Shehi: Një pakt i dytë Rama-Basha, si ai i 2017-ës, fatal për vendin
I ftuar në Syri TV, kreu i LZHK dhe ish-deputeti i opozitës Dashamir Shehi, teksa ka komentuar situatën politike në vend, është shprehur se, një pakt i dytë, njësoj si i pari, mes kryeministrit Edi Rama dhe liderit të opozitës Lulzim Basha, do të ishte fatal.
Sipas tij, vendi ka nevojë për ndryshime radikale dhe jo vetëm për rotacion pushteti.
“Politika një pakt është. Por jo si herën e parë. Duhet të zbatojmë ato që i kemi ofruar qytetarëve. Kush është formula për tu gjetur, marrëveshje politike. Opozita mban timonin drejt për të ndryshuar gjërat përfundimisht. Ne besojmë që do e ndryshojmë sistemin, kemi shpresë se fëmijët tanë do të punojnë këtu. E keqja këtu ka përfshirë të gjithë shoqërinë dhe ne duhet të bëjmë diçka më radikale se sa ndryshimet e pushtetit. As ndryshimet e vogla që bëri Basha me Ramën në 2017. Rezultoi negative për opozitën, humbi besimin. Një pakt i dytë, si ai i pari, do të ishte fatal fare”, u shpreh Shehi.
Sipas Shehit, kryeministri Edi Rama duhet të largohet në mënyrë që ti hapë rrugë integrimit të vendit.