Shifra alarmante, emigrantët minorenë shqiptarë në Itali në vend të parë
Unicef Italia ka prezantuar sot raportin për emigrantët minorenë të pashoqëruar për 2018-ën, të hartuar nga ministria italiane e Punës dhe e Politikave Sociale. Bazuar në raport, janë 1550 emigrantë minorenë shqiptarë, të cilët shkuan në itali gjatë vitit të shkuar, të cilët përbëjnë 14.4% të numrit të përgjithshëm.
Edhe pse numri i emigrantëve minorenë të pashoqëruar është ulur, ka pësuar ndryshime harta e prejardhjes së origjinës së tyre. Gjatë 2017-ës, Shqipëria renditej e katërta dhe vend i parë mbahej nga vendet e Afrikës Subsahariane, ndërsa për vitin që lamë pas, renditemi në vend të parë, duke lënë pas Egjiptin.
Në raportin e bërë sot publik, në itali gjatë 2018-ës kanë mbërritur 10.787 emigrantë minorenë të pashoqëruar, ku 3536 prej tyre kanë mbërritur nëpërmjet mesdheut, ndërsa mosha mesatare e tyre është 16-17 vjeç.
Gjithashtu gjatë 2018-ës u vu re një numër i madh të larguarish nga qendrat sociale, plot 5229, ndërmjet të cilëve 37 janë shqiptarë. Situata është alarmante, pavarësisht se kreu i qeverisë, shifrat e larta të largimit nga vend i quan normale.