Shëndeti mendor, Gonzato dëgjon të rinjtë: BE, mbështetje shërbimeve komunitare
Shëndeti mendor mbetet një çështje me rëndësi thelbësore për të rinjtë. Në një takim të zhvilluar me ambasadorët e Rinj Evropianë, Bordin Këshillimor të Adoleshentëve të UNICEF-it dhe UNICEF-in, Ambasadori i BE-së në Shqipëri, Silvio Gonzato, dëgjoi shqetësimet dhe rekomandimet e të rinjve për mënyrën se si institucionet arsimore, bashkitë dhe shërbimet kombëtare mund të mbështesin më mirë mirëqenien mendore.
Këto rekomandime përfshijnë përmirësimin e aksesit te shërbimet, krijimin e mjediseve më të sigurta dhe të hapura për dialog, dhe do të ndiqen nga institucionet përkatëse. Ky proces i udhëhequr nga vetë të rinjtë është në përputhje me përpjekjet e Bashkimit Evropian për të vendosur shëndetin mendor si një prioritet dhe për të punuar me të rinjtë, jo vetëm për ta.
Ambasadori i Bashkimit Evropian në Shqipëri, Silvio Gonzato, theksoi se “pa folur për shëndetin mendor nuk mund të flasim për shëndetin”. ‘‘BE-ja e trajton shëndetin mendor si prioritet të politikave publike, të lidhur me arsimin, punësimin dhe përfshirjen shoqërore. Në Shqipëri, do të vazhdojmë të mbështesim shërbimet me bazë komunitare, pjesëmarrjen e të rinjve në dialogun e politikave dhe aftësitë për jetën, duke shpërndarë praktikat më të mira të Bashkimit Evropian në rajon”.
KOHA JONË SONDAZH

