të shumta në fushën demografike apo klimatike, do të shikojmë që ka gjithmonë e më shumë një nevojë në rritje sa i përket programeve infrastrukturore. Në zhvillime të tilla, për një vend është e pamundur që t’i përmbushë të gjitha nevojat e kohës, por nga ana tjetër partneriteti me sektorin privat, së bashku me kapitalet sjell edhe ekspertizën e vyer dhe është një bashkëpunim shumë i madh për të ardhshmen”,-u shpreh ajo.
Nga ana tjetër, përfaqësuesja e përhershme e Bankës Botërore në Tiranë, është treguar e ashpër me atë çfarë po bën qeveria Rama me koncesionet në infrastrukturë duke ja dorëzuar të gjitha punët publike privatit.
“Jo të gjitha projektet infrastrukturore duhet t’i lihen në dorë Partneriteteve Publike Private. Disa prej tyre duhet të menaxhohen nga qeveria, ndërkohë që disa prej tyre janë të destinuara për sektorin privat. Një tjetër faktor i rëndësishëm që duhet të merret parasysh është eksperienca që ka qeveria ose eksperienca e sektorit privat. Nëse njëri nga të dy partnerët ka më shumë eksperiencë atëherë duket sikur njëri prej tyre ka më tepër epërsi. Po ashtu është e rëndësishme të mendohen në detaje edhe implikimet fiskale, sepse në fund të ditës privatët do të marrin përsipër projekte të caktuara, atëherë do të duhen të paguhen borxhet private, ndërkohë që këto borxhe apo shpenzime dalin nga buxheti i shtetit. Kështu është e rëndësishme që t’i kushtohet rëndësi edhe aspektit të transparencës dhe llogaridhënies”, ka thënë Salim.