Shfrytëzimi i burimeve natyrore, kërkohet rishikimi i ligjit për hidrokarburet
“Ndikimi mjedisor i zhvillimit të burimeve natyrore dhe politikat e BE-së për zhvillimi e qëndrueshëm”, ishin në qendër të diskutimit në tryezën e organizuar nga Lëvizja Evropiane në Shqipëri (EMA), në partneritet me Slovak Foreign Policy Association, me mbështetjen e Ministrisë së Mjedisit.
Në të morën pjesë, përfaqësues të Inspektoriatit të Mjedisit Fier, Agjencisë Rajonale të Mjedisit Fier, Juraj Mesik, eksperti sllovak për çështjet mjedisor dhe përfaqësues të shoqërisë civile.
Kjo tryezë u pa me interes nga përfaqësuesi i Agjencisë Rajonale të Mjedisit në qytetin e Fierit, Agron Basholli, i cili theksoi se ky qytet është një ndër më problematikët përsa i përket nivelit të ndotjes, kjo edhe për shkak të vendburimeve të naftës që gjenden në të.
Gledis Gjipali,drejtor ekzekutiv i EMA-s tha se, bashkëpunimi mes autoriteteve shtetërore, shoqatave mjedisore dhe shoqërisë civile është i nevojshëm për të lidhur disa ura komunikimi në të mirë të zonës dhe komunitetit.
Holta Ymeri, avokate pranë zyrës së Konsulencës LFC-Albania dhe eksperte mjedisi për EMA-n, theksoi se Shqipëria është një vend i pasur me burime natyrore, por mënyra e zhvillimit dhe shfrytëzimit të tyre në Shqipëri lë shumë për të dëshiruar për shkak të mangësive të politikave të zhvillimit të qëndrueshëm, mangësive ligjore në fushën e mbrojtjes së mjedisit dhe mungesës së kontrolleve efikase nga ana e autoriteteve shtetërore të operatorëve privat që shfrytëzojnë burimet natyrore shqiptare.
Të gjitha këto mangësi sjellin si pasojë shfrytëzimin e burimeve natyrore në mënyrë të dëmshme për mjedisin, për shëndetin e qytetarëve të zonave përreth si dhe nuk arrijnë të sjellin një zhvillim ekonomik dhe shoqëror të vendit.
“Që të kemi zhvillim të qëndrueshëm të burimeve natyrore është e nevojshme ndërthurja dhe balancimi i tre elementeve: elementit ekonomik, shoqëror dhe mjedisor”, tha Holta Ymeri.
Ekspertja e mjedisit vuri në dukje se Shqipëria nuk ka miratuar ende politika të zhvillimit të qëndrueshëm të burimeve natyrore dhe se legjislacioni shqiptar për zhvillimin e burimeve natyrore nuk është në standardet e BE-së.
“Veçanërisht ligji për kërkimin dhe prodhimin e hidrokarbureve është i vjetër dhe ndryshe nga ligji për sektorin minerar i cili është më i plotë dhe i detajuar , nuk rregullon në mënyrën e duhur fushën kaq të rëndësishme të kërkim-prodhimit të naftës dhe gazit në Shqipëri. Burimet natyrore shqiptare nuk mund të konsiderohen se zhvillohen në mënyrë të qëndrueshme në kuptimin e ndërthurjes dhe balancimit të elementeve të zhvillimit ekonomik, shoqëror dhe mbrojtjes së mjedisit”, tha Ymeri.
Përsa i përket aspektit ekonomik, Ekspertja deklaroi se në marrëveshjet hidrokarbure të lidhura midis shtetit shqiptar dhe operatorëve privat në fushën e naftës dhe gazit, shteti shqiptar merr një përqindje shumë të ulët nafte duke bërë që shfrytëzimi i burimeve kaq të vlefshme natyrore, të cilat në rastin e naftës janë dhe shumë të vështira për t’u ripërtëritur, të mos paraqes një leverdi të madhe ekonomike për Shqipërinë në krahasim me dëmin e shkaktuar.
Kjo praktikë rezulton gjithashtu të jetë poshtë standarteve që zbatohen në vende të Bashkimit Evropian për të njëjtin lloj aktiviteti, si p.sh Kroacia e cila merr përqindje më të larta nafte.
“Nuk mund të thuhet se në zonat e shfrytëzimit të naftës apo në zonat e shfrytëzimit të minierave ka zhvillim ekonomik apo shoqëror, si p.sh rritja e nivelit të jetesës. Përkundrazi banorët e zonave të naftës apo minatorët ankohen shpesh se jeta e tyre është në rrezik për shkak të zhvillimit të këtyre aktiviteteve”, tha Ymeri.
Në vijim të fjalës së saj, ajo theksoi se aksidentet që ndodhin herë pas here si në aktivitetin e minierave ashtu edhe të naftës, tregojnë se nuk merren masat e nevojshme parandaluese.
Për më tepër Ymeri përmendi edhe detyrimet që Shqipëria ka në kuadër të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut duke qenë se gjykata e Strasburgut ka gjykuar disa aksidente madhore mjedisore dhe ka vlerësuar se këto të fundit shkelin të drejtat themelore të njeriut si p.sh e drejta e jetës.
Në këtë kontekst Ekspertja përmendi parimet e vendosura nga gjykata e Strasburgut në çështjen e mirënjohur Öneryıldız kundër Turqisë, sipas të cilave kur zhvillohen aktivitete të rrezikshme për jetën dhe shëndetin e njeriut siç është edhe aktiviteti i prodhimit të naftës, pavarësisht nëse aktiviteti zhvillohet nga vetë shteti apo nga privatët, shteti ka disa detyrime thelbësore: të ndërmarrë të gjitha masat ligjore për të rregulluar aktivitetet e rrezikshme, të ushtrojë kontroll mbi këto aktivitete për të garantuar se zhvillohen në mënyrë të sigurtë, të mbrojë banorët që jetojnë përreth zonave ku zhvillohen aktivitete të rrezikshme, edhe në rastin kur këta banorë janë vendosur aty në mënyrë jo të ligjshme por kjo vendosje është toleruar nga shteti siç ishte rasti i Öneryıldız kundër Turqisë.
Së fundmi shteti ka detyrimin thelbësor të informojë qytetarët për rrezikshmërinë e aktiviteteve industriale që zhvillohen rreth tyre.
Në këtë kuadër Ymeri theksoi se aktualisht “Shteti Shqiptar nuk i përmbush në mënyrën e duhur detyrimet e rregullimit, kontrollit dhe garantimit të zhvillimit të aktiviteteve të rrezikshme në mënyrë të sigurtë dhe se ka një mungesë të theksuar informacioni mbi rrezikshmërinë e aktiviteteve industriale që zhvillohen në Shqipëri”.