Shërbimet drejt monopolizimit

 

Nga Sadedin Çeliku

Sektori i shërbimeve ka qenë më i keqi në këtë çerekshekulli, sepse janë parë si vende pune që mund të pasurohesh për një kohë mjaft të shkurtër. Në këto sektorë kemi manifestuar një kulturë të dobët shërbimi, por dhe një standard mjaft të ulët, krahasuar me vendet e rajonit. Kështu ndodh në sektorin e hipotekave, në komisionet e kthimit e kompensimit pronave, në drejtorinë e shërbimeve të transportit rrugor, e cila pas qytetarët me leje ushtrim aktiviteti transporti, leje drejtimi, kontroll fizik e teknik, pajisje me targa apo regjistrim automjeti, në administratën vendore ku pajisen qytetarët me leje banimi, certifikata lindje, vdekje apo familjare, shërbime kurorëzimi, shkurorëzimi, ndërrim banese, e shërbime të ngjashme me to, me pjesën e shërbimeve që merren përmes noterëve si dëshmitë e trashëgimisë, testamentet, shërbimet që lidhen me kontrollin fizik në dogana, legalizime, leje ndërtimi, leje për shërbime ambulant apo taksie, shërbimet që lidhen me kompensimet e vdekjeve, daljen në pension, ndihmën ekonomike, dhe shërbimet e tjera të kujdesit shëndetësor. Pjesë e shërbimeve janë ofrimi që i bëjnë publikut me tregjet të cilat janë jashtë standardit. etj.

Por numri më i madh i shërbimeve merret nga kontingjenti i punës zezë sepse qeveria dhe pushteti vendor nuk ka marrë mundimin ti dalë zot asaj pune. Kështu banorët e qytetarët e zonave të mëdha urbane vijnë vërdallë për shërbimet e një elektricisti kur ka defekt elektrik, për një bojaxhi, hidraulik, apo marangoz se nuk ka ku e gjen një specialist. Kjo ndodh se ndërmarrjet komunale banesa të cilat janë nën juridiksionin e bashkive nuk merren me shërbimet klasike që merresh më parë dhe kësisoj iniciativën ja kanë lënë qëllimshëm punës informale të cilën qeveria pretendon se po e lufton. Janë qindra e mijwra pallate që shërbimet e ashensorit, pastrimin e shkallëve dhe të ambienteve përreth etj, i bëjnë ata që punojnë në të zezë dhe s’pyet njeri për ligjin, sepse nuk ka institucione që të dëshirojnë e kontrollojnë zbatimin e ligjit. A e dini se këto shërbime janë informale në të gjithë banesat e ministrave, prefektëve, deputetëve, kryetarëve të pushtetit vendor? Kur ministrat nuk merren me zbatimin e ligjit dhe nën hundën e tyre punohet në të zezë vaj halli popullin që e ka zënë belaja sepse nuk pyet kush për ta.

Ekonomia shqiptare dhe në mënyrë të veçantë shërbimet po bëhen, siç kanë qenë në kohën e diktaturës, pra po centralizohen në një dorë të vetme, fillimisht nën mbikwqyrjen e shtetit e më pas drejt privatizimit. Le të flasim konkretisht. Është përgatitur një projektligj me anë të së cilës e institucionalizon monopolin. Sipas projektit në fjalë qëllimi i projektligjit i përgatitur nga Ministrja Harito, është si më poshtë: “Qëllimi i këtij ligji është përcaktimi i rregullave për ofrimin e shërbimeve publike nga institucionet e administratws shtetërore, për personat që banojnë dhe/apo që ushtrojnë aktivitetin e tyre, në territorin e Shqipërisë përmes heqjes së barrierave administrative dhe ofrimin e tyre në mënyrë të shpejtë, efikase, transparente dhe me cilësi më të lartë, duke përdorur të gjitha kanalet e mundshme të ofrimit. Ky ligj zbatohet për të gjitha shërbimet që afrohen nga institucionet shtetërore dhe organet e njësive të qeverisjes vendore. Ministrat përgjegjës që kanë nën juridiksionin e tij fushën e shërbimeve hartojnë politikat për reformimin dhe inovacionin e këtij sektori. ADISA është Agjencia e Ofrimit të Shërbimeve Publike të Integruara, pra autoriteti përgjegjës për zbatimin e këtij ligji. Kurse nga një studim dhe interpretim i Kodit Rrugor të Republikës së Shqipërisë, të ndryshuar me Vendimin e Këshillit të Ministrave nr. 800, date 30. 09. 2015; për disa shtesa dhe ndryshime në vendimin nr. 153, date 07. 04. 2010, dalin disa probleme. Në nenin 74 të këtij kodi, pika1 thotë se organi përkatës për shërbimet e transportit rrugor është D. P. SH. T. RR-ja. Ky organ pasi i bën kontrollin fizik (homologimin) automjetit e pajis atë me certifikatën përkatëse.

Në nenin 76 pika 1, paragrafi i fundit përcaktohet se : Ministri përgjegjës për transportin liçencon subjektin, sipas kritereve të përcaktuara në aktet në zbatim të VKM-së, për të kryer kontrollin e verifikimin për përputhjen me tipin e homologuar të të gjitha mjeteve me motor, rimorkjo etj. Pra ligji e përcakton saktë organin që ka të drejtë ta ushtrojë atë kontroll, por dhe të çertifikojë automjetin kur ka përputhshmëri me tipin pra që është Drejtoria e Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor, ndërsa neni 76 dhe ai më poshtë 77 pika 2 bien në kundërshtim me njëra tjetrën. Ministrit ja jep të drejtën e licencimit vendimi qeverisë kurse DPSHTRR-së ja jep ligji. Shikoni se çfarë katrahure po përgatitet.

E çuditshme por e vërtetë. I zoti ja jep asaj ndërmarrje me ligj të bëj homologimin e automjeteve (neni 75 i kodit rrugor), tellalli ja heq dhe ja jep ministrit. Shkaku, duan ta japin me konçension sepse nga burimet jo zyrtare ky shërbim kryhet me 1500 lekë dhe duan ta bëjmë përmes privatit 100 euro. Nga përllogaritjet që kanë bërë novatorët e kësaj nisme parashikohet të kalojnë në atë filtër rreth 80 mijë automjete që me tarifën që mendojnë, i marrin këtij populli fiks 8 milionë euro pa bërë asnjë investim. Pra, para prej zotit. Nuk e kuptoj a duhet të quhet reformë kjo?

Qeveria paraardhëse dha me konçension kontrollin teknik të automjeteve, rritën tarifat gati dyfish, shërbimi më i dobët se më parë dhe aksidentet me pasojë vdekjet u rritën. Meqenëse ato ja panë hajrin asaj pune si për inat të sime vjehrre, duan të marrin homologimin e automjeteve të bëjnë edhe këta ca pare se janë fukarenj, pse jo, këta janë të vendosur që deri në fund të mandatit të mos i lënë asgjë qeverisë ardhshme por as popullit. Duke ju kthyer idesë së centralizimit të shërbimeve dua të informoj qytetarët shqiptarë se në emër të reformës po përgatitet një pseudoreformë që edhe në kohën e komunizmit nuk ka qënë, pra kthim prapa. Në se një qytetar do duhet të marri një certifikatë pronësie, ai duhet të paraqitet në sportel tek përfaqësuesi i ADISA-s (agjencisë) dhe ky i fundit ja kalon aplikimin përpunuesit.

Pra qytetari do humbasë më shumë kohë, do sorollatet më shumë, problemi kalon në sistem dublazhi për të njëjtin veprim e operacion, rriten shpenzimet për fond page në kurriz të taksapagueseve. Pra kjo nismë ka prapavijë dhe i vjen erë e keqe. Për kureshtje të lexuesit parashikohen të ketë rreth 7000 nëpunës në këto shërbime, efektiviteti i së cilës do jetë i keq. Pra fillimisht ky kontingjent do të rrijë nëpër sportele (pritësa) sa për të marrë aplikimet nga qytetarët. Pra për të njëjtën punë do paguhen dy vetë nga paratë tona. Edhe e ke marrë në punë nëpunësin për shërbime edhe e dublon. Proverbi i popullit i thotë edhe “ më bën prift edhe më rruan mjekrën ”. Po mirë kush e ndalon qeverinë të kërkoj hesap, të përmirësojë shërbimet, të luftojë të korruptuarit dhe rryshfetxhinjt, të rrisë standardet e shërbimit? A duhet ta besojmë me kaq naivitet nismën e qeverisë e cila na duket sikur i ka shpallur luftë të gjithë sektorëve të shërbimeve në shëndetësi me sterilizimin e sallave e veglave të operacionit, hemodializën, shërbimet në hipoteka, shërbimet e transportit, shërbimet e njësive vendore etj? A synohen privatizimi apo konçensionimi i sektorëve të shërbimeve? Përse këto nisma po bëhen atje ku ka para më shumë? dhe pse nuk bëhet kjo transparente përpara publikut shqiptar? A mund ti besohen këto nisma e pseudoreforma ministrave të përfolur për afera? Përgjigjet e këtyre pyetjeve dhe qëllimin që ju fshihni e keni për detyrë të bëni informim publik ndryshe ne kemi të drejtë të paragjykojmë.

 

SHKARKO APP